Dilemat e Ramës, programi, ekipi i ri, koalicioni

Postuar në 02 Mars, 2013 07:45

 

Kryetari i opozitës i jep fund “epokës” së misionarit pa ideologji, duke prezantuar një program qartësisht të majtë. Por rrugëtimi i tij drejt 23 qershorit kryqëzohet me dilemat e realizimit të premtimeve, rotacionit të gjeneratave në PS dhe tërheqjes së Metës dhe aleatëve të tjerë

 

Tiranë Edi Rama e flaku “dorashkën” e sfidës, në një javë të dominuar prej shenjës së tij. Marshimi i artilerisë socialiste drejt 23 qershorit u hap të premten e Konventës në një skenë vjollcë plot drita e kumt politik, ku kryetari artist, që nuk zhgënjen kurrë për shije e sqimë ishte edhe regjisor, edhe aktor protagonist. E ndërsa jehona e Konventës ende s’ishte shuar, Rama ofroi një tjetër shfaqje këtë të enjte në intervistën-debat me Blendi Fevziun. Një javë që rrëzoi disa dilema e ngriti të tjera rreth tij, por mbi të gjitha e vendosi Ramën në qendrën e një fushe që gëlon nga tensioni. Pasi marshimi i tij drejt karriges kryeministrore, më shumë sesa një vije të drejtë, i ngjan një kalimi me pengesa përmes trekëndëshit: program, ekip, koalicion. Trinitet ky, që 4 muaj para zgjedhjeve, nuk duket krejt në harmoni me estabilishmentin brenda Partisë Socialiste.
Programi: Çfarë, po jo si?
I kritikuar prej vitesh për mungesën e një programi, Rama i ka ofruar tashmë “armatës” së votuesve një paketë voluminoze. Më të, ai i dha njëherazi fund dilemës së misionarit pa ideologji në politikë, duke u shtrirë në shina qartësisht të majta. Taksa progresive, shërbim shëndetësor për të gjithë apo subvencioni për bujqësinë komentohen prej analistëve si reforma majtiste, që lartojnë rolin e shtetit në punët e shoqërisë. E ndërsa oferta “Rama” është tashmë e qartë për shqiptarët, dyshimet vërtiten rreth mjeteve dhe mundësive për t’i realizuar premtimet spektakolare. Për më tepër në një kohë krize! I pyetur nga MAPO për programin e PS, Armand Shkullaku pohon se: “Është pa diskutim një program i majtë, por i mungon arsyetimi i fortë se si qeveria e ardhshme do të thithë paratë për të mbushur buxhetin e shtetit”. Ndërsa analisti Dritan Hila e hedh vështrimin edhe në fushën e kundërshtarit, prej të cilit ende nuk është prezantuar një draft i plotë premtimesh. “Gjithsesi, është një program më i mirë se sa mund të sjellë fantazia e shteruar e një mazhorance që kërkon të qeverisë dymbëdhjetë vjet”,- përgjigjet Hila për programin e PS. Vetë Rama, në fjalimin e tij të gjatë e plot nerv në Konventë la të kuptohej se ka ende shumë punë për t’u bërë. “Ky është një draft-projekt politik, jo një program qeverisës”,-sqaroi ai, ndërsa la të kuptohet se gjatë javëve në vazhdim, paketa e PS do t’i japë përgjigje edhe pyetjes si…
Ekip i ri, pakënaqësi të vjetra
Pas 23 vitesh tranzicion politik, të gjithë duket se bien dakord për nevojën e një gjenerate të re në politikë. Megjithatë, dilema e fatit të të vjetërve duket se do ngatërrohet nëpër këmbët e Ramës, në këtë pjesë të mbetur të fushatës. Në Konventën e së premtes së kaluar, kreu i opozitës e bëri lëvizjen e tij: ngjiti në podium njerëzit e promovuar prej tij në PS (me ndonjë përjashtim). Nuk ishte e vogël habia se si personalitete të forta brenda së majtës si Ruçi, Majko, Fino apo Dokle qëndronin në sallë, pa pasur mundësinë të thonë fjalën e tyre. Skaleta e Ramës nuk ndryshoi edhe pas përpjekjes së Erion Braçes për të folur, rreth çështjes delikat të taksimit. Ndërsa shumë të tjerë ndjehen të riskuar, kur paralelisht me programin, në zyrën e Ramës po përgatiten edhe listat e kandidatëve për deputetë. Analisti Artan Hoxha thotë se edhe pse i dobishëm në vetvete, kur promovimi i disa figurave krijon pakënaqësi të gjera shndërrohet në problem e kosto. “Ndryshe nga PD, e cila para zgjedhjeve 2005 kreu një operacion të plotë riorganizimi, duke prezantuar një ekip kompakt të përbërë nga themeluesit dikur të larguar, qëndrestarët dhe të rinjtë e KOP, tre pjesë në harmoni mes tyre dhe me kryetarin Sali Berisha, promovimi në PS nuk duket i natyrshëm”,-thotë ai. Por a nuk ka të drejtë një kandidat për kryeministër të zgjedhë ekipin e tij? Dritan Hila komenton se Rama, njësoj si Nano dhe Berisha është një prej sponsorëve të mëdhenj të politikanëve të rinj. “Në 23 qershor, do kemi një Vaaterloo shqiptare. Humbësi pas kësaj date, do ketë kohë të bëjë analiza e të gjejë se kush ishte Grushija e kush Konti Bernadotte”,-thotë ai. Por më së pari, Ramës do t’i duhet të menaxhojë të pakënaqurit e të kompaktësojë skuadrën para dhe pas ditës së votimit.
Me Metën, pa Metën?
Kryetari i PS-së ka prezantuar prej javësh koalicionin zyrtar, duke e lënë të hapur rreshtin e vagonëve në trenin e tij. Sepse dilema që duket se ngacmon prej kohësh Ramën e ka emrin Ilir Meta. Bashkimi me ish-aleatin e dikurshëm blindon sondazhet e Partisë Socialiste, edhe pse ekziston rreziku i rebelimit të një segmenti të partisë rreth këtij aliazhi. E sikur të mos mjaftonte Meta, kalkulimit politik i janë shtuar edhe partitë e reja të Bamir Topit e Kreshnik Spahiut, të cilët nuk po i “binden” apelit të Ramës për krijimin e një aleance të madhe anti-Berishë. Përtej këtyre dilemave, Rama ka nisur tashmë sprintin e tij drejt përballjes ndoshta finale me Berishën. Një marshim përmes Shilës dhe Karibdës, ku sfidanti ka shënuar tashmë një avantazh: është edhe regjisori, edhe aktori protagonist i një fushate, fundi i së cilës do të shkruhet më 23 qershor.
Artan Hoxha: Programi i PS absurd,
por Ramës nuk i mungon shija

1-Partia Socialiste ka dominuar skenën politike të javës me programin e saj qeverisës, një paketë që ka në qendër taksën progresive, por edhe reformat në shëndetësi, rend apo bujqësi. Ç’vlerësim keni për këtë program? A jep ai garanci për një platformë qeverisëse të suksesshme?
Konferenca e PS e javës së kaluar, që zyrtarisht iu dedikua programit të kësaj partie për zgjedhjet, nuk shtoi asgjë të re, të paparë a të padëgjuar, në krahasim me programin “Rilindja Shqiptare”, program ky që u miratua në Kongresin e PS në tetor 2011. I vetmi ndryshim ishte që ndërsa në nëntor 2011, programi u dha me shkrim, në shkurt 2013, një vit e gjysmë më pas, programi u dha me gojë. Problemi i programit të PS fillon që në pikënisje, tek dy pohimet bazë të tij: i) Pasuria po përqendrohet tek një pakicë prej 5% të shqiptarëve ndërsa të tjerët varfërohen ii) që vendi ka 1 milion të papunë. Sipas PS, koncentrimi i pasurisë dhe thellimi i pabarazisë si dhe papunësia e këtillë – për PS këto janë fakte të padiskutueshme – janë produkt edhe i tregut të deformuar, edhe i privilegjeve që ofron qeverisja e korruptuar e kësaj mazhorance. Nga këtu, PS del me idenë e ngushtimit të pabarazive edhe përmes mekanizmit të taksës së rritur për të pasurit dhe të ulur me të varfrit, edhe përmes anulimit të kontratave koncesionare privilegjuese, edhe shëndetësisë pa sigurime shëndetësore edhe përmes premtimit se ata do jenë engjëj në qeverisje. Për shkak të pikënisjes absurde, edhe programi i PS bëhet absurd. Kushdo ka vënë re mungesën e përgjigjeve nga PS mbi pyetjet e shtruar nga gazetarët se: si do punësojnë 300 mijë vetë në katër vite, dhe 1 milion në 3 mandate e gjysmë; se si do trajnojnë brenda një viti të gjitha gratë e papuna, pra të paktën 500 mijë a ndoshta edhe 600 mijë gra nga “1 milion të papunë”, e kur kapen gafil, kujtohen pas katër ditësh të thonë se flasin veç për 72 mijë gra të regjistruara të papuna, që do t’i punësojnë në dy vite dhe trajnojnë në një vit dhe jo për 500 mijë fatkeqet, që me këtë interpretim të ri nuk gjen më ndonjë zgjidhje të dedikuar as në “Rilindjen Shqiptare” e as në fjalimet fjalëshuma të Edi Ramës; s’dinë të përgjigjen se si do plotësojnë të ardhurat në buxhet nga ulja e taksave për 95% të shqiptarëve “të varfër”, ndërsa s’po guxojnë ende të thonë se sa do t’i rrisin taksat për 5% të shqiptarëve “të pasur” dhe bizneset e këtyre, s’dinë të shpjegojnë se si do të financojnë shëndetësinë pa sigurime shëndetësore, apo se si do të dyfishojnë shpenzimet për arsimin e dhjetëfishojnë shpenzimet për punësimin e se kur ngecin në përgjigjet për “taksën e ndershme” kërcejnë tek “qeverisja e ndershme”. Deri më sot, PS ka bërë monolog, por shumë shpejt, sapo të përballet në debate reale me kundërshtarin do dalë qartësisht në pah absurdi i programit socialist.
2-Përveç përmbajtjes, Partia Socialiste u prezantua në Konventën e javës së kaluar e ndryshme edhe në imazh. U promovuan figura të reja, ndërsa u lanë në hije politikanët më në zë të kësaj partie. Cili është komenti juaj për prezantimin e Ramës me një ekip të ri, fare pranë zgjedhjeve të 23 qershorit? A sjell kjo rrezik për përçarje e konflikte të reja në PS?
Pyetja juaj përmban në fakt edhe përgjigjen brenda, pasi promovimi i figurave të reja është e dobishme në vetvete dhe e domosdoshme për një parti në opozitë, por një promovim që krijon pakënaqësi të gjera shndërrohet në problem e kosto. Promovimi duhet të vijë natyrshëm dhe i bazuar në vlera e kontribute që nuk vlerësohen vetëm nga kryetari Edi Rama, por edhe pranohen gjerësisht nga anëtarësia socialiste. Kjo mesa duket, nuk ka ndodhur në PS ndryshe nga PD, e cila para zgjedhjeve 2005 kreu një operacion të plotë riorganizimi, duke prezantuar një ekip kompakt të përbërë nga themeluesit dikur të larguar, qëndrestarët dhe të rinjtë e KOP, tri pjesë në harmoni mes tyre dhe me kryetarin Sali Berisha. Por ama, ngjyrat, efektet skenike dhe interpretimi i aktorëve s’kishin të sharë, e të paktën për këtë i duhet njohur merita Edi Ramës. Nuk i mungon shija!

Dritan Hila: Më 23 qershor do
të kemi një Ëaterloo shqiptare
1-Partia Socialiste ka dominuar skenën politike të javës me programin e saj qeverisës, një paketë që ka në qendër taksën progresive, por edhe reformat në shëndetësi, rend apo bujqësi. Ç’vlerësim keni për këtë program? A jep ai garanci për një platformë qeverisëse të suksesshme?
Është një pyetje që do donte një përgjigje më të gjatë se programi. Telegrafikisht, them se taksa progresive është karakteristikë e kapitalizmit modern. Taksa e sheshtë, përdoret nga vendet në tranzicion dhe me administratë të dobët që nuk janë në gjendje të grumbullojnë të ardhurat. Në shëndetësi, programi socialist, është vazhdimi i një projekti që e filluan po socialistët në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, dhe po e vazhdon Berisha sot. Me të vetmin ndryshim se socialistët që do vijnë në pushtet, duan të heqin deformimin dhe klientelizmin që i është bërë skemës, duke i ofruar mundësinë e jetës të gjithëve. Në rend, pas fotove që kemi parë, dhe statistikave që jepen përditë, nuk mendoj se është kush që shpreson se kjo qeveri mund të sjellë një qetësim të gjendjes. Ministri aktual i rendit, është një ekzagjerim i emërimeve sarkastike të Sali Berishës. Gjithsesi është një program më i mirë se sa mund të sjellë fantazia e shteruar e një mazhorance që kërkon të qeverisë dymbëdhjetë vjet.
2-Përveç përmbajtjes, Partia Socialiste u prezantua në Konventën e javës së kaluar e ndryshme edhe në imazh. U promovuan figura të reja, ndërsa u lanë në hije politikanët më në zë të kësaj partie. Cili është komenti juaj për prezantimin e Ramës me një ekip të ri, fare pranë zgjedhjeve të 23 qershorit? A sjell kjo rrezik për përçarje e konflikte të reja në PS?
Ka ardhur koha e ndërrimit të gjeneratave në PS, qoftë edhe nga ana statistikore, ku një brez llogaritet çdo 23-25 vjet. Edi Rama është vetëm ekzekutori material i kësaj domosdoshmërie biologjike. Sa i takon Gramoz Ruçit, Servet Pëllumbit, Namik Dokles, Arta Dades, Luan Hajdaragës, dhe të tjera figura emblematike të gjeneratës së parë socialiste, kanë dëshmuar se asnjëherë nuk kanë pretenduar të jetë violinë e parë, dhe nuk e djegin jorganin për një plesht. Ndaj nuk besoj se do marrin flamurin e shizmës sot. Ata siguruan tranzicionin dhe unitetin e partisë pas trandjes që pati me humbjen e pushtetit. Një mandat tjetër përfaqësimi në parlament për secilin prej tyre do jetë edhe shprehja e mirënjohjes dhe vazhdimësisë. Të tjerë socialistë, që kanë qenë ministra në periudhën ’97-’05, emblema të korrupsionit, që rrinin squkë përpara sulmeve të Berishës, përgjegjës për humbjen e këtij formacioni përballë një kufome politike, dhe sot mbahen si kërthiza e së majtës, bëjnë mirë të kujtojnë se mandatet e tyre, i kanë fituar me gjyqe dhe pakte të fshehta me Berishën apo lejtnantët e tij. Asnjë e keqe nuk i vjen socialistëve nga ikja e tyre. E shumta bëjnë lajm për median. A ka risi në formacionin e ri socialist? Patjetër që ka, dhe mes tyre ka talente të lindura për politikë, ashtu siç ka të atillë që sado t’i sponsorizojë Rama, nuk kanë për të ngjitur. Rama, Nano, dhe Berisha, janë sponsorët më të mëdhenj të politikanëve të rinj. Dikush ka ecur e dikush ka qenë fiasko. Në 23 qershor, do kemi një Ëaterloo shqiptare. Humbësi pas kësaj date, do ketë kohë të bëjë analiza e të gjejë se kush ishte Grushija e kush Konti Bernadotte.
Shkullaku: Programi i PS më shumë
premton, sesa garanton zhvillim ekonomik

1-Partia Socialiste ka dominuar skenën politike të javës me programin e saj qeverisës, një paketë që ka në qendër taksën progresive, por edhe reformat në shëndetësi, rend apo bujqësi. Ç’vlerësim keni për këtë program? A jep ai garanci për një platformë qeverisëse të suksesshme?
Fakti se PS ka qenë në qendër ishte e pritshme, pasi është programi i partisë më të madhe opozitare, që konkurron për të ardhur në pushtet. Vëmendja mediatike ndaj këtij programi ka qenë maksimale. Sa i takon analizës konkrete të programit, sigurisht që ajo merr shumë kohë. Ka ekspertë që e kundërshtojnë, dihet që problemet kryesore janë ato për sa i takon taksimit dhe perspektivës së zhvillimit të disa sektorëve të ndjeshëm. Pikë tjetër që ha diskutim është ajo e sigurimeve shëndetësore, që sipas programit të Partisë Socialiste do të eliminohen: do të kemi një shërbim edhe për ata njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë. Por edhe subvencionet në bujqësi, sepse edhe ato e implikojnë goxha buxhetin e shtetit në atë që ka marrë përsipër Partia Socialiste, nëse vjen në pushtet. Nëse e gjykon këtë program, unë me pak fjalë do të thosha që është një program që synon më shumë drejt asaj se si do të lehtësohen taksapaguesit apo bizneset dhe si do të investohet në sektorët publikë. Por ka një pikëpyetje të madhe sesi shteti do t’i vjelë paratë. Pra, nga do të vijnë këto para, me anë të së cilës do të krijohen ato lehtësira që premton Partia Socialiste? Është pa diskutim një program i majtë, por i mungon arsyetimi i fortë se si qeveria e ardhshme do të thithë paratë për të mbushur buxhetin e shtetit. Kjo pjesë të vë në dyshime dhe meriton analizë më të gjatë. Në këtë këndvështrim, unë anoj ose kam dyshimin, pa dashur të paragjykoj aspak Partinë Socialiste sesi do të qeverisë nesër, se ky program më shumë premton, sesa garanton një zhvillim ekonomik në ato parametra që paraqet. Parametrat e zhvillimit janë tepër të lartë dhe aty brenda ka argumentime dhe premtime te një shkalle të lartë, që duam apo s’duam, të bëjnë të dyshosh se mos kemi të bëjmë me premtime elektorale, sesa me mundësi reale që një qeveri, e majtë apo e djathtë qoftë, në kushtet që ndodhet Shqipëria sot, të arrijë t’i realizojë.
2-Përveç përmbajtjes, Partia Socialiste u prezantua në Konventën e javës së kaluar e ndryshme edhe në imazh. U promovuan figura të reja, ndërsa u lanë në hije politikanët më në zë të kësaj partie. Cili është komenti juaj për prezantimin e Ramës me një ekip të ri, fare pranë zgjedhjeve të 23 qershorit? A sjell kjo rrezik për përçarje e konflikte të reja në PS?
Ka pasur herë pas here pakënaqësi në PS. Kohët e fundit, ato janë shtuar ndjeshëm. Kjo është e pritshme, sigurisht në momente kur janë duke u përgatitur listat e kandidatëve për deputetë dhe mendohet fitorja e ardhshme dhe ndarja e posteve. Pakënaqësitë i shoh të lidhura me këtë. Sa i takon paraqitjes vizuale, Rama ka shumë defekte sa i takon përmbajtjes, por në formë ka bërë dallim nga politikanët e tjerë shqiptarë. Në këtë rast është zgjedhje e tij, që duke ndryshuar ngjyrën e partisë, ka ndryshuar edhe ekipin. Pra, kemi një lider që tashmë u bë 7 vjet në krye të PS, që ka zgjedhur ekipin me të cilin mendon se e ka më të sigurt fitoren. Nga njëra anë, ky është vlerësim, nga ana tjetër do të thosha që një ekip që e zgjedh vetë, të jep garanci për një zgjatim politik edhe në rast humbjeje.

 

 

 

MAPO

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Jo takse e sheshte jo takse me gunga.Ekonomia shqiptare eshte ne kolaps te plote.Kush taksohet me taksen e sheshte?Sa jane subjektet qe paguahìjne taksen e sheshte ne Shqiperi?Nga i ka te hyrat kryesore buxheti i shtetit?Nga bizneset?Nga taksat e atyre qe taksohen pa gunga?Ne çfare mase?Vetem budallenjte besojne tani tek perrallat e ekonomisteve shqiptare.Sa importon Shqiperia?Sa eksporton?Ti leme menjane te gjitha ,vetem drithera buke sa importon Shqiperia?Ata qe taksohen infermieret dhe punonjesit e administrates nuk kane ndonje rol ne ekonomine kombetare.Eshte nje genjeshter virtuale nga ato te politikes per votat e radhes.Ata e zene se e kane rrogen 50000leke me pak dhe nuk ka ketu te pakten as burokracira per llogaritje te kota e pa qellim.Sa jane punonjesit e sferes se prodhimit qe taksohen?Kjo po ka kuptim te pyesesh.Sa eshte numuri i punonjesve qe paguajne sigurimet shoqerore?Gjithmone flas per firmat private.Ketu meren te dhenat edhe per punesimin.Shqiperia eshte kthyer ne shpk te politikaneve per te shfrytezuar emigracionin tek trau i doganes.Emigracioni mbaroi.Hajdutet nuk mund te qeverrisin me se po ju shterojne rezorset.Do shesin dhe asetet e fundit te trasheguara nga periudha e komunizmit,po pastaj çfare do te bejne shqiptaret?Ka shume pikepyetje kjo puna e pushtetit.Saliu eshte ne panik dhe mundohet te shpetoje çfare te mundi.Urrejta e popullit shtohet me shume nga genjeshtrat dhe prapaganda.Sidomos kur e ke xhveshur per tu mbeshtjelle pafundesisht per vete.Po futen vende te zhvilluara ne spirale te rrezikshme e jo me nje vend me demokraci foshnjore( qe eshte turp ti themi demokraci).Permbysja eshte domosdoshmeri,sidomos ne Shqiperi.Edhe mua nuk ma mbush mendjen programi i Rames.Po ne ca pika ai duhet te jete i qarte.Sidomos me berjen e drejtesise.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.