Drejtori i Shkollës së Policisë, fushatë për PD-në, fyen Ramën

Luis Tanushi-Nga përfshirja në fushatën elektorale nuk ka shpëtuar as Policia e Shtetit. Jo vetëm ministri dhe njëri prej zëvendësministrave, që mbajnë poste politike, të përfshirë aktivisht (duke kandiduar për Partinë Demokratike), por edhe drejtuesit e lartë të policisë, bëjnë thirrje hapur në mbështetje të PD-së. Nuk mungojnë as fyerjet për liderin e opozitës Edi Rama dhe për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Nuk bëhet fjalë për drejtues të thjeshtë, por për krerët më të lartë të Policisë së shtetit, njëri nga të cilët është drejtori i Shkollës së Policisë.
Fushatë në Facebook
Me sa duket në përgatitjen e policëve të rinj, është përfshirë edhe propaganda për të mbështetur një subjekt politik, apo denigrimi i palës tjetër. Nga një kontroll i faqes në rrjetin social Facebook të Mërgim Hoxhës, konstatohen lehtë thirrjet në favor të Partisë Demokratike. “Fitore, fitore, fitore: Me Sali Berishën përpara!”, ka shkruar ai, ndërsa ka shpërndarë foto të kryeministrit Berisha në inaugurimin e rrugës së Dibrës në kryeqytet, dy ditë më parë. Po atë ditë, drejtori i Shkollës së Policisë e konsideron kryesocialistin Edi Rama si “mashtrues”. “Edi Rama ka kryer një krim në Amerikë duke manipuluar dhe paguar $80,000 ilegalisht për të bërë foto me Obamën. Ku i more paratë Edi Rama? Ju që i morët lejet e pallateve e dini. I kam kërkuar Kongresit Amerikan që të hapin një çështje penale kundër këtij krimi”. Më tej Hoxha shkruan se, “Kongresmeni amerikan ka paditur Ramën për thyerje të ligjit në Amerikë dhe për pastrim parash. Po si kujton ky mashtrues se do të manipulojë zgjedhjet me një foto”. Po atë ditë, drejtori i Shkollës së Policisë ka postuar edhe një video të Emisionit “Fiks Fare” me Ilir Metën. Poshtë këtij postimi, Hoxha ka komentuar se “shumë të poshtër janë këta, do t’i humbasin zgjedhjet”. Aktiviteti në rrjetin social Facebook nuk është ndërprerë gjatë këtyre ditëve, duke u treguar shumë aktiv me postime që lidhen drejtpërdrejtë me fushatën elektorale. Të dielën, menjëherë pas mitingut në Vlorë të kryeministrit Berisha, funksionari i lartë i Policisë së Shtetit ka shkruar se “Vlora heroike konfirmon fitoren e sigurtë të Sali Berishës“, ndërsa ka shpërndarë edhe fotot. Por, mbështetja për Partinë Demokratike nuk është shprehur vetëm në periudhën e fushatës elektorale. Sipas të dhënave që dalin nga kontrolli i faqes në Facebook, drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit ka propaganduar pro qeverisë së djathtë dhe kryeministrit Berisha edhe më herët. Në postimin që mban datën 27 prill, ai shkruan: Sali Berisha ndërton rrugë, spitale, shkolla, hidrocentale. Shqiptarët që votojnë duhet të krahasojnë Shqipërinë nën sundimin e socialistëve. Ku ishim e ku jemi sot. Ju ftoj t’ia hidhni një vështrim Shqipërisë nën lidershipin e Sali Berishës. Vizat për në Europë i liberalizoi. Jemi në NATO. E vetmja ekonomi në Europë ku rritet punësimi, rriten rrogat, ku nuk ka krizë e ka rritje ekonomike. Kurse, shiko Edi Ramën, një strateg fjalësh, kurthesh, trillimesh. Një njeri që bredh pa rroba, pa brekë në sy të botës. Njeri që akuzon të gjithë, edhe babain e tij, e ka akuzuar se gjoja kishte pasur marrëdhënie seksuale me gruan. Votoni të ecim para, votoni PD”.
Unë si tropojan i përgjigjem Edi Ramës
Ndërsa më 20 prill, Mërgim Hoxha i është rikthyer sërish periudhës së krisjes së marrëdhënieve midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. “Shumë të nderuar motra dhe vëllezër! Ju lutem shumë të dëgjoni vetë shokun e Edi Ramës? Dritan Prifti, i cili përshkruan dëshmitë e tij për përdorimin e drogës nga Edi Rama. Kërcënimet që Edi Rama ka bërë: Se do t’i “pastroj” tropojanët nga Tirana. Unë si tropojan i përgjigjem: Ti vetëm provoje, more zotëri, se Tropojën e tropojanët nuk ka mundur t’i mposhtë asnjë perandori në botë, e jo më një njeri pa moral që del lakuriq botës, e rri i droguar gjithë jetën. Ju lutem shpërndajeni këtë video tek miqtë tuaj”.
“Po humbin zgjedhjet, nxjerrin parulla për luftë”
Drejtori i Shkollës së Formimit Policor thekson se “Shqipëria ka një shtet të fortë ligjor dhe një polici të fortë e të modernizuar”. Por, modernizimi ngre pikëpyetje të mëdha nëse ka të bëjë me lirinë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit që merren me politikë për të mbështetur njërin subjekt politik dhe për të ofenduar kryetarin e opozitës, i cili duhet që të ruhet nga policia njësoj si nga kryeministri. “Të nderuar! Programi që ka Edi Rama për Shqipërinë është shkruar me 4 rreshta në dorën e tij. Të kishte një program, një vizion do ta mbante mend. Po nuk ka. Vetëm shikoni sytë e tij të fryrë nga droga. Tani po e shohin se do të humbasin zgjedhjet dhe nxjerrin parulla të frikësojnë njerëzit se do të bëhet luftë civile. Shqipëria ka një shtet të fortë ligjor, një Polici të fortë e të modernizuar, një Ushtri në NATO, një miqësi me shtetet më të forta të botës. Po mbi të gjitha, shqiptarët në të gjithë krahinat do të ngrihen në këmbë për të mbrojtur Shqipërinë, e jo në një luftë civile. Edi Rama nuk duhet të votohet e t’i besohet të drejtojë një WC publike, jo më Shqipërinë. Votoni PD-në, votoni të ardhmen e fëmijëve tuaj!”, ka postuar në 24 prill drejtor Hoxha. Ndërsa gjatë postimit të pamjeve të rrugës së Kombit në profilin e tij në Facebook, Hoxha shkruan se: “Përpara drejt Europës me Sali Berishën! Socialistët e patën pushtetin për 50 vjet. A e dini si ishin rrugët, si ishte Shqipëria? Radha për të blerë bukë, listat e ushqimit, 100 gramë kafe në muaj. Burgjet, persekutimi. Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha. U bëj thirrje që të votoni PD-në”, shkruan Mërgim Hoxha
Cili është Mërgim Hoxha
Mërgim Hoxha aktualisht kryen detyrën e Drejtorit të Shkollës së Formimit Policor, ndërsa mban gradën e Drejtuesit i Parë. Me prejardhje nga Tropoja, ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Policisë së Fierit, por është shkarkuar prej andej si pasojë e një incidenti që ka ndodhur në Mallakastër në vitin 2012. Edhe pse shprehet tejet kritik ndaj kreut socialist Drejtori i Shkollës së Policisë, duket se ka anashkaluar ligjin për Policinë e Shtetit. Në nenin 6 ku përcaktohet Statusi i Policisë, thuhet se: “Policia është institucion i administratës publike, strukturë e Ministrisë së Brendshme. Statusi i Policisë nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo fatkeqësie natyrore. Policia është e depolitizuar”. Madje kufizimet përcaktohen edhe më qartë në nenin 68 të këtij ligji. Punonjësi i Policisë nuk mund të jetë anëtar i një partie ose organizate politike. Punonjësi i Policisë nuk mund të mbështesë fushatën e një partie ose organizate politike ose të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht. Punonjësi i Policisë ka për detyrë të ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe pavarësisht bindjeve të tij politike”, thuhet në ligjin për Policinë e Shtetit. Për më tepër, edhe pse ka hedhur foto në Facebook, punonjësi i policisë përdor uniformën, shenjat dhe simbolet e Policisë vetëm gjatë kryerjes së detyrës.
SHEKULLI
Add new comment