FRD hap dyert për të zhgënjyerit nga gara brenda Partisë Demokratike

Fryma e Re Demokratike duket se është shtëpia më e përshtatshme për të gjithë ata të zhgënjyer nga gara brenda Partisë Demokratike.
Në Shkodër, ku anëtarët e PD u penguan që të votojnë për kryetarin e ri, kanë nisur bisedimet me Frymën e Re Demokratike, raporton e përditshmja Shqip.
Kandidati i FRD, Fatlum Nurja, e ka konfirmuar këtë lajm për gazetën Shqip.
“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur telefonata, kontakte nga anëtarët dhe militantët e PD-së, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për PD-në dhe duke u sjellë me ne si persona të cilët, sikur vërtetonin tezën tonë që e kemi shprehur shumë kohë më parë, që në atë parti nuk funksionon mekanizmi i brendshëm dhe ka shumë pak shanse që të jetë demokratike”, thotë Nurja.
“Ne presim që personat, të cilët ndajnë të njëjtat pikëpamje me ne, të afrohen në FRD. Nga ana tjetër, FRD është një parti e hapur për të gjithë intelektualët demokratë, për personat të cilët kanë përqafuar filozofinë tonë. Ne nuk jemi thjesht urë lidhëse e qasjes politike shqiptare, por natyrisht kemi objektivat dhe pikëpamjet tona, kemi strukturat tona dhe, ata që e pranojnë programin e strukturës sonë, janë të mirëseardhur, kushdo qoftë”./ep
TEMA
Add new comment