Edi Rama: do të anulojmë gjobat

Postuar në 24 Mars, 2013 08:47

 

Sipërfaqja

Korça është qarku më i madh në vend për sa i përket sipërfaqes që zë, krahasuar me 11 qarqet e tjera.

Rezultati

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, PD dhe PS arritën të merrnin në Korçë gjashtë mandate deputetësh secila.

Fushata

PS duket tepër e angazhuar për të pasur një rezultat më të mirë se katër vite më parë në qarkun juglindor.

Kreu i PS-së, i shoqëruar nga deputet socialist, mbajtën në Korçë një konventë rajonale: Ne do rilindim vendin, demokratët PD-nw

Rama: Gjobat e katër muajve para zgjedhjeve do të grisen

Transparenca, hapi i parë në qeveri

Fatjona Mejdini

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga një pjesë e madhe e deputetëve të grupit parlamentar socialist zhvilloi dje konventën rajonale të kësaj partie në Korçë dhe po kështu një takim elektoral në Librazhd. Rama premtoi dje që me ardhjen në pushtet të PS-së nuk do të llogariteshin asnjë nga gjobat që biznesi do të merrte nga administrata qeveritare në katër muajt përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, për shkak të arbitraritetit të tyre. Ai detajoi në Korçë dhe hapat e parë që do të merrte qeveria e tij me ardhjen në pushtet, duke e nisur nga transparenca e të gjitha shpenzimeve të Këshillit të Ministrave, deputetëve dhe të gjitha institucioneve të tjera qeveritare. Rama detajoi dhe hapat që do të merreshin për uljen e taksave për qytetarët dhe biznesin. Ai theksoi se shqiptarët 21 vite pas ndryshimit të sistemit nuk gjenin motive, pse duhet ta ndërronin sistemin komunist me një sistem tjetër shkatërrues për jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve.

Korça

Edi Rama theksoi dje se shqiptarët, 21 vite më vonë rënies së komunizmit, ishin zhytur në mjerim më të thellë. “Shqipëria është më e pistë seç ishte, më e ndotur dhe më e rrënuar seç ishte. Ku natyra është më e copëtuar seç ishte. Ku trashëgimia kulturore është shumë më e sakatuar seç ishte. Ku pyjet lumenjtë, plazhet, kodrat janë shumë më të copëtuar seç ishin. Për këtë e ndërruam sistemin ne?!”, theksoi Rama, duke shtuar se sot çdo shërbim në vend, duke nisur nga drejtësia, blihej me para në dorë. Duke folur për ndryshimin që do të bënin socialistët me ardhjen në pushtet, Rama përmendi transparencën e shpenzimeve si kushtin kryesor të qeverisë së re. Ai foli dhe për hierarkinë e taksimit të pagave, ku theksoi se në krye të piramidës do të qëndronte paga e Kryeministrit, më pas sipas radhës ajo e deputetëve, por dhe e figurave të tjera të vendit, si Presidenti i Republikës. Sipas Ramës, biznesit të vogël do i hiqeshin taksat, ndërsa ai i madhi do të taksohej në mënyrë të ndershme. Rama u bëri thirrje biznesmenëve të mos shqetësoheshin nga gjobat që ata mund të merrnin këta muaj nga administrata qeveritare, sepse ato do të griseshin. “Ne në 24 qershor do t’i grisim të gjitha gjobat që këta do vënë në katër muaj parazgjedhjeve. Madje u them të gjithë fshatarëve që do marrin gjobat e këtyre, konsiderojini fletë lavdërimi, që këta ju konsiderojnë të dyshimtë dhe mbajini atje si fletë lavdërimi”, premtoi Rama.

Librazhdi

Nga qyteti i Librazhdit, Rama premtoi dje se qeveria e ardhshme socialiste do të penalizonte pa asnjë lloj mëshire jo vetëm kriminelët, por dhe zyrtarët e lartë të policisë ose shtetit që do të guxonin të abuzonin me pronën dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Kush prek një shqiptar duhet të përballet me Policinë e Shtetit dhe do përballet me Policinë e Shtetit dhe me gjithë shtetin. Nuk do të ketë më pas 23 qershorit asnjë lloj mëshire ndaj kujtdo, le t’i ketë spaletat sado të mëdha, që shkon i prek pronën një shqiptari, që shkon i cenon familjen apo që prek fizikisht një shqiptar”, premtoi Rama përpara qytetarëve të kësaj zone. Ai theksoi se brenda 300 ditëve, PS do të rikthente rendin dhe sigurinë në vend dhe do t’ju jepte shqiptarëve një polici dinjitoze në shërbim të tyre.

Ironia me Nishanin

Rama deklaroi nga Korça se fjalimet e Presidentit të vendit ishin të denja për estradën dhe se ai po konkurronte me to dhe programin “Portokalli”.

Fidel Ylli

Thirrja ime ndaj atij është; Ndalo dhunën ndaj “Top Channel!”. Është një betejë që do e humbësh, e ke humbur që ditën e parë të pushtetit dhe jo më sot.

Erion Veliaj

“Kjo qeveri e ka një plan punësimi për të gjithë ata që kanë një mbiemër afër pushtetit. Pas 23 qershorit në planin tonë për punësimin nuk ka rëndësi se si e ke mbiemrin”

Artan Lame

“Mos harrojmë se nga ky qytet është ministri i Financave. Ai ka shtruar rrugën deri në fshatin e tij dhe ka lënë rrugën që të çon për në Voskopojë”

Saimir Tahiri

“Ngjarja makabër me maniakun na tregoi më së miri sesi gjithë struktura e rendit falimentoi. Berisha dha zgjidhje sterilizimin e pedofilit. Edhe Doktor Adhamudhi do e kishte zili”

Replikat

PS-PD, “luftë” deklaratash për rrugët dhe punësimin

Kryetari i PS—së, Edi Rama, dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, janë përfshirë dje në replika për sa u përket çështjeve të infrastrukturës dhe punësimit në vend. Por këto replika janë shtrirë dje dhe te përfaqësuesit e dy partive të mëdha, të cilët përmes daljeve publike kanë mbrojtur qëndrimet e drejtuesve të partive respektive. Kryeministri Berisha deklaroi dje nga Maminasi i Durrësit, ku kishte shkuar për të përuruar një fabrikë të Bimëve Medicinale se në mandatin e dytë, mazhoranca aktuale do të punësonte 250 mijë shqiptarë. “Ne u kemi premtuar shqiptarëve se do të krijojmë gjatë 4 viteve të ardhshme 250 mijë vende pune të reja. Askush nuk duhet të çuditet. Ky është një premtim shumë realist”, deklaroi Berisha. Por kreu i PS-së, Rama ,përmes një shkrimi të publikuar në blog, ironizoi Kryeministrin dhe qeverinë për llogari të gabuara për sa u përket kilometrave të ndërtuara të rrugëve dhe po kështu shifrave për vendet e punës. “Thonë që kanë punësuar 200 mijë vetë. Këtu lind një pyetje: Po si ka mundësi atëherë që numri i të papunëve sipas INSTAT-it nuk është ulur? Madje, madje, po të kishin punësuar 200 mijë vetë sot do kishim 60 mijë vende pune tepër, sepse të papunët e llogaritur prej vetë INSTAT s’kanë qenë ndonjëherë më shumë se rreth 140 mijë! Ashtu sikundër duhet të jenë ca më bindës kur flasin për 10 mijë km rrugë të shtruara, sepse s’mund t’i kërkojnë popullit të pranojë symbyllur se këta paskan asfaltuar një rrugë të gjatë sa vija ajrore Tiranë– Tokio”, deklaroi Rama. Më pas zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, nga selia e PD-së, e akuzoi Ramën se gënjente shqiptarët dhe se programi i PS-së ishte vendosur mbi shifra jo reale.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.