Ekrem Spahiu: “Do ndalojmë martesat gay dhe abortet”. LGBT: “Je një Don Kishot mesjetar”

Shoqatat në mbrojtje të komunitetit LGBT në Shqipëri kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, që ka deklaruar se partia e tij do luftojë në parlament për të ndaluar ligjërimin e martesave brenda së njëjtës gjini dhe aborteve.
Ata i kanë konsideruar këto deklarata mesjetare dhe për synime elektorale.
“Tashmë është shndërruar thuajse në një argëtim për ne çdo dalje publike e z.Spahiu në lidhje me çështje që as nuk i kupton dot. Beteja e tij me çështje të tilla ngjan, për fat të keq, si beteja me mullinjtë e erës. Është evidente se partia mesjetare me një Don Kishot të përkryer si zoti Spahiu, duke mos pasur asnjë ide konkrete si të zhvillojë vendin, përpiqet të fitojë simpatinë dhe mbështetjen e shumicës, duke sakrifikuar të drejtat e pakicës, por me mendimet e veta nuk arrin të shkojë as deri në Burgajet, ku me siguri ka qytetarë të kulturuar, që i kuptojnë çështjet më mirë se Ekremi. E jo më t’u kërkojë vota shqiptarëve që duan të integrohen në BE”, theksohet në deklaratën e përbashkët të dy shoqatave “Aleanca LGBT dhe “Pro LGBT”.
Ato i kanë kujtuar Spahiut se deklaratat e tij bien ndesh me të drejtat e njeriut dhe se vende të rëndësishme po marrin nisma në mbrojtje të këtij komuniteti dhe se ai nuk është më burrë se personalitetet dhe drejtuesit e shteteve më të rëndësishme botërore. Po kështu, ato kanë theksuar se e drejta për abort është e drejtë e çdo gruaje.
“Kjo është një arritje për lëvizjen e gruas në Shqipëri. Mekanizmat e mbajtjes së shtypur të gruas në shoqëri si ajo që ëndërron Ekremi janë të sofistikuara, por të gjitha mbështeten në një gjë: t’i mohojnë gruas çdo të drejtë për të pasur kontroll mbi trupin e saj dhe mbi të gjitha për t’i shkatërruar vullnetin e vet të lirë”, citohet reagimi i shoqatave në gazetën Shqip.
Spahiu ka deklaruar para elektoratit të tij në Kukës, se partia e tij do të qëndrojë si garante e mosligjërimit të martesave brenda së njëjtës gjini në parlamentin e ardhshëm në vend. Gjithashtu, ai ka theksuar se do t’i kërkojë koalicionit të djathtë ndalimin me ligj të abortit.
TEMA
Add new comment