Familjarët e viktimave të 21 janarit në Kuvend, të ftuar nga PS

Postuar në 10 Shtator, 2013 16:46

Është hapur dje me një seance formale legjislatura e 19-të e Kuvendit të Shqipërisë ose e 8-të sipas numërimit të ri. Ashtusiç edhe ishte paralajmëruar, kryeministri në detyrë, Sali Berisha, si më i vjetri në moshë në atë sallë, nuk ka pranuar të drejtojë këtë seancë të parë dhe në vend të tij këtë detyrë e ka kryer deputeti i dytë më i vjetër në moshë, Namik Dokle. “Më nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjeçare, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës VIII të Kuvendit të Shqipërisë”, – u shpreh Namik Dokle, pasi më parë në sallë u këndua nga gjithë deputetët dhe të pranishmit Himni kombëtar. Më tej, në fjalën e tij përshëndetëse Dokle vuri theksin se për herë të parë në historinë e parlamentarizmit që një seancë e tillë nis pa bojkotin e opozitës. Më pas Dokle thirri tre deputetët më të rinj në moshë, që janë Olta Xhaçka, Ylli Shehu dhe Klajda Gjosha, për të zënë vend në sekretariatin e përkohshëm të Kuvendit. Në fakt, seanca e djeshme si një moment ceremonial ka qenë frekuentuar thuajse nga të gjithë të zgjedhurit, përfshi këtu kryeministrin në ikje, Sali Berisha, dhe kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, cili ulej për herë të parë si deputet në atë sallë. Berisha, si kryeministri në detyrë, ka qenë i vetmi deputet që ka ardhur i shoqëruar nga eskorta dhe që ka hyrë në sallë nga hyrja nga prapa. Ndërkohë që në sallë ai ka qenë ulur në mes të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministrit të Financave në detyrë, Ridvan Bode. Nga ana tjetër, kreu socialist ka preferuar që ta përshkojë në këmbë gjithë oborrin e Kuvendit, teksa ka qenë i shoqëruar nga një pjesë e deputetëve të tij, ndërkohë që te shkallët e Kuvendit ka dalë ta presë kryetari i Grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, afër të cilit është ulur edhe në sallë. Ka rënë në sy në sallë një numër i madh të ftuarish, të cilët kishin zënë jo vetëm lozhat anësore por edhe atë kryesore të sallës së Parlamentit. Në sallë kanë qenë të pranishëm Presidenti Nishani, pjesa dërrmuese e trupit diplomatik, krerët e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, përfaqësuesit më të lartë të klerit në vend. Por ajo që ka rënë në sy ka qenë prania në sallë edhe e familjarëve të viktimave të ngjarjes së 21 janarit, si të ftuar të Partisë Socialiste. Prania e tyre, përveçse mund të konsiderohet si një përdorim për provokim ndaj të djathtëve që po ikin nga pushteti, mund të shihet edhe nisja e mbajtjes së një premtimi që Rama u ka bërë atyre se nuk do ta harrojë çështjen e tyre, pra zbardhjen e asaj ngjarjeje dhe vrasësve të familjarëve të tyre. Gjithashtu, si simbol i ndryshimit të pushteteve, që në hyrjen kryesore të Kuvendit ka patur një mbipopullim me përfaqësues të administratës së PS, të cilët kishin marrë në dorë dhe çështjet organizative të kësaj seance. Prezenca e tyre edhe në lozhën kryesore të sallës së seancave plenare, duket se ka frikësuar jo pak pjesën e administratës së Kuvendit, e cila dje është ndjerë nën presionin e ndryshimeve që mund të bëjë kreu i ri i këtij institucioni. Gjithashtu, një simbolikë tjetër e ndryshimit të mazhorancave ishte edhe fakti se për herë të parë pas 8 vitesh, Jozefina Topalli nuk ka hyrë në Kuvend me makinë, por është detyruar që ta bëjë në këmbë distancën nga postblloku që shënon hyrjen e jashtme të Kuvendit, deri në sallë. Seanca e parë është mbyllur me zgjedhjen edhe të komisionit të Verifikimit të Mandateve, i cili do duhet që sot brenda orës 11:00 të përgatisë një raport mbi punën e kryer. Në këtë orë është lënë që të mblidhet dhe seanca e dytë, ku veç leximit të raportit pritet të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit të ri.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.