FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se do ta ulë parashikimin për rritjen globale ekonomike në vlerësimin tremujor, që pritet të publikohet në fund të këtij muaji.
Shefja e FMN-së, Kristinë Lagard tha se parashikimi i rritjes globale do të jetë “diçka më e ulët” se sa që ishte menduar më parë.
Në muajin prill, FMN-ja e kishte ngritur parashikimin e rritjes globale në shkallën vjetore prej 3.5% këtë vit, ndërsa 4.1% për vitin 2013.
Zonja Lagard ka refuzuar të thotë se cilat do të jenë të dhënat e reja dhe cilat shtete po ndikojnë në uljen e vlerësimit për vitin 2012.
Rritja në pjesën më të madhe të ekonomive kryesore ka treguar shenja të ngadalësimit në muajt e fundit, pjesërisht për shkak të krizës së borxheve në Evropë.
Shefja e FMN-së i bëri këto komente gjatë një simpoziumi ekonomik në Tokio. Kryeministri japonez Joshihiko Noda u ankua se problemet e borxhit në Europë po dëmtojnë edhe ekonominë japoneze, sepse kanë shkaktuar një rritje të pajustifikueshme të vlerës së jenit.
Ballkanweb.com
Add new comment