EULEX’I S’MUND T’I MBROJË DËSHMITARËT

Postuar në 02 Korrik, 2013 04:43

Misioni Europian për Sundim të Ligjit (EULEX) assesi s’po mund t’i mbajë larg rreziqeve dëshmitarët e rasteve të rënda kriminale që i ka në mbrojtje.

Rasti i fundit që jep dëshmi për këtë është shpërthimi që ndodhi nga një granatahedhëse në shtëpinë e dëshmitarit kryesor në proceset e njohura gjyqësore si “Bllaca 1 dhe 2”.

Nazim Bllacës dyshohet se iu hodh mjeti shpërthyes në çatinë e shtëpisë ku jeton me familje në fshatin Ribar të Lypjanit. Ndërsa kjo ndodhi pavarësisht faktit se Bllaca që nga 31 nëntori i 2009’ës është nën mbrojtjen fizike policore të EULEX’it.

Në atë kohë, Bllacës i ishte premtuar siguri deri në 500 metra largësi nga shtëpia e tij. Por, duket se për disa persona mbrojtja e EULEX’it nuk paraqiti problem që atij t’i cenohet siguria edhe brenda shtëpisë, pikërisht në natën e 29 qershorit të këtij viti.

Poku ishin policët e EULEX’it në orën 23:00 kur në shtëpinë e Bllacës ndodhi shpërthimi?

Kësaj pyetje nuk po i përgjigjen as vetë zyrtarët e misionit europian.

“Unë nuk mund të them asgjë tjetër për momentin”, ka thënë për Express Irina Gudeljeveic, Zëdhënëse e EUKLEX’it.

Derisa ajo nuk ka dhënë as edhe më të voglin detaj për incidentin që ndodhi në shtëpinë e Nazim Bllacës, krejt çka ajo tha për Express ishte se EULEX’i është në dijeni për incidentin.

“Krejt çka mund të them për momentin është se ne jemi në dijeni të incidentit. Meqë Policia e Kosovës është duke kryer hetimet, atëherë ju duhet të referoheni atyre për hollësi të mëtejshme”, ishte përgjigja me shkrim e Gudeljevic.

 

E, në Policinë e Kosovës refuzojnë të japin përgjigje kur fjala vjen për oficerë të EULEX’it.

Zëdhënësi i PK’së, Baki Kelani tha se mbrojtjen e Bllacës e ka përsipër EULEX dhe se PK është vetëm duke bërë hetimet lidhur me rastin e shpërthimit.

“Policia e Kosovës është duke kryer hetime intensive lidhur me këtë rast nën autorizimin e prokurorit përkatës”, tha Kelani.

Përderisa, referuar raportit 24 orësh të Policisë, rasti i shpërthimit në shtëpinë e Bllacës, zyrtarisht është cilësuar si shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, por jo si sulm.

Kjo nuk është hera e parë që EULEX dështon t’i ofrojë mbrojtje maksimale një personi kyç në procese gjyqësore që kanë të bëjnë me krime të rënda, e që bien direkt në mandatin e këtij misionit.

Dëshmitari kryesor në rastin “Kleçka”, Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X” ishte po ashtu nën mbrojtjen e EULEX’it, i cili e kishte transferuar atëpër në Gjermani në emër të mbrojtjes së tij. Por, atje Zogaj më 28 shtator të 2011’ës, kishte gjetur vdekjen, si pasojë e varjes me litarë në një pyll e të cilën thuhet se ia shkaktoi vetës.

Katër ditë pas vdekjes së këtij dëshmitari, ditari i të cilit u bë pistë e hetimeve për Fatmir Limajn dhe të tjerët në rastin “Kleçka” për krime lufte,EULEX’i ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe ngushëllime familjarëve të Zogajt.

“Siç e dini, personi ishte dëshmitar në një rast në Kosovë. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe siguria e tyre janë çështje tejet të ndjeshme, për atë ne nuk mund të konfirmojmë apo mohojmë informata që lidhen me detajet e operacioneve. Shpresojmë që kjo të respektohet nga të gjithë”, ishte deklarata e njërit nga zëdhënësit e këtij misioni në atë kohë.

Derisa prokuror të huaj kishin deklaruar për disa media kosovare se Zogaj nuk kishte mbrojtje 24 orësh ndonëse ishte në listën e dëshmitarëve mbrojtës edhe në gjermani dhe rrezikohej çdo ditë për shkak të dëshmisë që kishte dhënë në prokurorinë e EULEX’it.

Dëshmitarë po kaq i rëndësishëm sa i ndjeri Agim Zogaj konsiderohet Nazim Bllaca. Kjopër shkak të rëndësisë që ka për një proces të ardhshëm gjyqësor në të cilin dyshohet edhe deputeti Azem Syla. Bllaca vazhdon të ruhet nga Policia e EULEX’it në shtëpinë e tij në Ribar të Madh të Lypjanit për shkak të rrezikut që i kanoset nga dhënia e dëshmisë së tij.

Derisa pikërisht aty u hedh një garantë në natën e 29 qershorit të këtij viti në orën 23:00.

 

Vetë Bllaca u deklarua i gatshëm të vazhdojë rrugën të cilën ka nisur. Derisa pritet që në procesin e radhës gjyqësor të përmend edhe emra të politikanëve aktiv të përfshirë sipas tij në vepra të rënda kriminale. Si pasojë e dëshmive të Bllacës që tashmë konsiderohen të besueshme nga organet e drejtësisë kanë përfunduar dy procese gjyqësore.

Ndërsa pritet të fillojë i treti në të cilën akuzohet vetë Nazim Bllaca për shkak se në 2009’ënpati deklaruar edhe publikisht se si anëtar i SHIK’ut së bashku me disa emra të tjerë, ka vrarë Ibush Kllokoqin si dhe ka tentuar të vras Adem Salihajn, ish kryetarin e Ferizajt dhe një person tjetër me emrin Ismet Arifi.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.