Eksperti i Komisionit të Venecias: Zgjedhjet s'mund të organizohen me KQZ të cunguar

Komisioni i Venecias ka paralajmëruar dështim të vendimmarrjeve të KQZ konkretisht për aktet normative që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 5 votash. Duke marrë si shembull projektin pilot të Tiranës për identifikimin e votuesve konsulenti zgjedhor Konrad Olszewski cili ndodhet në Shqipëri për më shumë se dy muaj tha se, miratimi i akteve normative që kërkojnë shumicën e cilësuar prej 5 votash sjell domosdoshmërinë për plotësimin e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është delikate pasi po funksionon me 4 anëtarë kur duhet të jenë 7. Vendimet nuk po diskutohen në format të atille siç janë parashikuar në Kodin Zgjedhor. Në aspektin ligjor ne do të shohim nëse 4 anëtarët e KQZ do të jenë të zotë të vazhdojnë zgjedhjet në bazë të ligjit dhe rregullave. Pasi ligji i përcakton qartë detajet si duhet të funksionojë KQZ dhe si duhet të merren vendimet. Po marr një shembull, akti normativ i projektit pilot të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve në qarkun e Tiranës kërkon minimalisht 5 vota. Me këtë kompozim KQZ s’mund ta marrë këtë vendim pasi janë vetëm 4 anëtarë”, tha Olszewski në një prononcim për TV A1 Report.
Duke e pare politikisht konsulenti zgjedhor i Komisionit te Venecias thotë se do të shikohet sa transparent do jenë 4 anëtarët e KQZ në zbatimin e ligjit pasi sipas tij do të kontribuonte në një rezultat të mirë politik. Gjatë kësaj kohe KQZ ka marrë një sërë vendimesh, së fundmi atë të sistemit elektronik të numërimit të fletëve të votimit si dhe miratimi i listës së partive që do marrin pjesë në zgjedhje.
SHEKULLI
Add new comment