Dy persona të maskuar marrin peng 11 punonjës

Postuar në 12 Shkurt, 2013 08:13

 

 

 

Tiranë/ Dëshmitarët tregojnë ngjarjen 60 minutëshe. Punonjësit: Policia vonoi të vinte. Na lidhën me litar

Silvana Muça

 

Dy grabitës të maskuar kanë marrë peng 11 punonjës të një agjencie të produkteve kozmetike, me synimin për të marrë paratë e arkës së kompanisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Saukut, Tiranë, ku dy prej pengjeve kanë marrë plagë në trup. Sipas dëshmitarëve të vendit të ngjarjes, grabitësit kanë hyrë në derën e pasme të agjencisë, në një kohë që në godinë ka pasur me dhjetëra persona. Janë ngjitur në katin e dytë, në pjesën e zyrave, duke lidhur me litar të gjithë personat që kanë qenë prezentë dhe më pas kanë kërkuar për arkën e parave. Ata kanë kërkuar drejtorin e agjencisë. E gjithë ngjarja zgjati rreth 60 minuta, ndërsa kolegët e pengjeve, pasi kuptuan situatën, tentuan të komunikonin me policinë. Sipas tyre, ardhja e patrullave të policisë në vendngjarje ka vonuar dhe për pasojë, dy autorët, me armë në dorë, kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes.

 

Dëshmitë e punonjësve

“Ishin në zonën e sportelit. Një sinjal alarmi u ndez dhe punëtori i sigurisë private erdhi menjëherë. Bëri një kontroll, por nuk vuri re ndonjë gjë të dyshimtë. Pas 30 minutash i kërkova që të shkonte nga ana tjetër e godinës, pasi nuk po shikoja asnjë lëvizje prej zyrave ku qëndronte personeli. Kur ai shkoi për të parë, nuk po u besonte syve. Dy persona kërcënonin dhe keqtrajtonin me armë 11 kolegët tanë. Ulëriu me sa kishte në kokë dhe në këtë moment ne zbritëm të gjithë brenda pak sekondave. Nuk arrita që t’i shoh pengmarrësit. Di që kanë qenë dy dhe kanë hyrë nga dera e pasme. Dyshoj që janë ndihmuar nga ndonjë person i brendshëm i kompanisë. Situata ishte mjaft e rëndë dhe jeta është bërë e rrezikshme. Nuk e kuptoj se si mund të grabitesh në një kompani, ku ka shumë punonjës dhe për më tepër kur zona është e populluar. Një prej punonjësve të kompanisë është qëlluar me sende të forta. Ka marrë plagë në pjesën e vetullës. Është dërguar në spital, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por është mjaft e tronditur. Dy herë rresht i ka rënë të fikët. Më thanë që kanë rrahur edhe një djalë, por nuk e di me saktësi se kush ka qenë”, shprehet Denisi, njëri prej punonjësve të kompanisë.

 

60 minuta

Erisa Seferi është një tjetër punonjëse e kompanisë së produkteve kozmetike. Ajo ka treguar të gjithë tmerrin e përjetuar. Thotë se për 60 minuta kanë qenë të terrorizuar dhe kërcënuar me jetë. Grabitësit me insistim kanë kërkuar ardhjen e drejtorit, pasi pretendonin se ky i fundit do t’u siguronte paratë.

“Pengjet pasi janë lidhur nga grabitësit, këta të fundit kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjikë mbi kolegët tanë. Kërkonin me ngulm ardhjen e drejtorit. Njëra prej pengjeve, nën kërcënimin e armës së zjarrit ka telefonuar drejtorin e kompanisë. Nuk i ka shpjeguar asgjë. I ka thënë që të shkonte me urgjencë te kompania, pasi një punonjëse ka qenë tepër sëmurë. Njëra prej vajzave ka mundur që të shtypë butonin e alarmit. Ky veprim i asaj na shpëtoi jetën. Por kur ka ardhur drejtori, ka qenë tepër vonë, sepse policia ishte në vendin e ngjarjes. Grabitësit janë larguar me vrap, në kohën që kuptuan se ishin në rrezik për t’u kapur. Kanë marrë me vete sende të kompanisë dhe bizhuteri. Nuk di të them nëse kanë marrë para apo jo. Sërish kanë dalë nga dera e pasme. Por para se të dilnin na ndoqën nga pas me automatik. Ishte një tmerr i vërtetë”, ka treguar kronologjinë e ngjarjes Erisa Seferi, njëra prej punonjësve të kompanisë.

 

Sekuestrohen pamjet filmike

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie dhe forca të RENEA-s. Ata kanë marrë të gjitha pamjet filmike të godinës, ku dyshohet që të jenë regjistruar momentet e grabitjes. Ndër të tjera, policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të gjetur prova materiale, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e grabitësve. Të gjithë punonjësit që kanë qenë në godinë, janë marrë në pyetje. Grabitësit janë shfaqur në objekt në momentin që kompania po bënte furnizimin. Gjashtë prej pengjeve kanë qenë të seksit femër.

 

Box

Telefonata - Njëra prej pengjeve, nën kërcënimin e armës së zjarrit ka telefonuar drejtorin e kompanisë. Nuk i ka shpjeguar asgjë. I ka thënë që të shkonte me urgjencë te kompania, pasi një punonjëse ka qenë tepër sëmurë.

 

 

Intervista

“Një nga autorët thirri shokun në emër, quhej Altin”

Një nga punonjëset e agjencisë kozmetike thotë për “Shqip” se dy grabitësit ishin trupmëdhenj dhe në dorë mbanin automatik. Pohojnë se një prej tyre quhej Altin, ndërsa dyshojnë se ata mund të kenë pasur informacion të brendshëm.

 

I patë grabitësit?

Po, i pashë. Ishin dy persona të maskuar dhe trupmëdhenj. Në dorë mbanin armë zjarri tip automatik dhe thika. Nuk arrita që të dalloja tipare të tjera.

Komunikuat me ata?

Jo. Fatmirësisht nuk isha në pjesën e pengjeve. Mbaj mend që njëri prej tyre u thërrit në emër.

Si e quanin?

Altin me duket se tani jam edhe e tronditur.

Kishit vënë re ndonjë gjë të dyshimtë me parë?

Kam dy vjet që punoj në këtë kompani dhe nuk kemi pasur shqetësime të tilla. Kjo është hera e parë dhe shpresoj që të jetë e fundit.

Çfarë dyshoni?

Dyshoj se grabitësit kanë pasur informacion të brendshëm. Ata duhet të jenë ndihmuar nga dikush i kompanisë.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.