Dule: PBDNJ e hapur për bashkëqeverisje me qendrën e djathtë apo të majtë

Postuar në 02 Mars, 2013 07:47

 

PBDNJ ka mbledhur sot, në pallatin e kongreseve aktivin kombëtar, për të diskutuar mbi strategjitë dhe aleancat politike të zgjedhjeve parlamentare 2013, ku ndër të tjera kryetari i saj, Vangjel Dule u shpreh: “PBDNJ është në kontakt me të gjithë spektrin politik të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë dhe do të arrijë të gjejë gjuhën me ata që duan dhe ndajnë me ne qëndrime politike në lidhje me zhvillimet ne këtë vend”- tha Dule. 

Kreu i PBDNJ-së vuri në dukje se cilado të jetë zgjedhja e PBDNJ, garanci është fitorja me vendet përkatëse në Parlament dhe në bashkëqeverisje. 

“Ne për t’i dhënë një përgjigje dhe pyetjes që vjen më intensivisht dhe nga mediat, jemi parti me program të qartë politik. Me fizionomi që nuk ka hije, jemi me një përvojë 22-vjeçare, kontribute 22-vjeçare, në pozitë dhe opozitë, këto aspekte na japin sigurinë që në të gjitha rastet e mundshme ne e kemi të garantuar mbijetesën parlamentare, PBDNJ do jetë e pranishme në parlament, por nga ana tjetër të gjitha elementet e fizionomisë, kontributit na japin sigurinë dhe garancinë se me cilindo që të negociojmë do të arrijmë një marrëveshje të suksesshme jo vetëm për veten tonë, por mbi të gjitha dhe për misionin tonë. Garanci në bashkëqeverisje pas zgjedhjeve te 23 Qershorit”. 

E megjithatë Dule nuk la pa kritikuar partitë e mëdha lidhur me kodin zgjedhor të hartuar dhe komisionet zgjedhore partiake të ngritura. Sipas Dules sistemi elektoral që paraqitet dhe në këto zgjedhje është i padrejtë. 

“Jemi në pozita të veçanta për zgjedhjet e 23 qershorit. Kemi konstatuar se rrënja e së keqes së procesit zgjedhor është administrimi i procesit zgjedhor dhe kryesisht administrimi nga militantët partiakë, të cilët mbi çdo ligj me interes publik vënë interesat e lidershipit partiak. Ne jemi dhe një nga 4 partitë që kemi të drejtë të zgjedhin anëtarë në Komisionet Zgjedhore, ne jemi kundër komisioneve partiake, por do zbatojmë dispozitat ligjore. Integriteti do bëhet garant për votën e lirë. Zgjedhjet mbi të gjitha, vullneti i sovranit mbi gjithçka e kudo. Jemi përpara një sistemi elektoral të padrejtë”. 

Kreu i PBDNJ-së vijoi më tej: “Një kod që mori firmën e Berishës e Ramës. E njëjta do të përsëritet dhe në zgjedhjet e 23 qershroit, është kjo demokraci?” 

Sipas Dules, PBDNJ vijon të jetë një forcë politike e fortë, pavarësisht se zgjodhi të qëndronte në opozitë në një kohë kur iu bënë oferta për bashkëqeverisje. 

‘Jemi forca e vetme politike që në një kohë që kishim oferta të panumërta të qeverisjes, zgjodhëm të ishim në opozitë. Shumë mes nesh e panë me një ndjenjë paniku do shkrihemi do zhdukemi, por ju e shihni që sot jemi shumë më të vendosur jo vetëm nga ana numerike, jemi gati të kontribuojmë në mënyrë të qenësishme” .

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.