Frroku: PS-së nuk i kundërvihem, më vonë postin e ministrit

Kreu i PKDSH, për gazetën “Panorama”: Jemi në maxhorancë. Poli i qendrës? Me Ndokën kam folur vetëm për bashkimin e partive demokristiane.
Pas kryetarit të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, edhe Mark Frroku i Partisë Kristiandemokrate përjashton mundësinë që të jetë pjesë e iniciativës së Ndokës për krijimin e një poli të qendrës. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Frroku thotë se forca politike që ai drejton është e pozicionuar qartë dhe ka një marrëveshje me Partinë Socialiste.
Ai konfirmon votën për koalicionin qeverisës dhe thotë se PKDSHja do të përfaqësohet në nivel zv.ministrash. “Unë personalisht si deputet e kam bërë të qartë që do të mbështes maxhorancën dhe qeverinë. Unë nuk mund t’i kundërvihem Partisë Socialiste sepse jam në koalicion me këtë forcë politike. Në një pikë bashkohem me Ndokën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Jam shumë dakord me këtë dhe e kam bërë të qartë edhe kohë më parë. Sa i përket bashkimit të partive për t’iu kundërvënë PS-së, kjo nuk ndodh”, shprehet Frroku. Deputeti i qarkut të Shkodrës thotë se me kreun e demokristianëve ka folur lidhur me idenë e bashkimit të katër partive kristiane, proces i cili mund të nisë në muajin shtator.
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar se po bisedon me ju për idenë e krijimit të një poli të qendrës me parti majtas e djathtas, që do t’i kundërvihen në Kuvend bipolarizimit PD- PS. Cili është vlerësimi juaj?
Ne kemi biseduar për partitë kristiane, ndërsa përsa i përket pjesës tjetër, nuk kemi biseduar. Unë në gazetë e pashë.
Në çfarë faze është çështja e bashkimit të katër partive demokristiane?
Jemi në fazën e bisedimeve me të gjitha partitë. Paraprakisht jemi katër parti, është edhe Pal Shkëmbi, por unë personalisht nuk kam pasur kontakt. Ndërsa me të tjerët kam kontaktuar.
Mund të realizohet në shtator?
Jemi në fazë bisedimesh, por nuk mund të jap garanci.
Si ju duket ideja e Ndokës për të krijuar polin e qendrës?
Unë personalisht si deputet e kam bërë të qartë që do të mbështes maxhorancën dhe qeverinë. Unë nuk mund t’i kundërvihem Partisë Socialiste sepse jam në koalicion me këtë forcë politike. Në një pikë bashkohem me Ndokën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Jam shumë dakord me këtë dhe e kam bërë të qartë edhe kohë më parë. Sa i përket bashkimit të partive për t’iu kundërvënë PS-së, kjo nuk ndodh. Ne kemi një koalicion me PS-në dhe jam shprehur qartë që mbështet pa rezerva qeverinë. PS dhe LSI kanë fituar zgjedhjet dhe ne nuk mund t’i kundërvihemi. Së bashku me këto forca politike janë edhe dy parti të tjera, ne dhe PBDNJ-ja, që kemi marrë mandate deputetësh dhe jemi fitues. Unë e kam shprehur qartë që mandati i Mark Frrokut është për maxhorancën dhe nuk lëviz nga kjo.
Gjatë kësaj periudhe keni pasur negociata me Partinë Socialiste?
Ju, sipas marrëveshjes, duhet të merrnit një post ministror pas mandatit që fituat, por kjo nuk ndodhi.
Ne kemi qenë gjithmonë në kontakt me PS-në. Do të presim deri në datën 20 kur të përfundojnë pushimet. Nuk është e rëndësishme që unë nuk u bëra ministër. Ne, në një moment të dytë do ta kërkojmë postin e ministrit sipas marrëveshjes që kemi me Partinë Socialiste. Për momentin e rëndësishme është që vendi të ecë përpara.
Ju me çfarë propozimesh do shkoni në bisedime?
Tani ka ngelur që ne të përfaqësohemi në nivelet e dyta. Përsa i përket niveleve të para, kjo çështje është ezauruar. Ne kemi dhënë kontribut dhe do vazhdojmë të japim të japim kontributin tonë.
Panorama
Add new comment