Drejt refuzimit

Partia Demokratike e Kosovës po bëhet gati për t’i dhënë një përgjigje negative Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës rreth çështjes së koalicionit. Burime të Express thonë se Hashim Thaçi do ta refuzojë kërkesën e Ramush Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë. Krejt kjo shtyri të enjten zëdhënësin e AAK’së, Ernest Luma, ta quajë kreun e PDK’së të pabesë.
Partia Demokratike e Kosovës po përgatitet t’i japë përgjigje zyrtare negative Liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj, në lidhje me një koalicion të ri mes këtyre dy partive.
Burime të Express kanë treguar se Lideri i PDK’së nuk e ka në plan t’i ofrojë postin e Kryeministrit Haradinaj.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë një ditë më parë se po pret fundin e javës për të parë nëse koalicioni me PDK do të ndodhë ose do të shpallet i dështuar.
“Kryetari i PDK’së e ka përsëritur edhe publikisht se nuk dëshiron të negociojë me askënd postin e Kryeministrit. Kjo është edhe përgjigja që do t’i jepet AAK’së dhe Ramush Haradinajt”, ka thënë njëri prej udhëheqësve të PDK’së.
Edhe zyrtarët e AAK’së të enjten kanë dhënë sinjale se po dështon nisma e Ramush Haradinajt për të hyrë në koalicion me PDK’në.
Zëdhënësi i AAK’së, Ernest Luma, nëpërmjet rrjeteve sociale është marrë me personalitetin e Liderit të PDK’së.
Për Hashim Thaçin ka thënë se është i pabesë, duke i premtuar se do t’i organizohet edhe atij një pritje madhështore në aeroport pasi të kthehet prej “ekzili”.
“Rrena dhe pabesia e fundit e Hashim Thaçit po merr fund. Kështu po më duket. Ndërsa, Qeveria e ardhshme e Kosovës garanton një pritje madhështore në aeroport, kur Hashim Thaçi do të kthehet nga 'ekzili' eventual i tij. RESPEKTE”, ka shkruar Luma në Facebook
Në fakt, Lideri i PDK’së pati organizuar pritje shtetërore për Ramush Haradinajn, kur ky i fundit ishte kthyer nga Haga.
Në këtë situatë, Haradinaj pati deklaruar se dëshiron të merr postin e Kryeministrit në një koalicion me PDK’në.
Ai madje kishte përmendur edhe mundësinë e ndryshimeve edhe në Presidencë vetëm e vetëm për të arritur të bëjë ndryshime në udhëheqjen e shtetit.
Por, të mërkurën, gjatë një vizite në FSK, Haradinaj ka dhënë shenja se po i vjen fundi pritjes për të marrë postin e kreut të Qeverisë.
“Për pak ditë, nuk bëhet fjalë edhe për javë, do t’i shohim epilogun e një mundësie të këtillë. Pra, vetvetiu po mbërrijmë te një epilog. Me vjen keq nëse kjo ka shkaktuar dilema ose çfarëdo qoftë tjetër, por me siguri se do të vijë deri te ky epilog”, ka deklaruar ai.
Lideri i AAK’së ka deklaruar se nëse nuk ndodh koalicion me PDK’në, atëherë do të punojë për të ardhur në krye të Qeverisë përmes një procesi të rregullt zgjedhor.
Megjithëse janë afruar mes veti, zyrtarët e PDK’së dhe ata të AAK’së kanë pasur raporte shumë të këqija.
Akuzat më të rënda mes këtyre dy partive kanë ndodhur në vitin 2009. Haradinaj kishte bërë akuza për krim, korrupsion dhe dëmtim të shtetit nga PDK’ja. Përgjigja e PDK’së për Liderin e AAK’së ka qenë se Haradinaj është i përfshirë në reketimin e bizneseve, në haraç, në krim të organizuar me kriminelët në Veri. Madje, zyrtarët e PDK’së kishin thënë se Haradinaj ka pasuri të madhe në Prishtinë, Prizren, Tiranë, Durrës, Brezovicë, Monte Carlo dhe në Dubai.
EXPRESS
Add new comment