Dritan Dajti shkresë kryeprokurorit: Zbuloni, kush më plagosi

Postuar në 08 Shtator, 2013 04:40

Mbetet ende mister identiteti i personit që plagosi Dritan Dajtin në 9 gusht të vitit 2009. Ndonëse kanë kaluar 4 vjet nga ajo ngjarje, ku mbetën të vrarë katër efektivë policie, Prokuroria ende nuk ka zbardhur të vërtetën e plagosjes së të të pandehurit Dritan Dajti. Fillimisht për hetimin e këtij episodi u shpall moskompetencë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe aktet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit. Por vetë i pandehuri vendos të thyejë heshtjen duke i drejtuar një kërkesë Kryeprokurorit Adriatik Llalla, që të hidhet dritë mbi autorësinë e kësaj ngjarjeje. Ndër provat që referohen i pandehur janë akti i këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe akti balistik, sipas së cilës janë 6 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, të qitura nga një armë “anonime”, një prej të cilave është nxjerrë pas operimit të të pandehurit. Sipas balistikës këto predha përdoren për pistoleta “Makarov”, të cilat deri në 2009 kanë qenë në përdorim të uniformave blu. Në kërkesën e tij Dajti i referohet edhe “Librit të Armatimit”, ku nuk rezulton që ndonjë efektiv të ketë dorëzuar armë të tipit “Makarov”, duke hedhur dyshime se kjo armë është përdorur në vendin e ngjarjes. Ndonëse pretendimeve të policisë se në 2009 u hoqën nga përdorimi armët “Makarov”, rezulton se ditën e ngjarjes efektivët kanë pasur me vete edhe armë të tjera, të dala nga magazina, pa numër identifikimi. Një fakt tjetër interesant është “zhdukja” e pesë efektivëve të policisë, të cilët ndonëse pjesëmarrës në aksionin e arrestimit të Dajtit, nuk janë marrë asnjëherë në pyetje për atë ngjarje.   

Kërkesa

“Me 6 Korrik 2011, përpara Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ku unë po gjykohem me cilësinë e të pandehurit, është paraqitur për të dëshmuar punonjësi i policisë Petrit Hamzallari. Ai ndërmjet të tjerave ka dëshmuar shprehimisht se: Kur jam emëruar në detyrë në vitin 2004 kam pasur pistoletë Makarov, në 2007 jemi pajisur MP5 automatik. Në 2009 kur kanë ardhur pistoletat e reja kemi lënë pistoletat Makarov dhe kemi marrë Bereta. Pra dëshmitari përpara gjykatës ka pranuar se kur kanë ardhur pistoletat e reja, ata kanë lënë pistoletat “Makarov”, çka do të thotë që i gjithë efektivi i kësaj njësie policore ka pasur në përdorim armë të tipit “Makarov”. Nga ana tjetër, duke iu referuar dokumentacionit të administruar të armatimit, i cili tashmë është pjesë e fashikullit të gjykimit, nuk rezulton që ndonjë punonjës policie të ketë dorëzuar në magazinë armë të tipit “Makarov”. Pra thënë ndryshe këto pistoleta janë ende në përdorim dhe në inventar personal të këtyre personave. Gjithashtu sipas Librit të Shpërndarjes së Armatimit, rezulton që punonjësit e policisë Arian Muça, Petrit Sulkaj, i ndjeri Altin Dizdari, Altin Xhepa, i ndjeri Kastriot Feskaj, Agim Koçiraj, Perlat Leli, Sajmir Duçkollari dhe i ndjeri Fatos Xhani, të kenë pasur në përdorim edhe armë të tjera, të cilat kanë dalë nga magazina me një fletë dalje, në të cilën nuk identifikohet as numri dhe as tipi i armës. Pikërisht këto armë të përmendura më lartë mund të jenë armë të tipit “Makarov”, të cilat duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit dhe ekspertimit. Një tjetër provë dokument që ndodhet në fashikullin e gjykimit është “Plan-Operacioni”, në të cilin tregohet numri i saktë i punonjësve të policisë pjesëmarrës në ngjarje. Sipas këtij plani në vendngjarje kanë qenë 6 grupe. Grupi 1 përbëhej nga një punonjës policie; Grupi 2 përbëhej nga dy punonjës policie; Grupi 3 përbëhej nga tre punonjës policie; Grupi 4 përbëhej nga dy punonjës policie; Grupi 5 përbëhej nga dy punonjës policie dhe Grupi 6 përbëhej nga tetë punonjës policie. Pra sipas “Plan-Operacionit” në vendngjarje kanë qenë 18 punonjës policie, nga të cilët duhet të dëshmonin 14, pasi 4 prej tyre humbën jetën. Por nëse i referohemi seancës gjyqësore rezulton që vetëm nëntë prej tyre janë paraqitur përpara gjykatës më cilësinë e dëshmitarit dhe konkretisht: Agim Koçiraj, Perlat Leli, Altin Xhepa, Flamur Gashi, Andi Hasani, Petrit Hamzallari, Gentian Borovina, Petrit Sulkaj dhe Florian Meko. Sa sipër, është mëse e qartë që janë edhe pesë punonjës policie që duhen pyetur lidhur me autorësinë e plagosjes sime. Në këto kushte, nisur dhe nga fakti që ndonëse kanë kaluar tre vjet e gjysmë Prokuroria e Rrethit Durrës ende nuk ka kryer asnjë veprim procedural, madje nuk ka disponuar as për pyetjen time si të dëmtuar. Kërkoj: Identifikimin dhe ekspertimin teknik-balistik të armëve të përshkruara më lartë. Verifikimin pranë magazinës së armatimit dhe municionit lidhur me faktin që a ka pasur apo ka gjendje në magazinë, fishekë me markerim nr.81-83, të kalibrit 9x18mm që përdoren për pistoleta tip “Makarov”. Të gjendjen dhe të pyeten pesë punonjësit e policisë që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, të cilët nuk janë pyetur deri më sot nga autoritetet gjyqësore.

Lista e Armatimit

Me datë 10.10.2009 me dokumentin nr.63, i ndjeri Fatos Xhani ka marrë nga magazina një armë të paidentifikuar.

Me datë 10.10.2007 dhe 17.11.2009, me dokumentet nr.76 e 211, i ndjeri Altin Dizdari ka marrë nga magazina dy armë të paidentifikuara.

Me datë 10.10.2007, me dokumentin nr.68, i ndjeri Sajmir Duçkollari ka marrë nga magazina një armë të paidentifikuar.

Me datë 19.11.2007 dhe 14.07.2009, me dokumentet nr.83 e 223, Perlat Leli ka marrë nga magazina dy armë të paidentifikuara.

Me datë 11.10.2005, me dokumentin nr.85, Agim Koçiraj ka marrë nga magazina një armë të paidentifikuar.

Me datë 18.05.2007 dhe 29.03.2007, me dokumentin nr.23 e 19, Altin Xhepa ka marrë nga magazina dy armë të paidentifikuara.

Me datë 17.06.2009, me dokumentin nr.210, Petrit Sulkaj ka marrë nga magazina një armë të paidentifikuar.

Me datë 30.03.2007 dhe 10.10.2007, me dokumentin nr.28 e 67, Arian Muça ka marrë nga magazina dy armë të paidentifikuara.

Versioni i Prokurorisë për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë nga Dajti

Prokurori Ardian Nezha, katër muaj pas ngjarjes që u konsiderua si “masakra e Durrësit”, në të cilën mbetën të vrarë pesë persona, katër prej të cilëve efektivë të skuadrës operacionale të Policisë së Shtetit, jep konkluzionet e para në lidhje më mënyrën se si kishte ndodhur masakra. Në konstatimet e prokurorisë vërehet fakti që punonjësit e policisë që morën pjesë në operacion, e kanë mësuar identitetin e Dritan Dajtit vetëm pasi ai është vendosur në pranga. Po botojmë të plotë pikërisht momentin e vrasjes sipas versionit të hetimit të Krimeve të Rënda: “Me 7.08. 2009, gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e Dritan Dajtit kanë qenë të pranishëm punonjësit e policisë, Fatos Xhani, Kastariot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Altin Xhepa, Perlat Leli, Florian Meko, Petrit Sulkaj, Arjan Muçaj, Flamur Gashi, Agim Koçiraj dhe Pterit Hamzallari.

...Sapo janë afruar të mjeti Tuareg, efektivi Fatos Xhani ka hapur derën e parë të shoferit dhe me thirrjen ndal policia i është drejtuar personit që ndodhej në sedijen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej pas është hapur zjarr në drejtim të fatos Xhanit duke e lënë të vdekur. Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathtë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, nga dy armë, ku për pasojë ka mbetur i vrarë efektivi Saimir Duçkollari. Ndërkohë efektivët Pterit Sulkaj dhe Kastriot Feskaj janë përpjekur të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit Tuareg, në momentin kur forcat policore hyjnë në veprim.

Polici Sulkaj ka neutralizuar një djalë të ri të moshës 25 vjeç, 1.80 m të gjatë, të cilin e ka rrëzuar në tokë. Efektivi Florian Meko, ka neutralizuar dhe prangosur shtatin Ergyst Xhoxhi, të cilin ka tentuar ta largojë nga vendi ku po zhvillohej ngjarje, pasi kishte shumë të shtëna me armë. Personi i kapur nga Sulkaj, ka mundur ti largohet këtij të fundit dhe në ndjekje të tij është vënë Kastriot Feskaj, duke u futur në një rrugicë e cila është paralel me rrugën ku kishte ndaluar Tuareg-u. Personi që qëlloi nga brenda makinës dhe vrau dy punonjësit Fatos Xhani dhe Saimir Duçkollari, doli nga dera e pasme, krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr mbi efektin Altin Dizdari. Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina, vazhdoi rrugën drejt plazhit me një çantë që e kishte në krah. Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohet. Personi që u largua u ndoq nga Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë, Kastrioti ka arritur ta neutralizojë këtë person.

Pasi ka parë këtë skenë, personi që kishte pistoletën në dorë i është afruar nga pas Kastriotit dhe e ka qëlluar me dy plumba nga pas. Personi i neutralizuar arriti të largohet dhe nuk është bërë e mundur kapja dhe as identifikimi i tij. Personi që kishte pistoletën në dorë, pasi ka qëlluar Kastriotin ka vazhduar drejt plazhit dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Fatjon Shamku, i cili ishte kalimtar i rastit. Në ndihmë të këtyre punonjësve të policisë ka ardhur edhe efektivë të tjerë policie të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e personit me armë në dorë. Pranë tij është afruar polici Petrit Sulkaj i cili ka arritur ta prangosë. Në këtë moment, personi i prangosur është vetë identifikuar si Dritan Dajti. Gjatë veprimeve të kryera është konstatuar se arma që kishte në dorë Dritan Dajti, nuk kishte më fishekë. Ai rezultoi të ishte i plagosur dhe për këtë arsye është transportuar nga policia për në spitalin e Durrësit”.    

Ekspertiza, 6 predha në vendngjarje nga e njëjta armë që plagosi Dajtin

Dyshimet, kalibri i plumbit përputhet me armën “Makarov”, prezent në operacione policie

Në masakrën e Durrësit, ku mbetën të vrarë katër efektive policie, u plagos rëndë edhe vetë i pandehuri Dritan Dajti. Por sipas analizës shkencore lloji i armës që ka qëlluar në drejtim të Dajtit mund të jetë “Makarov”. Sipas ekspertizës balistike me numër.7436 dhe datë 02.10.2009 thuhet se arma që ka goditur të pandehurin nuk është në grupin e armëve të zjarrit të sekuestruara në vendngjarje. Nga konkluzionet e analizës shkencore rezulton se predha është në kategorikë e fishekëve 9mm, të armëve Makarov. Këto lloj municionesh janë përdorur shpesh herë në operacionet e policisë. “Predha, objekt ekspertimi, e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në spitalin ushtarak, pas operacionit në trupin e të dëmtuarit Dritan Dajti, i përket pjesëve përbërëse të fishekëve standardë luftarakë të kalibrit 9mm, që përdoren si municione nga pistoletat e kalibrit 9 mm, siç janë pistoletat Makarov”, thuhet në analizën balistike. Por një fakt tjetër interesant është se nga kjo armë janë gjetur edhe 6 gëzhoja fishekësh, të sekuestruara në vendngjarje. Është e habitshme sesi këto fakte janë mbajtur të fshehta dhe asnjëherë nga policia nuk ka pasur interes për të zbuluar se kujt i përkiste arma që plagosi Dritan Dajtin. “Predha objekt ekspertimi, i përket të njëjtit lloj e modeli fisheku, siç janë 6 gëzhojat fishekësh të standardit luftarak të fabrikuara të kalibrit 9mm të sekuestruara në ngjarjen e datës 07.08.2009, që i janë nënshtruar ekspertimit nr.6023, datë 09.08.2009”, vijon pika 4 e aktit balistik. Dyshime krijohen kur ekspertiza thotë se kjo predhë është e kalibrit të armës pistoletë Makarov, e cila është ndër armët e zjarrit që përdoren më shpesh në aksionet e policisë. Heshtja e treguar për identifikimin e 6 predhave krijon dyshime se kjo armë mund të jetë përdorur nga efektivët e policisë, dhe ka qenë pa leje. “Predha, objekt ekspertimi nuk është qitur nga dy armët e sekuestruara shtetasit Dritan Dajti. Predha, objekt ekspertimi, nuk është qitur nga njëra prej armëve që i janë sekuestruar efektivëve të policisë, që kanë marrë pjesë në operacion në ngjarjen e datës 07.08.2009, armë që i janë nënshtruar ekspertimit nr.6060, datë 11.08.2009, pasi këto lloj armësh përdorin municion të llojit e modelit të ndryshëm nga ai i predhës në fjalë”, përfundon akti balistik. Është e habitshme sesi nga policia dhe nga prokuroria është lënë në heshtje identiteti i personi që ka plagosur Dajti. Në kërkesën për gjykim thuhet vetëm se Dajti ishte plagosur, por në asnjë shkresë të hetimeve nuk zbardhen rrethanat, personi apo arma. Ndonëse fshehjes së këtyre fakteve është ekspertiza që pohon se arma që qëlloi Dajtin mund të jetë “Makarov”. Kjo lloj arme përdoret shpesh herë nga policia në operacione të ndryshme

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.