ECIM TUTJE

Kosova të dielën shënon pesëvjetorin e pavarësisë. Institucionet e vendit qytetarëve u kanë siguruar një festë me fishekzjarrë e koncerte. Por, edhe ky përvjetor shtetin e më të ri të Europës e gjen me problemet e vjetra: papunësi, korrupsion e gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
Simbolit të pavarësisë së Kosovës “Newborn” i është rikthyer ngjyra sikurse para pesë vitesh, kur ishte vendosur në Prishtinë para ndërtesës e cila kujton kohën e Jugosllavisë.
Sheshet kryesore janë stolisur me flamuj të Kosovës, ata kombëtarë dhe të shteteve mike.
Për pesëvjetorin e vendit po paralajmërohen edhe koncerte dhe ngjarje tjera, që do t’i argëtojnë edhe qytetarët.
Ndërkaq, Kuvendi njoftoi se përfaqësuesit e popullit festën e pavarësisë do ta shënojnë me një seancë solemne të dielën, në të cilën do të marrin pjesë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe nga shtetet fqinje.
Ndonjë zyrtar shtetëror këto ditë arriti të sigurojë edhe “famë ndërkombëtare” duke siguruar disa minuta në rrjetin e madh televiziv CNN.
Por, vendit këto ditë nuk i munguan as urimet.
Në urimin që erdhi këto ditë, Presidenti i SHBA’së, Brack Obama, ua kujtoi kosovarëve se duhet ende të bëjnë punë për të forcuar shtetin, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
Por, shteti i krijuar në dimrin e vitit 2008 po vazhdon t’i ketë punët keq edhe me ekonomi, çështje sociale, arsim e kulturë.
Një pjesë e territorit – Veriu - nuk kontrollohet nga institucionet shtetërore.
E ata që dëshirojnë të shohin vetëm progresin, zakonisht përmendin anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim.
Sidoqoftë, problemet mbeten brenda.
Për këto vite të pavarësisë jeta e qytetarit nuk është përmirësuar.
Megjithëkëtë, pozita dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme sa u përket zhvillimeve në vend.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike, por jep vlerësime se mbetet ende shumë për t’u dëshiruar sa i përket funksionimit të tyre.
“Kosova ka ndërtuar institucione demokratike, pak ndoshta ndryshe është se si do t’i shihnim këto institucione në funksionimin e tyre. Sigurisht se lë për të dëshiruar shumë, por gjithsesi Kosova në 5-vjetorin e vet është një shtet i ri, një shtet me perspektivë dhe perspektiva e saj varet shumë nga gjithë shoqëria e Kosovës”, ka thënë Kryeparlamentari Krasniqi.
Ndryshe prej zyrtarëve të pozitës, Ismet Beqiri i LDK’së thotë se për pesë vjet gjithçka u degradua në Kosovë.
“Fatkeqësisht, kemi ngecur mbrapa se shumë segmente dhe të mos harrojmë se janë pesë vite të pavarësisë, por po bëhet realisht 14 vite që jemi në liri dhe ajo që ka ndodhur, veçmas këto vitet e fundit, është realisht një degradim”, ka vlerësuar Beqiri.
Sipas tij, udhëheqja aktuale e shtetit nuk punon, por vetëm flet.
“Ju e shihni që përkrahja ndërkombëtare nuk fitohet ‘blanko’, por fitohet me punë dhe me angazhim dhe qeveria jonë është ndërruar në një qeveri, ku vetëm ka llafe të kota”, ka shtuar ai.
Në këtë situatë, Ardian Gjini thotë se udhëheqësit e Kosovës e kanë humbur mundësitë për të zhvilluar shtetin në të gjitha fushat.
“Nuk është se s’ka përparuar, nuk është se s’kanë ndodhur ngjarje në Kosovë, por as përafërsisht nuk është shfrytëzuar mundësia që e kemi pasur për t’u zhvilluar për pesë vjet. Zhvillimi që ka ndodh për pesë vjet është shumë më i vogël sesa mundësitë që i kemi pasur”, ka Gjini.
Ndryshe, Kosova ka shpallur pavarësinë gati dhjetë vjet pas përfundimit të luftës me Serbinë.
Në vitin 2005 patën filluar negociatat në Vjenë mes Liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Pas dy vitesh negociata, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur të merren vesh.
Ndërmjetësi i bisedimeve, Martti Ahtisaari, propozoi Pakon e tij, mbi të cilën Kosova më 17 Shkurt 2008 shpalli pavarësinë dhe funksionon sot.
Dy vite më vonë më 22 Korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Deri më tash, Shtetin e Dytë të shqiptarëve në Ballkan e kanë njohur, siç thotë Ministri i Jashtëm, 96 plus dy shtet. Pra, nuk dihet saktë a janë 96, 98 apo...
EXPRESS
Add new comment