Drejtuesit e AK-së i bashkohen PS-së. Rama: Mirëpresim çdo kuqezi në koalicionin tonë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në një konferencë për shtyp në krah të disa drejtuesve të Aleancës Kuq e Zi, që kanë vendosur të bashkohen me koalicionin e opozitës.
Rama, duke folur para gazetarëve, tha se së fundmi AK u shfaq në rolin e një force çoroditëse, në funksion të pushtetit të Berishës.
Ai tha se mirëpret çdo kuqezi në koalicionin opozitar.
“Kam mirëpritur përfaqësinë e Aleancës Kuq e Zi, njerëzit që kanë marrë pjesë në forcimin e një partie që fatkeqësisht u shfaq së fundmi në rolin e një forcë për diversion për të çoroditur popullin shqiptar, në funksion të pushtetit familjar dhe të korruptuar të kryeministrit,” tha Rama.
“Publikisht dua t’u them atë që u thashë dhe miqësisht në bashkëbisedimin tonë se dyert e PS janë të hapura për të gjithë kuqezinjtë idealistë, për të gjithë kuqezinjtë opozitarë, për të gjithë ata që janë investuar në këtë projekt politik me çiltërsinë e qytetarëve të këtij vendi, të lodhur nga politika, të zhgënjyer nga këto vite tranzicioni të stërzgjatur, të paintegruar në forcat politike aktuale, në mënyrë që e gjithë ajo energji patriotike, e gjithë ajo energji e gjeneruar nga ideale dhe ide për një Shqipëri më të mirë, e gjithë ajo energji e derdhu në dy vite për të sjellë në Shqipëri ndryshimin, të mos shkojë dëm, por të kanalizohet përmes këtij koalicioni të madh të opozitës, përmes PS, duke qenë të gjithë të bindur se PS është një forcë që në programin e vet, në rrugën e vet, në bindjet e veta, përfaqëson interesat kombëtare, përfaqëson aspiratat e kombit shqiptar, ambiciet e çdo shqiptari për çka përbënte arsyen madhore të kuqezinjve për t’iu atashuar Aleancës Kuq e Zi,” vijoi kryetari i PS.
Në emër të të larguarve nga AK foli Dashamir Uruçi, ish- Sekretar për Ekonominë. Ai tha se Shqipëria ka nevojë për rotacion.
“Bëjmë me dije se AK ka sot në krye një lider që e ka monopolizuar aktivitetin politik të partisë.
Vendimi i Spahiut për të dalë i vetëm në zgjedhje, nuk është rrjedhojë e konsultave të gjera në parti. Ajo përfaqëson vendimin e tij monopolistik,” tha Uruçi.
“Ne kemi lidhje të fuqishme me anëtarët e kryesisë, me departamentet e AK. Ne jemi koshientë se Shqipëria ka nevojë për rotacion. Ne do përkrahim opozitën sepse shqiptarët kanë nevojë për ndryshim,” vijoi Uruçi.
Në fund sërish Rama bëri thirrje për të gjithë anëtarët e AK që të bashkohen me opozitën për të ndryshuar qeverisjen.
“PS është shtëpia që mirëpret çdo opozitar, çdo qytetar. Aleanca jonë është aleancë prej shumë partish, por është edhe aleanca me çdo qytetar të këtij vendi”./ep
TEMA
Add new comment