Dhunonte të ëmën, policët rrahin barbarisht të riun në banesën e tij

Pas arrestimit për dhunën që ushtronte ndaj nënës së tij, 17-vjeçari, Fatjon Skënderi, është rrahur barbarisht nga efektivët e policisë në Fushë– Arrëz. Adoleshenti ka pohuar se nuk ua di emrat dy policëve dhunues, ndërsa po t’i shikojë mund t’i identifikojë.
“Ai i kërkonte para nënës së tij, e cila nuk kishte ku t’i merrte. Djali, në inat e sipër e dhunonte sistematikisht të ëmën”, kanë pohuar për GSH-në burime nga policia.
Nëna e ka denoncuar rastin dhe dy efektivët që kanë mbërritur në shtëpi, e kanë rrahur brenda në banesën e tij, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup.
Dy ditë pas ngjarjes Fatjoni ka kërkuar ndihmën e medias për keqtrajtimin e tij nga punonjësit e policisë.
“Ata më goditën me shkop gome në të gjithë trupin. Në një moment, teksa doja t’i shpëtoja dhunës, u përplasa në derë dhe vrava hundën. Shenjat që më kanë mbetur tregojnë qartë dhunën e ushtruar ndaj meje. Dy policët nuk pushonin së godituri. Teksa ata më godisnin, u thashë se do i padisja ku të mundesha, për më tepër që po më rrihnin në shtëpinë time. Nëse unë kisha bërë faj, ata duhej të më merrnin në postën e Policisë dhe të më pyesnin çfarë kishte ndodhur”, shprehet Fatjoni.
Pas publikimit të rastit, dy policët janë rikthyer sërish në familjen Skënderi dhe e kanë detyruar atë të nënshkruajë një deklaratë se nuk është dhunuar prej tyre./A.XH
TEMA
Add new comment