Eksplozivi në makinën e Dervishit ishte ndërtuar në mënyrë amatore

Zbulohet pronari i kartës së celularit që ishte lidhur me materialin shpërthyes që u gjet në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Mësohet se numri i përket një qytetari nga Vlora, i cili i ka shpjeguar policisë se numrin telefonik në fjalë e ka regjistruar në emër të tij më se një vit më parë. Gazeta “Panorama”, e cila u referohet burimeve të saj pranë prokurorisë shkruan se personi në fjalë nuk ka lidhje me vendosjen e eksplozivit pluhur në makinën e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. Sipas të dhënave nga hetimi, mësohet se numri ishte blerë kohë më parë, por nuk përdorej nga pronari i tij prej më se një viti, edhe pse ishte ende në emër të tij.
Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë edhe një tjetër element të ri. Mekanizmi plasës i vendosur në automjetin e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi ka pasur një anomali. Prokuroria ka ngushtuar rrethin e vendeve të dyshimta për montimin e bombës nën makinë, duke ngritur dyshime se vendosja e saj është bërë te pallati ku banon Besnik Dervishi në Vlorë, teksa makina ka qenë e parkuar aty. Nga ana tjetër, është saktësuar se telefoni “Samsung” ka marrë dy SMS që janë gjetur të pahapura, edhe pse nuk dihet nëse mesazhet janë dërguar para apo pas vendosjes së celularit nën makinë bashkë me bombën me dy detonatorë.
Dyshimet janë se numri nuk është përdorur prej kohësh dhe pasi është vënë në përdorim së fundi, sapo telefoni ka hyrë në rrjet, kanë mbërritur edhe mesazhet. Bëhet fjalë për dy SMS të zakonshme të dërguara në seri nga vetë kompania për ofertat promocionale të saj me të cilat njoftohen periodikisht klientët sa herë që ka oferta. Megjithëse kanë mbërritur mesazhet, telefoni nuk ka bërë aktivizimin e bombës me 200 gramë eksploziv. Sipas verifikimeve, dyshimi i parë është se lënda plasëse nuk është aktivizuar, pasi ndërtimi i saj ka qenë amator.
Dita
Add new comment