Drejtorët, presion punonjësve për kartat e tyre të identitetit

Dega e PD-së “fryn” statistikat e simpatizantëve me fotokopjet e dokumenteve të marra me shantazh
Fier – Ndonëse mjaft punonjësve të administratës shtetërore vazhdon t’u merren kartat e t’u fotokopjohen, me qëllim që aktivistët e PD-së të plotësojnë formularët e tyre me nga 40 persona të sigurt që do të votojnë në favor të së djathtës, ky shantazh pritet të sjellë edhe zhgënjimin e tij. Nga burime të gazetës mësohet se degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë nisur një “fushatë” prej tre muajsh, ku po skedojnë votuesit e sigurt në favor të tyre. Për të arritur një numër sa më maksimal në kushtet që një pjesë e mirë e demokratëve kanë mbetur të zhgënjyer, drejtuesit e degëve të PD-së në rrethe u kanë kërkuar drejtuesve të institucioneve që të shantazhojnë punonjësit e administratës, duke i kërcënuar me vendin e punës. Një pjese të mirë të mësuesve dhe punonjësve të tjerë të administratës u janë kërkuar fotokopjet e kartave të identitetit. Me këto fotokopje aktivistët e PD-së përmbushin “detyrat” e lëna nga partia për sigurimin e të paktën 40 votave të sigurta. Ndërsa drejtuesve të institucioneve u kërkohet të sigurojnë të paktën 50 vota të sigurta. Për të faktuar këto vota, u është kërkuar që të sigurojnë fotokopjet e kartave të identitetit të personave që presupozohet të votojnë në favor të PD-së. Pikërisht plotësimi i kësaj “norme” mësohet të jetë një nga arsyet e ushtrimit të presionit ndaj administratës. Por, nga burime të gazetës, mësohet se një pjesë e mirë e këtyre drejtuesve apo aktivistëve të PD-së që kanë plotësuar formularët me emrat e personave që u kanë marrë fotokopjet e kartave të identitetit, duke ushtruar presione kundrejt vendit të punës, nuk janë edhe vetë të bindur se të gjithë ata do të votojnë për PD-në. Sipas burimeve, pritet që të ketë një firo jo të vogël, krahasuar me statistikat e hartuara nga degët e PD-së në rrethe, të cilat mund të sjellin një “zhgënjim” për qendrën e kësaj partie në Tiranë. E. Hoxhaj
SHQIP
Add new comment