Emërimet e krerëve të gjykatave, përplasje mes Naços dhe anëtarë të KLD. Çomo nuk merr pjesë në mbledhje

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është shoqëruar me debate mes Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe anëtarëve të KLD-së. Në replika është përfshirë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, menjëherë sapo ministri Naço iu referua një raporti të Bashkimit Europian për nivelin e korrupsionit në gjykatat shqiptare. “Sipas raportit të BE-së gjykatat janë të korruptuara. Të zbatojmë ligjin me përpikmëri. Në emër të mazhorancës kërkoj zbatimin e ligjit, s’kam prapavijë politike. Ligji thotë që duhet të jesh i vlerësuar shumë mirë në dy vlerësimet e fundit por ne kemi vetëm një vlerësim, duhet të bëhet i dytë. Nuk do të votoj për shkelje të ligjit”,- tha Naço.
Menjëherë pas tij ka reaguar presidenti Nishnai duke kërkuar të mos njollosen tërë gjyqtarët. “Gjyqtarët nuk meritojnë që të hedhim baltë pa fund dhe pa arsye. Kërkoj sensin e përgjegjshmërisë. Nuk meriton trupa jonë e gjyqësorit të hedhim baltë pa fund pa arsye. Sistemi ynë gjyqësor ka shumë probleme. Në trupën tonë ka gjyqtarë që u kanë mohuar drejtësinë qytetarëve, ka gjyqtarë që përfshihen në akte korrupsioni, në trupën tonë ka gjyqtarë që nuk kanë nevojën e duhur të profesionalitet pasi nuk kanë bërë trajnimet e duhura, por ka njerëz të ndershëm dhe kurajoz. Ne të gjithë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, politika dhe gjithë institucionet e vendit kanë një detyrim që të angazhohen në reformat që rrisin pluralizmin tek gjyqtarët, rrisin transparencën dhe japin garanci për gjyqtarët. Nuk është e drejtë dhe është jo korrekte që të njollosen të gjithë gjyqtarët e republikës”- tha Nishani.
Çomo nuk pranohet në KLD
Në mbledhjen e sotme të KLD-së duhej të ishte i pranishëm Sokol Çomo, i cili u votua dje në Kuvend. Presidenti Bujar Nishani porositi zëvendësin e tij në KLD që të njihet me aktet e Kuvendit, për verifikimin e mandatit të anëtarit më të ri Sokol Çomo.
Pak orë më vonë, Çomo bëri një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të KLD-së ku shpreh se u shkel ligji.
“Unë jam njoftuar në fakt dje nga Parlamenti i Shqipërisë që jam zgjedhur anëtar i KLD-së dhe ne baze te ligjit nga dita e djeshme ka filluar detyrimi im ligjor për të përmbushur këtë detyre kushtetuese dhe ligjore. Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte detyrimin ligjor që të ngrinte një komision verifikimi. Kam ardhur për tu vënë në dispozicion të këtij komisioni, nuk është ngritur në dijeninë time ky komision. Arsyet do duhet t’ia merrni vetë organit KLD”,- tha Çomo. I pyetur a ka marrë komunikim zyrtar Çomo u përgjigj: “Jo nuk kam marrë asnjë komunikim zyrtar dhe në këto kushte jam i detyruar të largohem”.
Shqip
Add new comment