Dhuna ndaj operatorit të TCH, pezullohet Breçani

Pezullohet nga detyra zv.Drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani. Ai është autori i dhunës së ushtruar ndaj operatorit të Top Channel në ambientet e komisariatit numër 1 në kryeqytet pas përfundimit të ndeshjes Tirana-Skënderbeu.
Lajmi i pezullimit të tij nga detyra njoftohet nga Policia e Shtetit dhe vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi të hënën Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë njoftoi zyrtarisht se nuk do të merrte asnjë masë në lidhje me këtë incident të rëndë duke anashkaluar plotësisht dhunën e ushtruar.
Por në përgjigje të këtij rasti të pastër të abuzimit me detyrën dhe pushtetin, gazetarë, operatorë dhe punonjës të medias kanë lajmëruar organizimin e një proteste në orën 12:00 në krah të kryeministrisë, përmes së cilës do të kërkohet marrja e masës urgjente dhe vënien e oficerit përpara përgjegjësisë për këtë akt të rëndë.
Pozicioni i Policisë së Tiranës ka qenë më shumë se i turpshëm duke mohuar cdo përgjegjësi e duke justifikuar dhunën, që dje ra mbi operatorin e Top Channel, por kushdo nesër mund të jete pre e arrogancës dhe abuzimit, jo thjesht një gazetar, por cdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi që shpreson të shohë tek uniformat blu mbrojtësit e sigurisë dhe jo abuzuesit dhe dhunuesit.
“Nesër do të dalim në protestë për dinjitetin e cdo shqiptari për shkak se Policia e Shtetit dhe vecanërisht një polic me emrin Erzen Breçani ka keqtrajtuar një grup qytetarësh mes të cilëve ishte edhe operatori i Top Channel që ndodhej në vendngjarje për të bërë detyrën e vet. Mediat shqiptare kanë për detyrë që të dëshmojnë ngjarjet dhe në këtë rast operatorët janë ata që kanë detyrën më të vështirë sepse duhet të jenë aty, të pranishëm në vendngjarje dhe të ekspozuar gjithmonë ndaj keqbërjeve, dhe rrjedhimisht kur ekziston një kameraman, ekziston edhe përgjegjësia e shtetit dhe aktualisht një kameraman në vendngjarje është keqtrajtuar sepse po bëntë detyrën. Për këtë ne nesër do të dalim në protestë. Policia e Shtetit dhe asgjë nuk do të na ndalojë ne të themi të vërtetën”, deklaroi gazetari Gjergj Erebara.
Policia e Shtetit ka refuzuar gjatë ditës së martë dhënien e lejes për protestën e së mërkurës, por sipas ligjit për tubimet për këtë organizim mjafton njoftimi i strukturave të saj.
Ngjarja e rëndë me abuzimin dhe dhunimin e një kameramani në krye të detyrës mund të ketë hasur në indiferentizimin e drejtuesve të policisë, por duke qenë se kjo protestë shkon përtej solidaritetit me një koleg të tyre, njerëzit e medias i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta përkrahin atë në mënyrë që përgjegjësit e akteve të tilla të dhunës të përgjigjen për abuzimin, por gjithashtu të ndalet abuzimi i personave me pushtet apo uniformë ndaj kujtdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.
TOP CHANNEL
Add new comment