Eralda Çani, këshilltare e Ramës për të drejtën publike

Eralda Çani do të jetë këshilltarja e kryeministrit Edi Rama, për të drejtën publike. Lajmi është bërë publik nëpërmjet një postimi në Facebook nga kreu i PS-së.
“Përzgjedhja më e fundit është profesorja e asociuar Eralda Çani, doktore shkencash në të drejtën publike, njohëse e spikatur e të të drejtës kushtetuese - administrative. Është mbresëlënëse eksperienca e saj shumë e pasur akademike brenda e jashtë vendit, po edhe praktika e përfshirjes aktive në jetësimin e projekteve të rëndësishme për të drejtën publike”, shprehet Rama.
“Kam bindjen e plotë se kontributi i Eralda Çanit në procesin vendimmarrës do të forcojë ndjeshëm sensin e të drejtës publike të qeverisjes sonë, dhe do të jetë një vlerë e çmuar në mozaikun e talenteve e të eksperiencave të posaçme që po ndërthurim për skuadrën e re të këshilltarëve të kryeministrit”, nënvizon kreu i mazhorancës së majtë.
Kabineti i kryeministrit do të jetë një strukturë krejt e re dhe jotradicionale në formën e në mënyrën e funksionimit. Numri i këshilltarëve do të jetë më i kufizuar se zakonisht dhe fushat e tyre të përgjegjësisë janë specifikuar me kujdes, në funksion të nevojave strategjike dhe të procesit vendimmarrës në kryeministri.
Shekulli
Add new comment