Emiliano Shullazi lirohet në prag të zgjedhjeve, Gjykata e Apelit mbyll procesin…

Postuar në 17 Maj, 2013 02:21

 

Emiliano Shullazi, i njohur jo vetëm për shkak të precedentëve të tij penalë, por dhe për përfshirjen në fushata zgjedhore, pritet të dalë nga burgu pikërisht tani kur afron fushata elektorale.

Gjykata e Apelit e qytetit të Shkodrës ka pushuar çështjen në ngarkim të tij dhe në bazë të përllogaritjeve, Shullazi pritet të rifitojë lirinë.

Seanca në Gjykatën e Apelit në Shkodër ka zgjatur pak minuta, aq sa për t’u komunikuar nga kryetari i trupit gjykues pushimin e çështjes në ngarkim të Shullazit e mikut të tij, Helidon Harizaj.

Çuditërisht në gjykatë janë paraqitur avokatët mbrojtës të të pandehurve, dhe pse kishin më shumë se 7 herë që bojkotonin seancat gjyqësore.

Avokatët Sokol Mengjeli, Ardian Skenderaj dhe Blerim Bazhdari kanë kërkuar heqjen dorë nga ankimimi i bërë prej klientëve të tyre, për vendimin e dhënë nga Gjykata e rrethit të Lezhës.

Kjo ka bërë që kryetari i seancës, gjyqtari Astrit Kalaja, të vendosë pushimin e çështjes, çka do t’i sjellë lirinë dy të pandehurve.

Prej muajsh procesi në ngarkim të Emiliano Shullazit po ndiqte fatin e Dritan Dajtit.

Seancat gjyqësore në ngarkim të Shullazit dhe Harizajt nuk zhvilloheshin për shkak të mungesave të avokatëve, të cilët u zëvendësuan disa herë nga dhoma e avokatisë në Shkodër.

Emiliano Shullazi dhe Helidon Hariza u arrestuan me 29 qershor të vitit 2012.

Megjithëse policia deklaroi se me arrestimin e tyre bëri të mundur parandalimin e një vrasje, fakt është se në ngarkim të  Shullazit dhe mikut të tij u ngrit vetëm akuza për armëmbajtje pa leje, kjo për shkak se në makinën e blinduar, gjatë arrestimit në Shëngjin, Shullazit iu gjetën dy pistoleta.

Për këtë vepër penale, Gjykata e Lezhës vendosi shpalljen fajtor të Shullazit dhe Harizajt dhe dha dënimin me 2 vite heqje lirie.  Por për shkak të pranimit të veprës penale, gjykata vendosi gjykim të shkurtuar dhe në vendimin përfundimtar u vendos që Shullazi dhe miku i tij të vuanin dënimin me 1 vit e 4 muaj burg.

Por edhe ky vendim u apelua prej tyre, ku megjithëse nisi procesi gjyqësor në Shkodër, Shullazi dhe Harizaj nuk janë paraqitur asnjëherë në seancat gjyqësore, deri sa gjykata  vendosi pushim e çështjes.

Duket se kjo ka qenë dhe strategjia e përdorur nga Emiliano Shullazit për të rifituar lirinë.

Tashmë ditët e burgut të tyre përllogariten si ditë paraburgimi, çka me heqjen dorë nga apelimi i çështjes, Shullazi përfiton  menjëherë lirinë pasi dënimi i dhënë nga Gjykata e Lezhës përkon me ditët e tyre të paraburgimit, ku një ditë qëndrimi në qeli përllogaritet dy ditë burgu.

Në fakt nuk është hera e parë që Shullazi përfiton nga hapësirat ligjore apo dhe nga tërheqja e trupit gjykues. Kështu ka ndodhur edhe pas arrestimit të tij më 8 maj të vitit 2011, ditën e zgjedhjeve vendore.

Shullazi dhe 11 persona të tjerë u arrestuan në afërsi të zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet, ndërkohë që më herët ishte shoqëruar në polici se kishte tentuar të prishte një tubim të Partisë Socialiste.

Asokohe Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi masën e arrestit për Emiliano Shullazin, edhe pse gjatë arrestimit iu gjetën në makinë armë zjarri, thika dhe lëndë narkotike.

Shullazi u justifikua përballë gjykatës se nuk kishte dijeni për armët e gjetura në makinën e blinduar me të cilën udhëtonte, pasi e kishte blerë atë së fundmi në Amerikë. Ndërsa në lidhje me një pistoletë të gjetur në shtëpinë e tij, deklaroi se e mbante si suvenir dhe se e kishte blerë para 10 vitesh. Kjo bindi trupin gjykues, që në maj të vitit 2011 t’i dhurojë lirinë Emiliano Shullazit.

 

 

 

TEMA

Comments

Submitted by dona (not verified) on

Politika paska frike nga krimi?
Po populli ku duhet te besoje tani?
Shqiperia pa shqiptare me sa duket mtv do te ishte me e mire...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.