Edi Rama premton: Do themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor

Në kuadër të javës së shëndetësisë kryesocialisti ka vizituar Qendrën Shëndetësore të komunës Ndroq në rrethin e Tiranës, ku është takuar me mjekë e ndihmës mjekë që shërbejnë aty si dhe me banorë të kësaj komune. Ata e kanë informuar për degradimin e kësaj qendre, e cila pas vitit 2006 ka humbur shumë nga funksionet e saj.
Mjeku i qendrës shëndetësore, Lekë Hysenaj e ka njohur kreun e PS me problemet më shqetësuese. Ai rendit të parën mungesën e një autoambulance, çka i detyron banorët që për rastet urgjente të marrin taksi për të shkuar në spitalet e Tiranës. Mungesa e laboratorit mjekësor, i cili ka qenë funksional, por është mbyllur përpara disa vitesh dhe menjëherë pas mbylljes është hapur një laborator privat. Po në të njëjtën mënyrë është mbyllur pa ndonjë arsye të qartë edhe funksioni i qendrës si maternitet.
“Deri në vitin 2006 e kemi pasur, ka qenë një ndër qendrat shëndetësore më të mira. Qendra ka qenë e mirëpajisur me të gjithë elementët e ndihmës së shpejtë përfshi dhe transportin. Në vitin 2006 na është hequr ambulanca. Si ju përgjigjemi ne tani atyre rasteve që janë, me aksidente? Me taksi, me rrugë private dhe kaq,” thotë mjeku Hysenaj.
Rrëfimi i tij vazhdon me një vendim absurd për zhbërjen e laboratorit të qendrës shëndetësore, por edhe me mungesën e maternitetit çka ka sjellë që çdo shërbim i domosdoshëm, që vetëm pak vite më parë kryhej në këtë qendër, të përcillet për në Spitalet e Tiranës: “Prej rreth 40 vjetësh kemi patur laborator. Prej 2008 me një urdhër, që unë mendoj absurd, laboratori u hoq. Pas 6 muajsh u zëvendësua pastaj me një laborator privat. Ndroqi ka pasur një traditë prej 60 vjetësh maternitet, po në vitin 2008 materniteti është hequr”.
Një tjetër shqetësim i shtruar nga mjeku i qendrës është dhe ai i vështirësive të banorëve për përballimin e shërbimit shëndetësor, për shkak të papunësisë dhe mosqenies të siguruar. Sipas tij në këtë komunë janë rreth 3500 banorë të pasiguruar që duhet të paguajnë për të pasur shërbimin shëndetësor.
Por edhe banorët që ndodheshin në qendrën shëndetësore i kanë treguar Edi Ramës se shkurtimet e bëra që nga viti 2006 kanë qenë të pajustifikuara dhe u kanë shkaktuar mjaft probleme atyre. Tani u duhet të paguajnë për të shkuar e për të marrë shërbimin në spitalet e Tiranës. Banorët e gjendur në qendrën shëndetësore tregojnë njëri pas tjetrit vështirësitë që kanë.
Një prej të moshuarve tregon se sa pagoi vetëm për ambulancën pa llogaritur shpenzime të tjera kur djali i tij pësoi një aksident. Ai tregon se si për të dhe familjen e tij ambulanca ishte sikur të merrje një taksi, shërbim privat, dhe jo një shërbim shëndetësor: “Para dy muajsh u aksidentua djali. Ka ndejtur tre orë se s’kishin mjet për ta çuar, as barelë. E kemi marrë pastaj me batanije, e kemi çuar me makinat tona në Spitalin Ushtarak. Atje pastaj e morëm e çuam tek Spitali Nr. 5, atje pastaj kemi marrë ambulancën e kemi paguar 25 mijë lekë, sepse nuk vinin me e çu. Po të kishte qenë ambulanca këtu për shembull mund t’i thoshe doktorit hajde ta çojmë në filan vend. E nxorëm nga spitali e prapë kam paguar ambulancën e spitalit që e sollëm në shpi.”
Një burrë i thyer nga halli i fëmijës së sëmurë dhe me lot në sy për pamundësinë e tij i tregon Edi Ramës: “Vetëm analizat e këtij muaji kanë shkuar 140 mijë lekë. Unë pa punë, gruaja pa punë, dy fëmijë kam, pa tokë jam, ku do t’i gjej? Vetëm një gjilpërë e kam marrë 1200 euro. Jam deri në fyt me borxhe. Ai që është me kemp i përfiton që të gjitha falas, ai është i bllokuar, tani pyeta doktorin tha nuk i rimbursohen. Është me kemp ka të drejtë që t’i marri që të gjitha. S’ka rimbursim. Një qese gjak 250 gram, e kam ble 50 mijë lekë. Gjaku thuhet jepet, dhurohet, por unë e blej”.
Nga ana e tij kreu i Partisë Socialiste ka theksuar vendosmërinë e kësaj force politike për të ndryshuar në mënyrën më të thellë realitetin në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama po ashtu, duke marrë si shembull degradimin e Qendrës Shëndetësore të Ndroqit ka nënvizuar faktin se megjithëse fondet që jepen për shëndetësinë janë po ato që kanë qenë, numri i shërbimeve dhe cilësia e tyre është ulur, për shkak të abuzivizmit dhe korrupsionit me paratë e taksapaguesve: “Kishit laborator, kishit ambulanca, kishit maternitet, kishit shërbim 24 orë. Pse u rrënuan këto? Se nuk është se u ulën paratë, paratë të paktën nga kjo pikëpamje janë po ato. Nuk janë rritur, por janë po ato. Por, sepse u kanalizuan për korrupsion dhe për grabitje.”
Për Edi Ramën duhet të ndryshojë skema e shërbimit shëndetësor tërësisht dhe ky shërbim do të blihet nga shteti: “Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Ajo që ndodh sot është që në 100 lekë shpenzime për shëndetësinë në një vit, vetëm 7 lekë përballohen nga kontributet e njerëzve. 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe gjithë pjesa tjetër nga xhepi i njerëzve të papunë. Kjo është e tmerrshme! Pra, 60 % e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri përballohen nga xhepi, nga borxhet, nga shitjet e pasurive, nga sakrificat e familjeve që nuk sigurohen dot se janë të papuna. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë.”
TEMA
Add new comment