Ekstradimi nga Greqia, shtyhet afati i dosjes ndaj Arben Frrokut

TIRANE – Drejtësia greke vonon sërish ekstradimin e biznesmenit Arben Frroku në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka vendosur shtyrjen e afatit hetimor të dosjes penale të hapur ndaj biznesmenit për akuzën e vrasjes ndaj kryekomisarit të Policisë Dritan Lamaj. Burime të Prokurorisë kanë thënë se shtyrja e afatit të hetimit për herë të tretë ka qenë e detyrueshme, pasi i dyshuari ndodhet në paraburgimin grek në pritje të ekstradimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur shtyrjen e afatit të hetimit ndaj Frrokut, pas skadimit të kohës së ligjshme të dosjes më 24 shtator, ka thënë se nuk ka ende asnjë konfirmim apo informacion për ekstradimin e Frrokut. “Dimë që Gjykata e Lartë e Athinës vendosi pro ekstradimit, dhe kjo është shkalla e fundit gjyqësore. Procedura duhet të kalojë në Ministrinë e Drejtësisë, ku nuk dimë ende çfarë vendimi është marrë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, organi i akuzës do të shtyjë afatin e hetimeve ndaj Arben Frrokut përsëri, ndonëse një gjë të tillë e bëri edhe në datën 24 korrik 2013. Biznesmeni Arben Frroku dhe i afërmi i tij Jak Jaku u arrestuan nga policia greke në Selanik më 25 shkurt 2013. Ndalimi i tyre ndodhi një natë pasi në Tiranë ishte vrarë kryekomisari i Policisë, Dritan Lamaj. Policia tha se pak minuta pas vrasjes, Arben Frroku ka folur në telefon për “një punë të mbaruar” dhe ka udhëtuar për në Greqi, ndërkohë që ka pasur konflikte të ashpra me zyrtarin e vrarë të Policisë. Pas arrestimit Frroku i mohoi akuzat, ndërsa gjykata greke dha leje për ekstradimin e tij në Shqipëri. Prokuroria shqiptare nuk i mbyll dot hetimet pa marrë në pyetje biznesmenin e dyshuar, i cili mbahet në paraburgimin grek në pritje të vendimmarrjes politike të Ministrisë greke të Drejtësisë. Në shtyrjen e fundit të afatit hetimor, në korrik 2013, avokati i biznesmenit paditi në Gjykatë vendimin e Prokurorisë. Ai kërkoi mospranimin e vendimit të Prokurorisë dhe nxjerrjen jashtë afatit hetimor të veprimeve të kryera pas datës 24 korrik 2013. Ndërkaq, në pamundësi për ta marrë në pyetje e për t’i njoftuar akuzën dhe provat e saj, Prokuroria është detyruar të shtyjë edhe me dy muaj të tjerë hetimet për Arben Frrokun në pritje të ekstradimit nga Greqia. tr.so
Panorama
Add new comment