Fermani i Berishës, jep pyllin e Krujës për gurore

Kryeministri Berisha vepron sikur ta ketë Krujën pronë familjare të trashëguar nga Skënderbeu. Para ikjes nga detyra i ka bërë dhuratë një pyll në Krujë kompanisë Shpresa-Al, kliente e kontabilistes Shpresa Breçani, e afërme e familjes Berisha. Por nuk mbaron këtu. Skandali është se ky pyll jepet për tu shkatërruar, për tu kthyer në gurore. Jo. Këtë të dytën nuk do ta bënin as turqit.
Fshihet pylli nga harta
Në vend të së gjelbrës peizazhin do ta sundojë e murrmja, ngjyra e shkëmbinjve të thyer. Kështu, pemët dhe shkurret do të zëvendësohen nga grumbullimet e gurëve për gëlqere. Këtë e ofron kompania Shpresa-Al së cilës i janë dhënë 19 hektarë nga pylli i Krujës për ta shfrytëzuar si gurore. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në datën 31 korrik të këtij viti, me firmën e kryeministri në detyrë Sali Berisha dhe ka numrin654. Kompania që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këtë sipërfaqe është e regjistruar në QKR dhe për pronar Lush Osmanin. Heqja nga fondi pyjor i sipërfaqes në ngastrat e ekonomisë pyjore “Krastë-Krujë”, Krujë, që do të përdoren nga shoqëria “SHPRESA-AL” shpk, për shfrytëzimin e gurit gëlqeror është mbështetur në nenit 100 të Kushtetutës, i cili parashikon që Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe ky institucion merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës dhe të nenit të pikës 1 të nenit 17 të ligjit nr. 9385, datë 4.5.2005 “Për pyjet dhe shërbimin pyjor” që parashikon mënyrat për tjetërsimin e pyjeve.
Vendimi
Qeveria në ikje vendosi që një zonë në “Krastë-Krujë”me një sipërfaqe prej 19 ha, ta përdorë shoqëria “Shpresa- Al” sh.p.k., për shfrytëzimin me karrierë të gurit gëlqeror. Vendburimi i “Picragë”, që i korespodon sipërfaqes së dhënë kompanisë do të hiqet nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave kjo sipërfaqe do të regjistrohet në kadastrën minerare, në administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronësi publike. Ndërsa zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, sipas pikës 1 të këtij vendimi, bën çregjistrimin e saj nga kategoria “Tokë e zënë, pyll, djerr” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi me karrierë të gurit gëlqeror” sipas kondicioneve të projektit të parashtruar dhe planimetrisë bashkëlidhur, në përputhje me kërkesat e akteve, ligjore dhe nënligjore, në fuqi për fondin pyjor.
Pagesat
Në vendimin e Këshillit të Ministrave janë përcaktuar edhe kushtet që duhet të përmbushë kompania. Kështu shoqëria “Shpresa-Al” sh.p.k., duhet të paguajë për sipërfaqen që hiqet nga fondi pyjor tarifat e përcaktuara në ligjin për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave. Sipas këtij ligji, vlera e 19 hektarëve do të llogaritet me çmimin e tregut në atë zonë ku kryhet edhe tjetërsimi i pronës.
Ligji për tjetërsimin e pyjeve
Pjesë të fondit pyjor kombëtar, që kërkohen nga subjekte juridike ose fizike apo nga organet e qeverisjes vendore, për t’u kthyer në truall, për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit e të qendrave të banuara në zonat rurale, për ndërtimin e strukturave turistike, të qendrave të pushimit apo ato shëndetësore ose për qëllime të tjera publike, për rrugë automobilistike apo hekurudhore, për shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit, për veprimtari minerare e gjeologjike, për aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit, për qëllime të strukturave ushtarake, qendra industriale, hiqen nga fondi pyjor dhe nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve, si për pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe deri në 1 ha, me miratimin e ministrit, për pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 1 ha e deri në 100 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave, për pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë. Pronësia e fondit pyjor kombëtar Qeveria shqiptare ka hartuar një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pyjeve dhe pronësinë e tyre. Bëhet fjalë për ligjin Nr. 9385, datë 4.5.2005 për pyjet dhe shërbimin pyjor i cili parashikon edhe pronësinë pyjet.
FONDI
1. Fondi pyjor kombëtar, sipas pronësisë, ndahet ne: a) fond pyjor në pronësi publike; b) fond pyjor në pronësi private.
2. Fondi pyjor publik zotërohet e administrohet nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
3. Fondi pyjor publik ndahet në: a) pyje e toka pyjore në pronësi të shtetit; b) pyje e toka pyjore në përdorim apo në pronësi të qeverisjes vendore.
4. Fondi pyjor privat përbëhet nga: a) pyje dhe toka pyjore në pronësi private;
b) drurë dhe grupe drurësh, që ndodhen brenda kufijve të tokave në pronësi private, pyje të reja, të cilat krijohen në këto toka.
5. Kuotat e karbonit, në procesin e sekuestrimit të tij, u përkasin pronarëve, sipas pronësisë që kanë mbi fondin pyjor.
FAKTE
Shpresa-al, biznesi që kontrollon transportin e Kamzës
Kompani Shpresa-al është krijuar më 21/02/2002, me numri vendimit: 27248, në Gjykatën e Tiranës. referuar ekstraktit që ndodhet që QKR mësohet se emri i subjektit:SHPRESA, më pas me vendim të gjykatës së Tiranës datë 23.04.2003 ka vendosur të ndryshojë emrin e shoqërisë nga ''SHPRESA'' sh.p.k. në ''SHPRESA-AL'' sh.p.k. dhe të shtojë objektin e veprimtarisë. Firma me seli në Kamëz, Tiranë merrej me transport mallrash dhe pasgjerësh brenda dhe jashtë vendit, tregtim me shumicë e pakicë artikujsh të ndryshëm, industriale, ushqimore, pajisje elektroshtëpiake dhe elektronike, konfeksione, kinkaleri, materiale ndërtimi, vegla pune, fruta perime, ushqimore, produkte bujqësore, makineri dhe pajisje, vegla bujqësore, vajra lubrifikantë në mënyrë stacionare, distributor dhe ambulant. Tregtim me pakicë karburante, produkte mishi të ndryshme, sallameri si dhe import eksport i tyre, inerte të llojeve të ndryshme, materiale ndërtimi, pajisje e makineri, rrobaqepësi civile dhe ushtarake, përpunim i lëndës drusore, dru zjarri, tregti tekstile, bizhuteri, shitblerje e tyre brenda dhe jashtë vendit. Përfaqësues ligjor është Lush Osmani, lidhje e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha. Jo rastësisht kjo firmë, Shpresa-AL ka të drejtën ekskluzive të transportit urban Kamëz-Tiranë.
Sipërfaqja për shpyllëzim
Zona që do të transferohet nga pyll në zonë për nxjerrje gurësh gëlqeror është e ndarë në katër parcela. zona e parë është Krastë-Krujë në zonën kadastrale 9/a 2.4 dhe aktualisht është pyll, shkurre prodhues. Zona e dytë përfshin zërish Krastë-Krujën dhe ndodhet në zonën kadastrale 99/a 11.50. Aktualisht kjo sipërfaqe është pyll, trungishte prodhues dhe zona e tretë është sipërfaqja që përfshihet në zonën kadastrale 99/c 2.6 dhe aktualisht është djerr, nuk ka prodhues. Ndërsa parcela e fundit është Krastë-Krujë, në zonën kadastrale 100/a 2.5, aktualisht është pyll me trungishte.
Tarifat për fondin pyjor
Tarifat për pjesë të fondit pyjor publik përllogariten duke mbajtur parasysh: 1. Çmimin e tokës sipas tregut, në momentin që bëhet heqja 2. Vlerën e pyllit (i lartë, i ulët dhe shkurre, toka me bimësi pyjore dhe të zhveshura, tokat inproduktive). 3. Vlerësimin e florës e të faunës dhe të përbërësve të tjerë që i përkasin kësaj sipërfaqeje, të cilat do të përcaktohen sipas studimeve të veçanta për çdo rast konkret.
Rehabilitimi
Qeveria Shqiptare me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, i jep të drejtën shoqërisë “Shpresa-Al” sh.p.k. të pyllëzojë me fondet e veta, brenda tri viteve, sipërfaqen 19 (nëntëmbëdhjetë) ha, fond pyjor, në ngastrat e përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor. Ndërkohë, që vendin e gurores e ka përcaktuar shumë mirë, qeveria nuk jep asnjë detaj apo koordinatë ku do të jetë “pylli i ri” që do të mbjellë privati. Mënyra e pyllëzimit dhe grafiku i punimeve caktohen nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, e cila ndjek punimet deri në marrjen në dorëzim me procesverbal të sipërfaqes së pyllëzuar, sipas marrëveshjes që do të lidhet ndërmjet tyre. Sipas vendimit, me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit të sipërfaqes nga Shoqëria “Shpresa-Al” sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të riregjistrohet fond pyjor sipas mënyrës së rehabilitimit. Ky vendim do të ekzekutohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
REAGIM
Feruni: Masakër për pyjet
Ambientalisti Lavdosh Ferrunaj e konsideron si të pa pranueshëm vendimin për dhënien e 19 hektarëve pyje për gurore. “Heqja prej Qeverisë Berisha të 19 hektar pyje nga kadastra për ti kthyer në gurore, pranë Krujës tashmë të masakraruar me qindra hektar pyje të tjera të shkatërruara e pikërisht në ditët e fundit të ikjes së saj është shumë pak të thuash papërgjegjshmëri në vendimmarrje. Po të shtosh në këtë vendimmarrje dhe lejet e shumta të dhëna për import plehrash në këto ditë të fundit, krahas shitjeve të shumë pasurive të vendit, e koncesioneve robëruese bashkë me borxhet e marra e shpenzuar tej normave, çdo kush do të ishte bindës po të shprehej për ikje e lënie të "tokës së djegur". Duket se ky vendim i shërben klientit të favorizuar të Qeverisë në ikje, Fabrikës së çimentos së Anteas, për të shtuar fitimet e saj në kurriz të mjedisit Shqiptar. Varianti i kompensimit të pyllit shekullor me mbjellje kushedi se kur, kushte di se ku, e kushedi se si nuk e justifikon kurrsesi prishjen e ekosistemit dhe privimin e komunitetit aty për ta përdorur pyllin në të mirë të tij. Këtu duhet edhe një ndërhyrje ligjore, pasi kjo praktikë juridike do çoj në degradim të mëtejshëm të territorit të vendit. Jam i sigurt se komuniteti i Krujës apo i Thumanës nuk dinë gjë për këtë vendim e ata duhet të dinë se më shumë ndotje do të kenë në shtëpitë e tyre, më shumë pluhur do të thithin mushkëritë e fëmijëve të tyre”-thote Ferruni.
SHEKULLI
Add new comment