Entela Sako: Si ma ekzekutuan burrin përpara syve. E qëllova atentatorin me çadër

Postuar në 24 Janar, 2013 04:52

 

Ekzekutimi i Admirim Sakos është bërë në sytë e bashkëshortes së tij, Entelës.

Bashkëshortja e Sakos ka pohuar në polici se e ka parë të riun që qëlloi mbi burrin e saj, madje ajo e ka goditur atë edhe me çadrën e shiut. Ajo ka rrëfyer se ka qenë duke pritur Admirimin që të nxirrte makinën nga garazhi, në momentin që ka parë një djalë afro 25 vjeç, që ka qëlluar tre herë mbi Admirimin.

“Admirimi hipi në makinë dhe unë qëndrova jashtë që ta nxirrte nga aty, pasi nuk kisha nga të hipja, duke qenë se dera e pasagjerit ishte e ngjitur me murin. Sapo ai u fut në makinë dhe  e mbylli derën, një person i shëndoshë, fytyrën nuk ia pashë dot se ishte errësirë, u afrua tek xhami dhe qëlloi me armë. Në fillim mendova se mos ishte ndonjë i njohur i tij dhe iu afrua për t’i thënë ndonjë gjë, po kur dëgjova krismat, u tmerrova. Fillova të bërtas dhe të shaja personin që kisha pranë dhe e godita me çadrën që kisha në dorë. Ai nuk foli asnjë fjalë dhe më shtyu duke më përplasur tek makina dhe më pas u largua”,tregon nëna e dy fëmijëve.

Policia bën me dije se po heton në dy pista, në atë të konflikteve të mëparshme të Sakos dhe pistës tjetër, sipas të cilës 37 vjeçari është ekzekutuar për shkak të lidhjeve që ka pasur me Elton Deliun, i cili u ekzekutua bashkë me nënën e tij në vitin 2008 në banesën e tij.

“Nipi im ishte në punën e tij, nuk shqetësonte njeri. Unë nuk di ndonjë rast që nipi im të ketë pasur probleme apo konflikte me njeri. Për arsyen dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja, unë nuk di se çfarë t’u them. Këtë e di vetëm ai që vdiq. Tani që neve na iku djali, nuk kemi më kohë për asgjë tjetër”, rrëfen për GSH xhaxhai i viktimës Shyqyri, Sako.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.