Drejtoria e Doganave: Gati Kodi i ri Doganor.

Kodi i ri Doganor është gati dhe pritet që të nisë prezantimin te komuniteti i biznesit. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Kodi i ri Doganor është hartuar dhe prezantuar para Këshillit Kombëtar Ekonomik. Burimet thanë se Kodi po shqyrtohet edhe nga ministria e Financave dhe më pas do t’i prezantohet komunitetit të biznesit.
Kodi i ri Doganor, thanë burimet, synon përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ajo që është thelbësore në këtë projekt, është vendosja e një sporteli të vetëm doganor .
Aktualisht biznesit i duhet të bëjë një sërë ecejakesh për të kryer veprimet apo procedurat standart doganore. Sporteli i vetëm doganor do të sjellë lehtësime të rrënjësishme për biznesin. Subjekti do të paraqitet në një sportel të vetëm ku do të dorëzojë kërkesën një herë të vetme. Sporteli do të mundësojë komunikimin midis institucioneve dhe agjencive pa përdorur subjektin si ndërmjetës. Administratat doganore në pjesën më të madhe të tyre përdorin sisteme të automatizuara deklarimi e kontrolli, të cilat mundësojnë gjenerimet e raportimeve deklarimeve doganore në forma elektronike. Kodi i ri Doganor përcakton rregullat e harmonizuara për marrjen e vendimeve nga Autoritetet Doganore .
Nga pikëpamja proceduriale, Kodi i ri Doganor parashikon gjithashtu ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm. Ndryshimet në Kodin Doganor synojnë vendosjen e një transparence në marrëdheniet mes administratës shtetërore dhe sektorit privat, gjë do të ndikojë ndjeshën në krijimin e një klime miqësore për biznesin.
Add new comment