Emigrantët të mos lënë votën pa zot

Me Artjan Qiricin u takuam një të premte herët në mëngjes, kur vizitoi për herë të parë zyrën tonë në sheshin “Kanigos” në Athinë. Sapo filloi biseda, përqendrohet dhe shpalos një politikan të aftë, orator, të informuar në detaje për çdo çështje, me propozime të vlefshme e zgjidhje reale. Njeriu dhe politikani Artjan është mjaft racional me kohën, me idetë, me perspektivën, në radhë të parë të vetes së tij, e të Shqipërisë socialiste për të cilën lufton.
Cili është programi i Rilindjes për emigracionin, për të cilën po dëgjojmë kaq shumë?
Ne nuk themi se sapo të marrim pushtetin do të zgjidhen të gjitha problemet e emigracionit. Jo! Ato zgjidhen paralelisht me të gjitha degët, sepse emigracioni është vetëm një degë e pemës së madhe e organike të programit Rilindje. Le të marrim shembull aspektin ekonomik. Kemi në program lehtësira të domosdoshme për biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh, të cilat hapin horizonte dhe jo vetëm kaq, ofrojnë shanse të barabarta, në radhë të parë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe padyshim edhe për emigrantët shqiptarë jashtë atdheut. Aktualisht nuk ka shanse të barabarta në Shqipëri, prej shumë vitesh funksionon klientela, profili partiak. Premtimet e Sali Berishës në vitin 2009 “për 3 vjet do të ketë lehtësira ekonomike, nuk do ketë TVSH etj.,” u vërtetua se ishin premtime elektorale, asnjë prej tyre nuk është zbatuar.
Kuptohen kritikat, çfarë tjetër do të thoshit...?
Unë jam personalisht një nga ata të cilët i besuan këto premtime dhe transferova një pjesë të aktivitetit tim në Durrës e që muajin e parë u tatova. Fillova punë në mars, kur papritur e pakujtuar, në muajin prill më erdhi një tatim rreth 10000 lekë ( tatim fitimi ) kur isha në fazën e investimit akoma. Vetëm 3 muaj më pas erdhi kontrolli i financës, të cilët më vunë një gjobë të jashtëzakonshme, për arsye qesharake.
Në periudhën e këtij kontrolli ishe shpallur kryetar i PS dega Greqi? Nuk e di nëse unë ishte “sulm” politik, por në Shqipëri kështu funksionojnë gjërat akoma. Një emigrant duhet të paguajë kudo, tek militantët, tek kryetarët e partive... për të bërë diçka.
Do t’i ndihmoni të riatdhesuarit që s’kanë mundësi, të hapin biznes?
Ne nuk do të praktikojmë asistencë tek emigrantët. Nuk do ofrojmë tek të rikthyerit rehatin. Jo! Do kthehemi të punojmë atje. Por me një avantazh të madh. Të gjithë emigrantët të cilët kanë punuar e janë specializuar në Greqi, në profesionet e tyre, koha ka vërtetuar se janë më të përgatitur e të aftë...
Pra, Rilindje bazuar edhe në punën dhe vlerat e emigrantëve...
Është e vërtetë që ne kemi diferencë të madhe, sepse mbartim me vete eksperiencë në teknikë, jemi të stërvitur në kushte të tjera, më të përparuara. Personalisht, mund të flas për profesionin tim. Në gjithë këtë gjatësi bregdetare nuk kemi asnjë aktivitet detar, asnjë marinë apo kantier të riparimit, qoftë edhe më të lehtë apo të pjesshëm për shërbimin e rreth 300 – 350 anijeve të peshkimit që kemi, pa bërë fjalë këtu për aktivitete të tjera të mjeteve të transportit detar e sidomos ato private e turistike. I vetmi kantier detar me makineri dhe pajisje moderne që kishim trashëgim, ai i Durrësit, u prish e çdo gjë u copëtua për skrap, për të mbushur xhepat e pushtetarëve të papërgjegjshëm dhe asnjëherë kompetent e profesionist për aty ku drejtojnë...
Po të ndërpres, po do e harroj... Ke shtëpi në Shqipëri?
Asnjë centimetër katror tokë. Nuk kam shtëpi në Shqipëri, as të prindërve, madje. Për mua shtëpia është një... anije. Nuk e kam fare problem të jetoj në një “garsonierë”. Në jetën time kam jetuar të gjitha fazat e nivelet; nga shtëpi shumë të mëdha me luks apo edhe te thjeshte. Madje, e quaj vendim të gabuar investimin në një shtëpi këtu në Greqi, që bëra në vitin 1999-2000. Ato investime nëse do bëheshin në një biznes do të ishte vendim shumë më i saktë. Vetë eksperienca e jetës më ndihmoi që të formoj një mentalitet shumë ndryshe dhe e kam kaluar mesazhin edhe tek fëmijët e mi.
Deri më sot emigrantët ëndërronin një tjegull të sigurtë mbi kokë. Ndërsa ju tani thoni “jo, sepse ndryshe do të jetë më mirë”...
Ideja është që dërgesat e shqiptarëve në atdhe të mos jenë më në formën e ndihmës, por si investime. Propozimi ynë është, nëse emigranti investon p.sh rreth 20.000 euro, me një projekt të caktuar, shteti shqiptar do garantojë dhe 20.000 të tjera. Por sigurisht, këto të dhëna nëpërmjet një kredie të butë, pa interesa të larta e të dëmshme. Quhet projekti Një Plus Një ose Dy Plus Një.
Ekonomia e vendit ka mbetur pas, burimet natyrore janë keqpërdorur, milionat e eurove që janë remitancat e emigrantëve, këto vite nuk dihet ku janë sot...
Para një muaji kishim një takim me kandidaten për deputete, znj. Luiza Xhuvani. Dikush nga salla pyeti: “çfarë do bëhet investimet tona në Shqipëri dhe nëse do kemi ne, si emigrantë, kredi të buta, që të investojmë në vend?” Luiza Xhuvani menjëherë i tha se “Këtë përgjigje më mirë se kushdo mund t’a japë Dhimo Kote”. Dhimo Kote, që ndodhej atë ditë në tribunë tha se “Unë kam qenë emigrant si ju, kam punuar në Igumenicë dhe në 5 vjet kam krasitur me qindra mijëra-pemë. Aty mësova se si punohet, si bëhet biznesi. Tani është legjislacioni i tretë apo i katërt, nëse nuk gabohem, si kryetar komune i Xarrës. Zona po lulëzon, ka një organizim e rregullt për t’u patur zili, me banorë të punësuar e me një jetë normale”. Emigrantët shqiptarë në Greqi, në radhët e tyre kanë me qindra e mijëra Dhimo Kote. Ne do të evidentojmë këta njerëz...
Administrata e pajustifikueshme është çfarë po paguan sot Greqia. Cila është risia e PS-së në këtë drejtim?
Nuk duhet të jenë të përqendruar “në një dorë” edhe mandati i deputetit dhe posti ekzekutiv. Kjo është një risi që unë e përqafoj dhe e vlerësoj si shumë reale, një domosdoshmëri. Më në fund, kjo po ndodh dhe në Greqi, vite më parë në Europë. Nuk ka më partiakë apo njerëz me vite në politikë, por teknokratë dhe me eksperiencë në fushën përkatëse ekzekutive. Unë kam besim tek menaxhimi i saktë që i bën ekzekutivit vetë kryetari Edi Rama, kryeministri ynë i ardhshëm me eksperiencën e vyer në krye të Bashkisë së Tiranës.
Vetëm pak javë më parë realizuat Konventën e Parë të Emigracionit, në Tiranë. Mendoni se dëgjohet zëri i emigrantit në kryesinë e PS-së?
PS-ja ka formuar Sekretariatin e Emigracionit. Unë dhe Anastas Murati jemi anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, po kështu dhe kryetari i degës së Partisë Socialiste në Itali, domethënë se emigrantët për herë të parë janë pjesë e fuqishme e strukturës. Me marrjen e pushtetit këto komunikime do të thellohen akoma më tepër. Diçka tjetër: Me votën e emigrantëve erdhën në fuqi disa kryetarë të Bashkive të Shqipërisë të cilët e vlerësuan në praktikë elektoratin tonë (më lejo këtu të kujtoj Kristo Kaurin, një ish-emigrant që tani është drejtor i Gjelbërimit në Bashkinë e Sarandës me kryetar Stefan Çipën.)
Artjan, a ka arsye të udhëtojmë drejt Shqipërisë në 23 qershor?
Po, ka katër arsye madhore. Së pari: Nga momenti që ti nuk shkon, atëherë vota mbetet pa të zotin dhe hidhet në kuti e shpërdoruar. Shko ti dhe voto që të mos shpërdorohet vota jote, e drejta jote. Së dyti: Nëse shkojmë me dhjetëra mijëra vetë, atëherë fitorja do të ketë edhe vulën e emigracionit dhe asnjë politikan e parti nuk mund t’a anashkalojë këtë. Së katërti: Se në këto zgjedhje ne përfaqësohemi me një emigrant, shembull dhe aktivist i shquar në komunitetin tonë, drejtues ne strukturat tona të Greqisë Veriut, Artur Porpollogun, si kandidat në Qarkun e Korçës. Ne e kërkuam atë në numrat ekstrem të listës si një sfidë të cilën jemi të bindur që do ta fitojmë dhe se Arturi do jetë deputet, përfaqësuesi ynë në parlament.
Si e gjykon rrugën e gjatë të veprimtarisë tënde nga fillimi deri më 23 qershor?
Unë kalova kufirin në vitin 1991, atëherë isha inxhinier mekanik me përvojë. Kur kalova kufirin, kuptova se një njeri me xhepin bosh nuk bën dot asgjë, jo më politikë. Fillimisht, erdha të ndryshoj jetën time, ndaj dhe deri në vitin 2008 isha i përkushtuar krejtësisht në biznesin tim privat. Pastaj, rastësisht takova Edi Ramën, në një takim me emigrantët, ndër të parët politikanë që erdhi pranë nesh. Kur u ndamë, pas aktivitetit, më dërgoi një mesazh: “A.Qirici të falënderoj, njerëz si ty më japin shumë force dhe mësime”. Më vonë më kërkoi kontributin tim në P.S. Në tetor 2011 u zgjodha kryetar i degës së Greqisë dhe vazhdoj deri tani të mbështes Edi Ramën, sepse për herë të parë udhëheqja e një partie politike zbriti nga “buzukët e kazinot” pranë emigrantëve.
Bio
Artjan Qirici ka lindur në Kuçovë, ku mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin. Është diplomuar për Inxhinier Mekanik Teknolog në UT. Punoi në Uzinën mekanike të naftës dhe në atë te prodhimit te municioneve luftarake në Poliçan (1985-1990). Emigroi ne Pire, Greqi në mars 1991, ku ushtron sërish profesionin dhe qysh nga 1994 punon në biznesin e tij po në Pire “Riparim motorë anijesh e tragetesh pjesë këmbimi për detin”. Nga viti 2011 është kryetar i PS-së, dega Greqi.
SHEKULLI
Add new comment