Edhe shqiptarët heqin dorë nga Greqia

Postuar në 01 Korrik, 2013 05:39

Nga Margarita Papantoniou

Greek Reporter

 

Ndërkohë që Greqia po përjeton një eksod të profesionistëve dhe të rinjve, që po i arratisen krizës ekonomike që ka fikur shpresat për të ardhmen, perspektiva është aq e zymtë sa edhe emigrantët shqiptarët, të cilët tentonin të hynin në vend me çdo mënyrë të mundshme, po largohen.

Sipas një raporti të fundit nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), 18 deri në 22 përqind e emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në Greqi, janë kthyer në Shqipëri, rreth 180 mijë në total.

Ta Nea, duke theksuar fenomenin, raporton se taksat e larta dhe rritja e kostove të jetesës, bashkë me mundësitë e kufizuara dhe papunësinë rekord në Greqi prej 27.4 përqind, janë arsyet kryesore të largimit.

“Kriza financiare ka detyruar shqiptarët që të largohen nga vendi ynë për t’u riatdhesuar në një vend që edhe nuk e kanë parë kurrë ndonjëherë. Pas shumë vitesh qëndrim në Greqi, rikthimi në Shqipëri nuk është i lehtë për ta,”thuhet në raport.

“Disa vite më parë, autoritetet shqiptare tentonin që ta bënin më të lehtë procesin e integrimit për të rinjtë që ktheheshin nga një qëndrim i gjatë në Greqi,” thuhet në artikull. “Zyrat e emigracionit janë hapur në çdo rreth dhe për ta parashikohet një ndihmë mujore prej 8 mijë lekë për familje. Vetëm 5 përqind e të riatdhesuarve kanë kërkuar që të marrin këtë shumë,” shpjegon gazeta.

ACIT thekson se vala e emigrantëve të kthyer pritet që të ushtrojë presion të fortë mbi shërbimet publike në vend dhe më së shumti mbi sistemin arsimor dhe atë shëndetësor. “Shumica e njerëzve kërkojnë punë në zanatet që kanë mësuar në Greqi dhe kryesisht në bujqësi, ku kanë punuar shumica e tyre (25 përqind)”.

Nisur nga kriza që ka goditur vendin fqinj, shumica e shqiptarëve- thuajse të helenizuar pas shumë vitesh qëndrim në Greqi- duhet të përballen me vështirësi të shumta, ndërkohë që kostot e dështimit që e shoqërojnë këtë procese janë të tjera probleme të mëdha që i duhen shtuar kësaj situate.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.