Egjipt, ish-presidenti Mubarak lirohet sot nga burgu

Ish-presidenti autokrat egjiptian, Hosni Mubarak, sot është një njeri i lirë, pas vendimit të Gjykatës në Kajro për ta liruar atë me garanci për një rast korrupsioni. Raportimet nga Kajro sugjerojnë se ai do të lirohet të enjten dhe prokurorët nuk mund ta apelojnë vendimin. Ish-presidenti 85- vjeçar përballet ende me akuzën për bashkëpunim në vrasje, gjatë protestave që e rrëzuan atë nga pushteti në vitin 2011. Ai është në pritje të apelit për këtë akuzë, pasi në gjykimin e parë u dënua me burgim të përjetshëm. Dje, gjykata urdhëroi lirimin e Mubarakut, sipas avokatit të tij, Fareed El-Deeb, i cili tha për “Reuters” se Mubarak mund të dalë sot nga burgu. Vendimi u mor në një kohë kur qeveria e përkohshme në Egjipt (e cila shtypi me dhunë protestat e mbështetësve të Vëllazërisë Myslimane në javën më të përgjakshme në këtë vend) u dënua nga Europa me pezullimin e furnizimit me armë apo çdo pajisje tjetër që mund të shërbejë për shtypjen e protestave me dhunë, por ndihma ekonomike do të vazhdojë.
PANORAMA
Add new comment