Dorëhiqet anëtarja e KQZ-së Albana Shtylla

Pas lajmit se zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dha dorëheqjen nga detyra, të njëjtin vendim mori edhe Albana Shtylla, anëtarja e KQZ-së e propozuar nga Partia Socialiste.
Zonja Shtylla dorëzoi kërkesën për dorëheqje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas zhvillimeve të fundit me zëvendësimin e një prej anëtarëve të këtij institucioni, me vullnetin e maxhorancës që bashkoi votat e saj me ato të tre ish-deputetëve socialistë.
Mësohet se zonja Shtylla nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat, pas dorëzimit të kërkesës. Një ditë më parë ishte Denar Biba, numri dy i KQZ-së, ai që njoftoi dorëheqjen.
“Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica, që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje ndonjërin, edhe duke e cënuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale, që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji, për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi, duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, ka deklaruar Biba.
TOP CHANNEL
Add new comment