Edi Rama: Po reflektoj mbi propozimet për të kandiduar jashtë Qarkut të Tiranës

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Për LSI - Në sisteme të ndryshme, brenda mekanizmash të ndryshëm, të njëjtët persona sillen ndryshe. Ne kemi firmosur një kartë parimesh me LSI-në dhe në atë kartë parimesh mund të lexohet pa mund të madh se ka një vullnet për të tejkaluar të shkuarën, edhe në kuptimin e tejkalimit të mekanizmave tanimë të ndryshkur të qeverisjes
Për FRD - Unë besoj se ne nuk do të na duhen numrat e FRD-së, ashtu sikundër besoj që FRD-ja është një projekt, që me gjithë faktin që përbën një forcë me të cilën ne nuk përputhemi, mbetet fakt që është një projekt i guximshëm dhe serioz brenda të djathtës, për të rindërtuar nga themelet Partinë Demokratike
Për AK - Aleanca Kuqezi është absolutisht kundër interesave të opozitës, është kundër interesave të popullit që kërkon rotacionin, është kundër interesave të vendit tonë në një moment si ky, kur e gjithë opozita duhet të ishte në një front dhe kur arsyet pse AK nuk është në këtë front janë sa qesharake, aq edhe të shëmtuara
KQZ - Ne nuk mundet dot të ftojmë të tjerë protagonistë të shoqërisë civile, të botës së mendimit juridik, që të shkojnë dhe të plotësojnë vendet e mbetura bosh në një teatër që është një farsë
Intervistoi
Kamber Velaj
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Kam pasur shumë kërkesa nga bashkëpunëtorë, nga kolegë, nga miq, nga grupe të ndryshme brenda PS apo edhe mbështetës që më kanë nxitur të mendoj kandidimin në qarqe të ndryshme. Jam duke reflektuar për këtë
Po përpiqemi të negociojmë me ndonjë potencial tjetër të shoqërisë civile, për ta përfshirë në skuadrën tonë kombëtare, por bëhet fjalë për lëvizje minimale, ndërkohë që po i japim më shumë vëmendje edhe pjesës së ashtuquajtur jofituese të listës
“FRD, lëvizje serioze dhe e guximshme, por nuk përputhemi”
Edhe pse po shkon në zgjedhje me një KQZ të gjysmuar, me lista të bëra lëmsh dhe me sigurinë se pushteti do të përdorë çdo mjet për të deformuar rezultatin, Edi Rama duket tërësisht i bindur në fitoren e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” që drejton. Ai thotë se tashmë është thuajse e përfunduar zgjedhja e kandidatëve të “pjesës së sipërme” të listave për çdo qark dhe po punohet për përcaktimin e pjesës tjetër (jofituese), pasi të gjithë do të kenë rolin e tyre në qeverisjen e vendit pas 23 qershorit. Rama pranon se është duke reflektuar mbi mundësinë për të mos kryesuar listën e kandidatëve për Qarkun e Tiranës, por të një qarku tjetër, që mund të jetë Durrësi ose Vlora. Në intervistën e dhënë për gazetën “Shqip”, ai shpjegon projektin e tij për qeverisjen e ardhshme, për luftën kundër korrupsionit, rikthimin e besimit të drejtësia dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
Zoti Rama, jemi 53 ditë përpara zgjedhjeve dhe kemi ende një KQZ të gjysmuar, lista votuesish plot probleme. Është një situatë e paprecedent edhe për zgjedhjet përherë problematike shqiptrare. Mund të na thoni ju, çfarë po ndodh me zgjedhjet?
KQZ-ja është tërësisht e kapur. Funksionon si një organizatë partie, madje si organizatë fanatikësh partiakë. Nuk mund të pritet nga kjo KQZ asgjë dhe sigurisht, shumëçka negative s’do ishte surprizë, përkundrazi.
Por nga ana tjetër, kemi pasur tri dorëheqje dramatike të tre njerëzve që kanë marrë mandatin nga Kuvendi për të përfaqësuar jo partitë, por interesat e publikut shqiptar, në një institucion që sipas kodit, është i pavarur. Ne nuk mundet dot të ftojmë të tjerë protagonistë të shoqërisë civile, të botës së mendimit juridik, që të shkojnë dhe të plotësojnë vendet e mbetura bosh në një teatër që është një farsë. Sigurisht që ne nuk kërkojmë as që KQZ-ja të kthehet aty ku ishte, pra të rikthehet anëtari i hequr me dhunë, sepse jemi të gatshëm, që të bëjmë një kompromis, mbi bazën e bonsensit. Që do të thotë, që KQZ-ja duhet të kthehet në kornizën e ligjshmërisë, nga ku ka dalë plotësisht dhe duhet të funksionojë me disa garanci që palët do të ishte mirë t’i negocionin.
Por nuk ka kohë dhe PD nuk po tregon se do të tërhiqet.
Po, është e qartë që Saliu ka zgjedhur rrugën e forcës. Nuk është hera e parë, është një tjetër shprehje e radhës e degjenerimit të këtij pushteti në shëmbëlltyrë të forcës. Le ta mbajnë! Le ta mbajnë ashtu siç e kanë dhe le t’i bëjnë llogaritë me pasojat që do të kishte çdo kuturisje e KQZ-së për të prekur rezultatin e zgjedhjeve.
Çfarë pasojash?
Duhet ta harrojnë që rezultati i zgjedhjeve mund të preket, siç u prek në 8 majin e Tiranës. Jo vetëm, sepse këtë herë zgjedhjet do të jenë qartësisht në favor të Aleancës për Shqipërinë Europiane, por edhe sepse tanimë KQZ-ja, kjo organizatë partie, është e vetme përballë popullit sovran.
Ju prezantuat sot dy kandidatë të tjerë për deputetë, Musa Ulqinin dhe Mimoza Hafizin. Një ish-deputet që rikthehet dhe një kandidaturë që vjen rishtas në garë. A do të ketë të tjera rikthime apo prurje në listat e PS-së, apo grupi është tashmë i përcaktuar?
Përgjithësisht, grupi është ky që është. Po përpiqemi të negociojmë me ndonjë potencial tjetër të shoqërisë civile, për ta përfshirë në skuadrën tonë kombëtare, por bëhet fjalë për lëvizje minimale, ndërkohë që po i japim më shumë vëmendje edhe pjesës së ashtuquajtur jofituese të listës. Jo vetëm sepse në kushtet kur ne kemi vendosur të ndajmë mandatet, numri i njerëzve që do të përfshihen në këtë skuadër dhe që pastaj do të ndajnë përgjegjësitë mes ekzekutivit dhe legjislativit është më i madh se vendet në Parlament që ne do të fitojmë, por edhe sepse ne duam që çdo emër të jetë bartës i frymës së ndryshimit dhe i përgjegjësisë për të mirëqeverisur pas fitores së 23 qershorit.
Flitet që ju personalisht mund të mos kandidoni në Tiranë, por mund të jeni në listën e Vlorës apo Durrësit. A është kështu?
Nuk është vendosur akoma. Ka shumë arsye për të reflektuar mbi pozicionin tim, por vetëm një arsye në botë nuk ekziston – ajo e mospranisë në Tiranë për çfarëdo shkaku qoftë. Sepse këtu nuk jemi në sistemin mazhoritar, jemi në një sistem, ku pjesa dërrmuese e atyre që janë në pjesën e sipërme të listave janë deputetë automatikisht, kështu që kjo është një broçkull pa lidhje.
Ndërkohë që unë kam pasur, me thënë të drejtën, shumë kërkesa nga bashkëpunëtorë, nga kolegë, nga miq, nga grupe të ndryshme brenda PS apo edhe mbështetës që më kanë nxitur të mendoj kandidimin në qarqe të ndryshme. Jam duke reflektuar për këtë gjë.
Mund të jetë një arsye përballja me Berishën. Pra nëse ai ikën nga Tirana dhe kandidon gjetkë, ju i viheni përballë?
Është një spekulim, sepse këtu nuk ka përballje. Nuk ka përballje të kësaj natyre. Përballja mes dy partive dhe mes dy liderëve është përballja kombëtare dhe nuk ka lidhje me një përballje personale, sepse ne nuk jemi në një sistem mazhoritar. Aq më tepër pastaj që u bë nja një vit të paktën, që Saliu na gjëmon mbrapa çdo ditë dhe bën opozitën e opozitës intensivisht. Kështu që s’bëhet llaf që ne të shkojmë pas tij. Përballja jonë ka dy nivele; njëri është ai i përballjes përgjatë zgjedhjeve, me debat. Dhe unë përsëri do ta ftoja Kryeministrin në ikje që të mos i shmanget debatit. Dhe tjetra është përballja në kutitë e votimit, ku njerëzit do të votojnë për partitë dhe liderët.
Ka pasur probleme të dukshme në bashkëqeverisjen e Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ju si opozitë e keni përcaktuar këtë bashkëqeverisje si të ndarë në çifligje, ku njëra palë nuk interesohej se çfarë bëhej në çifligjet e palës tjetër. Nesër, nëse koalicioni juaj fiton zgjedhjet, do të kemi të njëjtën LSI, pra me të njëjtët njerëz, si pjesë e qeverisjes. A keni ju një mekanizëm, një taktikë qeverisjeje, që do ta bëjë të pamundur përsëritjen e qeverisjes me çifligje të ndara?
Sigurisht që janë të njëjtët persona. Edhe ne jemi të njëjtët persona. Edhe shqiptarët janë të njëjtët persona që ishin edhe në kohën e regjimit komunist. Por, në sisteme të ndryshme, brenda mekanizmash të ndryshëm, të njëjtët persona sillen ndryshe. Ne kemi firmosur një kartë parimesh me LSI-në dhe në atë kartë parimesh mund të lexohet pa mund të madh se ka një vullnet për të tejkaluar të shkuarën, jo vetëm në kuptimin e tejkalimit të problemeve që kemi pasur me njëri-tjetrin, por edhe në kuptimin e tejkalimit të mekanizmave tanimë të ndryshkur të qeverisjes. Jam besimplotë se do të mund të krijojmë mekanizma të rinj dhe do të mund t’i japim Shqipërisë një qeveri dhe qeverisje cilësisht të re dhe cilësisht të ndryshme nga ajo që ka pasur në këta tetë vjet.
Por njerëzit do të thonë që edhe z.Berisha premton të njëjtën gjë, një qeverisje të mirë…
Ndryshimi mes nesh dhe Saliut është pikërisht se Saliu mund të thotë, por njerëzit kanë parasysh atë që ka bërë në tetë vjet. Ndërkohë që nuk kanë para syve atë që ne kemi bërë në kuptimin e qeverisjes, sepse ne nuk kemi qenë në qeveri. Kështu që, nëse për opozitën, fjala dhe zotimet janë ato me të cilat matet, për qeverinë janë faktet dhe veprat. Prova e vetme e plotë dhe e pakontestueshme e vërtetësisë së fjalëve dhe zotimeve tona, pa dyshim që do të jetë qeverisja.
Zoti Rama, aleati juaj, Meta, është shprehur kundër taksës progresive, që qëndron në themel të programit tuaj për ekonominë. E keni zgjidhur këtë mosmarrëveshje?
Nuk kemi pasur asnjë lloj mosmarrëveshjeje në sensin e parimeve mbi të cilat pastaj do të ngremë dhe të gjithë mekanizmat dhe piketat e rrugëtimit të katër viteve, edhe në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë. Ne vetë kemi një plan shumë të qartë dhe nuk kemi hasur asnjë kundërshti lidhur me taksimin e ndershëm mbi të ardhurat personale. Vetë ne e kemi përcaktuar si tatim mbi të ardhurat e kompanive një sistem taksimi të ndershëm me dy nivele. Pra bazuar mbi vlerën e progresivitetit, duke ndarë biznesin e vogël nga biznesi i madh, por jo duke aplikuar taksën progresive klasike. Ky qëndrim është shprehur nga ana jonë në tryezën përmbyllëse të konsultave me biznesin dhe e kemi shprehur si vetëdije të nevojës për të harmonizuar vlerën e progresivitetit me domosdoshmërinë për të mos rënduar biznesin.
Le të kalojmë nga aleatët, tek ata që mbetën jashtë aleancës. Kreshnik Spahiu kishte vendosur edhe foton tuaj në sfondin e protestës së tij sot…
Kreshnik Spahiu tani është plotësisht në rolin që ka marrë përsipër. Fatkeqësisht, të gjithë patëm iluzionin se ishte një forcë, e cila ishte krijuar për të luftuar regjimin. Ndërkohë që nga negociatat që kemi bërë, jemi ndier vërtet shumë keq përballë kërkesash sa qesharake aq edhe provokative që na dhanë idenë se s’ishim në kushtet kur po negocionim me një opozitë, por ishim në kushtet kur po negocionim më kot me një forcë që kishte një axhendë tjetër. Aleanca Kuqezi është absolutisht kundër interesave të opozitës, është kundër interesave të popullit që kërkon rotacionin, është kundër interesave të vendit tonë në një moment si ky, kur e gjithë opozita duhet të ishte në një front dhe kur arsyet pse AK nuk është në këtë front janë sa qesharake, aq edhe të shëmtuara.
Ka një tjetër aktor të rëndësishëm në fushë. Është FRD e Bamir Topit. Një parti që për shkak të vokacionit të qartë të djathtë nuk mund të ishte në koalicionin tuaj, por që mbetet opozitare me pushtetin. A do ta ftonit Bamir Topin në bashkëqeverisje, nëse mandatet e partisë së tij do t’ju duheshin për të pasur mazhorancë të fortë?
Për mua, FRD mund të ishte në koalicion me ne, nëse nuk do të kishte qëndruar e ngurtë në pozicionin e vet. Por ama nga ana tjetër, është absolutisht e qartë që FRD nuk bën lojën e regjimit, por është Partia Demokratike pa Saliun. Pra FRD është shumë më e tërhequr nga projekti i shpëtimit të Partisë Demokratike dhe rilindjes së saj në opozitë, se sa nga një projekt më i gjerë dhe më i madh, siç është projekti i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
A do ta ftonit Bamir Topin në qeverisje?
Unë besoj se ne nuk do të na duhen numrat e FRD-së, ashtu sikundër besoj që FRD-ja është një projekt, që me gjithë faktin që përbën një forcë me të cilën ne nuk përputhemi, mbetet fakt që është një projekt i guximshëm dhe serioz brenda të djathtës, për të rindërtuar nga themelet Partinë Demokratike. Se sa do t’ia dalin, kjo është çështja e tyre, s’është çështja jonë. Por besoj që 23 qershori është një shans i madh edhe për rilindjen e Partisë Demokratike, duke e çuar atë në opozitë dhe çdo demokrat që kërkon të shohë Partinë Demokratike të rilindur duhet të japë kontributin që ta çojë atë në opozitë, duke votuar për Aleancën për Shqipërinë Europiane.
Drejtësia perceptohet nga shqiptarët si pushteti më i korruptuar. Edhe vetë mazhoranca e sotme, përfshirë Presidentin e Republikës, e pranojnë se sistemi vuan nga korrupsioni. Por në muajt e fundit, kjo mazhorancë, ky President, kanë ricikluar të njëjtët njerëz në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, duke i kaluar nga njëri post në tjetrin, apo kanë emëruar njerëz të besuar të tyre në këto dy struktura, duke u dhënë mandate 9-vjeçare, që nuk mund të tjetërsohen nga një mazhorancë e thjeshtë. Si e mendoni se do ta nxirrni ju drejtësinë nga kjo gjendje, nëse vini në pushtet?
Le t’i marrim gjërat hap pas hapi. Së pari, le të krijojmë kushtet që Shqipëria të qeveriset me drejtësi. Nga qeverisja me drejtësi buron pastaj edhe energjia për të reformuar vetë sistemin e drejtësisë. Nuk mund të ketë një sistem drejtësie të drejtë, në një vend ku qeveria çdo ditë bën padrejtësi të qëllimshme për përfitime vetjake, në kurriz të popullit. Nuk mund të ketë trajtim të drejtë të qytetarëve, në asnjë nivel të qeverisjes, aq më pak në gjykata, kur në nivelin më të lartë, që është vetë qeveria, vendi dhe populli trajtohen në mënyrë të padrejtë qëllimisht. Kështu që le ta nisim nga kjo dhe pastaj, hap pas hapi të shohim përpara, duke çmontuar gjithë sistemin e korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë. Dhe të jeni të sigurt, që mekanizmat ekzistojnë, bota ka shkuar shumë përpara dhe na ka lënë pas mësime të çmuara, praktika të suksesshme, eksperienca shumë të vlefshme, që nuk ka arsye pse të mos aplikohen për Shqipërinë.
Lufta kundër korrupsionit është një nga premtimet tuaja kryesore. Por vetëm qeveria nuk është e mjaftueshme për ta bërë këtë, duhet mbi të gjitha mbështetja e prokurorisë. A e shikoni prokurorinë e drejtuar tashmë nga zoti Llalla si një aleate ku mund të mbështeteni për të luftuar korrupsionin?
Për mua, lufta kundër korrupsionit është lufta për të modernizuar shtetin. Korrupsioni është alternativa e shtetit, aty ku arrin të funksionojë më shpejt dhe më me efikasitet sesa shteti, duke goditur interesat e publikut, por duke përmbushur interesa të pjesshme. Për çfarë arsyesh njerëzit duhet të paguajnë për të marrë një shërbim? Sepse shërbimi që marrin nga shteti është i avashtë, i pakontrolluar, është i errët, jotransparent, dhe në fund të çon te korrupsioni. Në qoftë se ne modernizojmë mekanizmat, në qoftë se ne e bëjmë shtetin një makineri që funksionon me një shkallë të lartë objektiviteti dhe një shkallë të ulët subjektiviteti, atëherë vetvetiu ne e ulim korrupsionin.
Që do të thotë që njerëzit janë po ata, por në sisteme të ndryshme, sillen ndryshe. Jam i sigurt që 100 nëpunës shqiptarë të korruptuar këtu, nëse do të futeshin për të mbajtur familjen me punën e tyre në administratën gjermane, do e kishin të pamundur të korruptoheshin. Po nuk është se papritmas ata u bënë njerëz të ndershëm, ashtu sikundër nuk është se janë domosdoshmërisht njerëz të pandershëm këtu. Është sistemi që garanton edhe qytetarin, por edhe mostundueshmërinë e nëpunësit.
Por ky është vetëm ryshfeti…
Për sa i përket pastaj, korrupsionit të madh po themi, meqë ju thoni se ky është ryshfeti dhe nuk besoj se ky është vetëm ryshfet… Përsëri, sot ne kemi një qeveri që nuk është në gjendje të tregojë 10400 kilometra rrugë që pretendon se ka bërë. Pse? Sepse nuk është në gjendje të nxjerrë një tabelë, me emra rrugësh, me distanca, me projekte, me preventiva, me financime, që do t’i mbyllte gojën opozitës qysh në sekondën e parë. Por nga ana tjetër, kemi projekte rrugësh që i shikojmë përditë që kanë ngelur rrugëve dhe që po degradojnë, ndërkohë që para e madhe është hedhur. Që do të thotë që ka një korrupsion shumë të madh, ka një mungesë transparence shumë të madhe, por ka dhe një mungesë mekanizmash për të kontrolluar ku shkojnë paratë. Ne jemi angazhuar të ndërtojmë një sistem online, të të gjitha shpenzimeve të parasë publike nga të gjitha dikasteret qendrore, pastaj me radhë nga agjencitë shtetërore. Që do të thotë: çdo muaj, qytetarët, ju, çdo njeri i interesuar, me një klik do të shohë çfarë shpenzimesh ka bërë Kryeministri.
Ekziston një sistem i tillë sot z.Rama. Thesari i Shtetit publikon çdo pagesë.
Janë komplet të palexueshme ato që thoni. Unë flas për shpenzimet që çdo muaj ka bërë zyra e Kryeministrit. Biletat e avionit që janë prerë nga të gjitha dikasteret qendrore, shpenzimet për karburant, për çdo gjë dhe sigurisht dhe të gjitha shpenzimet e tjera kapitale, në investime etj., por ama në çdo ministri, në mënyrë që çdo para të jetë e monitoruar nga populli dhe në mënyrë që për çdo para të ketë një përgjigje. Kjo sigurisht që do të kërkojë kohën e vet, por besoj është rruga për të hapur krejtësisht të dhënat dhe për t’i dhënë mundësi çdo njeriu që të gjejë çfarë kërkon dhe jo për t’i pasur letrat e shtetit si letra sekrete që kërkojnë heroizma për t’u marrë e për t’u nxjerrë në media, apo në Parlament.
Ju përmendët, investimet, rrugët. Aktualisht, qeveria shqiptare ka akumuluar një borxh të madh ndaj firmave që kanë ndërtuar rrugët. A e keni ju një plan për t’i shlyer këto borxhe?
Po, është një llogari që shkon afro 200 milionë euro. Ne jemi të vetëdijshëm që do të gjejmë një gropë të madhe në buxhetin e shtetit, shumë më të madhe nga kjo që duket. Dhe sigurisht që sfida është shumë e madhe, sepse nga njëra anë janë borxhet e shtetit ndaj firmave të ndërtimit të këtyre rrugëve pa rrugë, që kanë mbetur rrugës, nga ana tjetër janë borxhet e familjeve të pamundura për të çuar muajin deri në fund, nëpër ushqimore, që shkojnë në rreth 150 milionë euro. Nga ana tjetër janë borxhet e marra nga qeveria për gjithë këto investime kuturu. Nga ana tjetër është gjithë zinxhiri i borxheve të energjisë që shkon në rreth 1 miliard euro…
Duket sikur do të gjeni tokë të djegur.
Praktikisht jemi në kushtet e tokës së djegur, por jam i bindur dhe besimplotë se ulja e abuzimeve, ulja e nivelit të errësirës dhe ngritja e mekanizmave që garantojnë përgjegjshmëri dhe transparencë do të bëjnë që pa humbur kohë, ne të gjejmë burimet për të ristartuar të gjithë makinerinë e shtetit.
SHQIP
Add new comment