Digjet shtëpia dhe biznesi i kreut të PS në Prezë, policia: Zjarr i qëllimshëm, gjetëm 8 vatra

Kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale, incidentet me prapavijë politike duket se janë shtuar.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Prezë të Tiranës, ku është djegur banesa dhe biznesi i kreut të PS në këtë fshat, Lavdi Kajmaku. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, fatmirësisht pa pasojë në njerëz, pasi të afërmit e Kajmakut kanë mundur të pikasin flakët duke arritur të shpëtojnë familjarët e tij nga asfiksia.
Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje ku kanë mundur të neutralizojnë edhe flakët, ndërkohë që sipas tyre zjarri ka qenë i qëllimshëm duke qenë se janë konstatuar disa vatra të ndryshme dhe janë gjetur gjurmë benzine.
Kreu i PS në Prezë, Lavdim Kajmaku ka deklaruar se ngjarja ka vetëm prapavijë politike, pasi vazhdimisht u janë bërë presione. Ai ka përjashtuar çdo lloj arsyeje tjetër, pasi siç tha nuk ka konflikt me asnjë njëri. Dëmi në shtëpinë dhe biznesin e kreut të PS së Prezës është shumë i madh dhe llogaritet në 200 mijë euro. Ai ka kërkuar nga shteti të zbardhë menjëherë të vërtetën lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë, në një prononcim më herët, edhe deputeti i PS, Artan Gaçi e ka cilësuar ngjarjen si mirëfilli politike, duke theksuar se familja Kajmaku është në nga më të respektuara e zonës dhe nuk ka konflikte më asnjë njëri. Policia ka nisur menjëherë hetimet lidhur me ngjarjen.
SHQIP
Add new comment