FMN – qeverisë ‘Rama’: Kujdes me ndryshimet fiskale dhe borxhin

Postuar në 23 Shtator, 2013 09:32

TIRANË Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga drejtori i Fondit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, ka vënë pikat mbi “i” në takimet që po zhvillon në Tiranë. Shqetësimet e para janë përcjellë në takimin që FMN zhvilloi me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, ku është informuar mbi strategjinë që parashikon të ndjekë qeveria e re  për uljen e deficitit buxhetor, duke rritur të ardhurat tatimore e duke ulur shpenzimet, të paktën deri në fund të këtij viti financiar. Krahas informimit, FMN ka kërkuar në takimin me ministrin e Financave që të bëhet kujdes me ndryshimet fiskale që qeveria “Rama” ka parashikuar, pasi mund të cenohet stabiliteti makroekonomik i vendit. FMN ka kërkuar si masë të menjëhershme uljen e nivelit të borxhit publik përmes masave konkrete. Deficiti i lartë buxhetor ka rritur borxhin publik, që mund të ketë arritur në nivelin e 64% të PBB-së, ndërsa ekspertët kanë shtuar se në të ardhmen ajo mund të tejkalojë edhe kufirin e 80%-it. Në takimet e zhvilluara me funksionarët të lartë dhe ekspertë të institucioneve financiare në vend, FMN ka kërkuar edhe miradministrimin e mbledhjes së taksave pas rënies së të ardhurave muajt e fundit. Ndërsa në takimin me drejtues të Bankës së Shqipërisë, problem nga FMN ka qenë edhe rritja e kredive të këqija, që normalisht ndikon në rënien e investimeve. FMN ka paralajmëruar gjithashtu edhe uljen e ndjeshme të rritjes ekonomike. Gjithsesi, një qëndrim zyrtar i FMN-së pritet që të përcillet në fund të vizitës disaditore të ekspertëve të saj, ku pritet që të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e Ministrisë së Financave, ekspertëve të FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, Shefi i Misionit, Nadeem Ilahi kërkoi pak ditë më parë nga qeveria shqiptare, politika afatgjata për garantimin e rritjes ekonomike. “Rruga drejt së ardhmes për qeverinë e re duhet të përqendrohet në ndryshimin e kahut në borxhin e brendshëm, duke u mbështetur në rregulla të kujdesshme fiskale. Duhet të ulet borxhi, në këtë drejtim duhen politika të ndjeshme e të kujdesshme. Ndryshimet tek taksat e tatimet duhen bërë të studiuara mirë. Sinjalet ndaj biznesit duhet të jenë pozitive. Edhe një herë, ulja e borxhit është e domosdoshme, pasi kemi edhe një përkeqësim të administrimit të taksave dhe tatimeve, që duhet përmirësuar”, – tha Nadeem Ilahi, shef i Misionit të FMN-së në Shqipëri, në konferencën rajonale me temë “Perspektivat e biznesit në Europën Juglindore”. Përfaqësuesi i Misionit ka theksuar gjithashtu se rritja ekonomike e Shqipërisë do të vijojë të jetë e ulët për shkak të krizës.

 

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.