FNSH-ja patrullon 5 kilometra larg fshatit

Postuar në 16 Gusht, 2013 07:28

Kanabisi në Lazarat 

Efektivët ndodhen 2 km larg kryqëzimit të “republikës”. Asnjë tentativë për t’u futur në brendësi

Policia e Shtetit sa vjen e bëhet qesharake për situatën në Komunën Fshat të Lazaratit, ku prej ditësh ndërmerr operacione për ndalimin e punëtorëve dhe autoboteve, pa mundur dot të futet për të asgjësuar kanabisin, i cili këtë vit është mbjellë si kurrë më parë. Ditën e djeshme, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin ngritur që herët në mëngjes, përkatësisht në orën 05:00, duke u dislokuar disa kilometra larg këtij fshati, ndërsa nuk bënë asnjë tentativë për t’u futur në këtë fshat. Duke u nisur nga emri, pra FNSH-ja, gjithkush priste që të ndërhynte në fshat, me antiplumb dhe me automjete të blinduara, dhe të asgjësonin sa më shumë kanabis. Me të mbjellat e sivjetshme, Policisë së Gjirokastrës i duhen mijëra punonjës ta asgjësojnë brenda një jave. Por, strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë për t’u futur në brendësi, pa dashur që të krijojnë “armiq” me banorët apo kultivuesit lazaratas, pasi mendohet se, ata titullarët e policisë, mund të kenë muajt e fundit në këtë detyrë.

Gjithsesi, duke u ndalur tek operacionet e fundit, mësohet se dhjetëra efektivë të FNSH-së kanë bërë disa postblloqe rreth 5 kilometra larg këtij fshati. Madje, sipas të dhënave, ngritja e këtij postblloku nuk është bërë në kryqëzimin e fshatit Lazarat, por rreth 2 kilometra larg këtij kryqëzimi. Punonjësit e thjeshtë, me të drejtë, kanë frikë të qëndrojnë në afërsi të fshatit, pasi në mungesë të një plani të detajuar, nuk mund të bëhen “tabelë qitjeje”. Operacioni i tyre për qëndrimin në kryqëzimin e Lazaratit, do të ishte shumë i rrezikshëm me mjetet që kanë. Aktualisht, sipas të dhënave, këta punonjës janë të veshur shumë thjesht, pa jelekë antiplumb dhe detyra e tyre ishte kontrolli i automjeteve. Mësohet se ata kanë marrë urdhër që të bllokojnë autobotet e ujit dhe të punëtorëve që shkojnë në Lazarat. Por duket se veprime të tilla nuk i shkojnë për shtat FNSH-së, e cila vepron në operacione të mirëfillta, dhe jo për ndalimin e hallexhinjve, të cilët nuk janë të armatosur dhe nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Madje e pranojnë se ka të mbjella me kanabis në zonë dhe për rrjedhojë nuk mund të hetohen as për moskallëzim krimi. Por sërish ndalohen dhe mbahen dhjetëra orë në polici, deri në orët e vona të mbrëmjes. Problemi i vetëm për ta është se kanë humbur ditën e punës dhe nuk kanë mundësi të paguajnë hotelin, apo edhe të shkojnë në banesa. Punonjësit janë nga disa rrethe të vendit dhe shkojnë në këtë zonë për punë. Në fund ndalohen dhe shoqërohen në polici, madje edhe nga FNSH-ja, nga efektivë të gjatë dhe të bëshëm, që në këtë rast tregojnë “forcën” vetëm me këta fakirë, pasi banorët dhe tregtarët e zonës së kanabisit bredhin të lirë.

Policia e Gjirokastrës thotë se ka urdhëruar që të dalin që herët në punë rreth 27 efektivë dhe do të patrullojnë në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë. Postblloku është ngritur pranë ish-fabrikës së miellit, rreth 2 km larg hyrjes së Lazaratit. Mësohet se këto postblloqe të kota do të jenë të lëvizshme, në varësi të situatave dhe më i afërti me Lazaratin, do të jetë pranë hyrjes së tij. Ndërkaq po patrullohet dhe aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë. Qëllimi ka qenë që të ndalohen të hyjnë në fshat të dhjetëra mëditësve, të cilët në kushtet e mungesës së furgonëve të linjave Lazarat-Gjirokastër, kanë shkuar me këmbë deri në afërsi të fshatit, por që janë ndaluar më pas nga policia.

Me gjithë këto masa “shtrënguese”, policia duket se është e paaftë të bllokojë botet me ujë dhe kamionët me depozita të mbushura me ujë e pleh, të cilat shkojnë në Lazarat. Dje, disa media publikuan video që tregonin se pak metra larg rrugës nacionale, kamionët mbushen me ujë në një pus apo linjë ujësjellësi. Një kamion me mijëra litra ujë u nis dje në mëngjes drejt Lazaratit, ndërsa një tjetër ndodhej aty, duke u mbushur, ose në pritje për t’u nisur. Policia, gjatë ditës së djeshme, deklaroi se ka shkatërruar një tjetër impiant në të dalë të Lazaratit, por një tjetër ende funksionon dhe mbush me ujë botet që shkojnë pa u shqetësuar nga policia drejt fshatit.

Të gjitha këto veprime bëhen nën “hundën” e policisë, e cila vetëm sa i shoqëronte me sy këto autobote. Duket se prania e FNSH-së vetëm sa u jep zemër lazaratasve që të vazhdojnë punën me kanabisin, i cili do edhe pak që të korret.

 

 

Deklarata

Filmohet asgjësimi i parcelave në fshatin Lug të Bërzhitës. Policia e Durrësit: Kemi asgjësuar 8240 rrënjë

“Mburrja” e Policisë së Tiranës: Asgjësuam 2000 rrënjë në Tiranë, vlente miliarda lekë

Kush mendonte se Policia e Shtetit nuk po bën operacione, e ka shumë “gabim”, pasi përgjatë gjithë ditës së djeshme, janë udhëzuar të gjitha drejtoritë e policive në qarqe të asgjësojnë kanabisin. Në tentativë për të harruar Lazaratin, Policia e Shtetit publikoi një operacion për asgjësimin e rreth 2000 rrënjëve në fshatin Lug të Bërzhitës. Madje, publikoi se vlera në treg mund të jetë rreth 1 miliard lekë. Duket se policia me këto operacione në të gjithë vendin po ia rrit edhe më shumë vlerën kanabisit të Lazaratit. Duke asgjësuar parcelat e tjera, tashmë lazaratasit kanë një treg të sigurt, me një vlerë akoma më të madhe. Duke u ndalur te “superoperacioni” në Tiranë, policia thotë se bimët ishin shumë të mëdha, rreth 2.5 metra, madje ndodheshin vetëm 27 kilometra larg Tiranës. Mësohet se parcelat me këto bimë i përkisnin familjes Murati nga zona dhe kanabisi ishte mbjellë në një territor të thyer, i cili nuk mund të pikasej as nga italianët.

Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se janë arrestuar shtetasit Xhemal dhe Astrit Murati, 60 dhe 28 vjeç, si dhe 16-vjeçarin R.Murati, banorë të Komunës Bërzhitë, të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Në parcelën ku ishin mbjellë rreth 2000 rrënjë kanabis, ishte improvizuar dhe një rezervuar, që shërbente për ujitjen e bimës narkotike. Bima narkotike u asgjësua në vend nga policia.

 

Policia e Durrësit

Mbi 1.2 miliardë lekë deklarohet të jetë fitimi i humbur i kultivuesve nga aksionet e fundit antikanabis në Qarkun e Durrësit. Që prej fillimit të zbatimit të masave për kontrollin e territorit mbi kultivim bimësh narkotike, në territorin e qarkut janë evidentuar 71 parcela me bimë narkotike, nga të cilat një në Rrethin e Durrësit, 4 në Shijak dhe 66 në Rrethin e Krujës, me një total prej 8.240 rrënjësh bimë narkotike, të cilat janë asgjësuar me djegie. Ndërkohë, strukturat e policisë, krahas kontrollit të territorit për të evidentuar e asgjësuar të tjera parcela me bimë narkotike të kultivuara, po vijojnë edhe me masa mbi identifikimin e autorëve të kultivimit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të tyre. Vetëm ditën e mërkurë u evidentuan 48 parcela me 4504 rrënjë, të cilat u asgjësuan, ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara u gjetën e u sekuestruan edhe disa armë e municione luftarake. Për 704 bimë, policia deklaron si kultivues një 45-vjeçar nga fshati Ranzë i Krujës, i cili është shpallur në kërkim, ndërkohë që për pjesën tjetër ka nisur procedimi penal pa autor, pasi bimët u gjendën larg banesave të fshatit Ranzë, në sipërfaqe të shpyllëzuara. “Po dje, në bazë të të dhënave të grumbulluara nga puna operative dhe monitorimi i territorit nga ajri dhe në kuadër të të njëjtit plan operacional u ndërmor një kontroll në fshatin Mukje të Niklës, ku larg banesave u evidentua një tjetër parcelë me 150 bimë të dyshuara si kanabis sativa”, bëri të ditur Ornela Cako, zëdhënëse e DPQ-së. Në mesnatën mes së mërkurës dhe së enjtes u arrestua në flagrancë Ahmet Hoxha, 60 vjeç, nga fshati Ranzë i Cudhisë, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën dy automatikë, një pushkë dhe mbi 100 fishekë pa leje. Qarku i Durrësit është pjesë e listës së zezë të kultivimit të kanabisit. Kryesisht kultivuesit shfrytëzojnë zonat jo lehtësisht të arritshme të malësisë së Krujës dhe Ishmit, por edhe në mes të parcelave të misrit dhe duhanit, si në rastet e evidentuara vitet e fundit.

 

Gramsh

Zbulohen 200 rrënjë kanabis pa pronar

Policia e Elbasanit ka zbuluar parcelën e parë të kanabisit për këtë vit në Qarkun e Elbasanit. Kanë qenë agjentët e Komisariatit të Gramshit që rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Kukur të Rrethit të Gramshit, në një zonë malore kanë zbuluar një arë me 200 rrënjë të llojit kanabis sativa. Agjentët e policisë, pasi kanë dokumentuar bimët e zbuluara, kanë bërë edhe asgjësimin e tyre. Mësohet se sipërfaqja ku ishte mbjellë droga ishte kullotë dhe për policinë ka qenë i vështirë identifikimi i mbjellësve të saj. Agjentët janë duke marrë në pyetje banorët e zonës për të bërë të mundur identifikimin e autorëve që kultivonin kanabisin dhe vënien para drejtësisë. Për këtë rast ka nisur procedimi prodhim dhe shitje të narkotikëve. Zonat malore të Gramshit janë ato ku kryesisht mbillet lëndë narkotike në Qarkun e Elbasanit dhe çdo vit policia ka arritur të zbulojë sasi të vogla bimësh të mbjella në këtë zonë, por edhe në zonat kodrinore dhe malore të Rrethit të Elbasanit.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.