Ekrem Spahia: Do mbyllim para zgjedhjeve shitjen e pronave të ushtrisë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se synon t’i mbyllë para zgjedhjeve të 23 qershorit shitjen e pronave të ushtrisë dhe municioneve.
Ndonëse Imami ka qenë në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive me pronat, nga rreth një mijë të tilla që ka pasur ushtria, tashmë janë mbyllur dosjet e shitjeve për më shumë se 800 prona. Në analizën e Forcave të Armatosura, zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, ka deklaruar se në gjashtëmujorin e vitit 2013 do të nxirren në shitje të gjitha pronat që disponon ky dikaster. Ai ka deklaruar se do të ketë një valë shitjesh të fishekëve pasi nuk demontohen në Shqipëri.
Ndërkohë në fjalën e tij ministri Arben Imami ka pohuar se asgjësimi i municioneve dhe pastrimi i lëndëve të tepërta ka ecur me ritme të shpejta.
“Deri në vitin 2012 ka pasur depo armësh brenda qendrave të banuara të mbajtura keq, me rrezikshmëri të lartë, po falë guximit, heroizmit dhe profesionalizmit të ushtarakëve tanë, u bë i mundur pastrimi i tyre pjesë- pjesë dhe ne do ta përfundojmë këtë proces brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, me përjashtim të programit specifik të fishekëve 7.62mm”, citohet ministri Imami në gazetën Shqip.
Përveç ushtrisë edhe dikastere të tjera tashmë kanë vënë në shitje pjesën më të madhe të aseteve duke e zhveshur shtetin thuajse nga të gjitha pronat.
TEMA
Add new comment