Dervishi: Duhen prova për të çuar në burg Berishën për “21 Janarin”

Dervishi: Duhen prova për të çuar në burg Berishën për “21 Janarin”
25 Janar, 2014 | Postuar në: Aktualitet,Kronika,Kryesore | Shkruar nga: TemA
Select Language▼
Fatos Dervishi, ish/zv.Prokuror i Përgjithshëm në vitet 1992-1997, në një intervistë për Shqiptarja.com thotë se duhen prova për të dërguar një zyrtar apo ish- zyrtar të lartë si Sali Berisha përpara drejtësisë.
“Ajo që unë dua të them është që, ndëshkimi duhet të jetë i shoqëruar me evidencë të plotë absolute. Flitet gjithnjë për korrupsionin, korrupsionin, por asnjë nuk sjell në mënyrë të detajuar dhe të plotë fakte prova me evidenca, për ta çuar deri në fund.
Është e vërtetë që mund të ketë korrupsion. Kushdo që të jenë ata, qoftë kryeministra, ministra, deputetë, shkallët e ulëta të sistemit të qeverisë, duhet të shkojnë para drejtësisë. Normalisht, pa i pasur provat e plota, asnjëherë s’mund të bëjë gjë, dhe drejtësia do të mbetet vetëm me atë rutinën që ndodh në kriminalitetin e zakonshëm të ditës,” thotë Dervishi.
I pyetur nëse ka qenë e plotë dosja kundër Fatos Nanos, e cila e çoi në burg në atë kohë, Dervishi thotë: “Dosja e ish-kryeministrit është në gjykatë, vazhdon të jetë. Është e arkivuar. Çdo gjë është e shkruar, ato ishin hetime. Ne ngritëm vetëm akuza, gjykata e provoi si fajësinë ashtu dhe pafajësinë”.
Duke folur për “21 Janarin”, Dervishi thotë: “Hetimi do të kishte qenë shumë më i saktë e shumë më i shpejtë nëse brenda 48 orëve do të ishte punuar fuqimisht, nëqoftëse brenda 48 orëve do ishte bllokuar gjithë ajo sipërfaqe e do të ishte kontrolluar cep më cep. Do ishim mbledhur gëzhoja, do të ishin pyetur dëshmitarë, normalisht do të kërkohej identifikimi i dhunuesve të organit shtetëror që ishte nën ruajtje, qoftë dhe të policëve”.
Duke folur për luftën ndaj korrupsionit, Dervishi thekson: “Tani si mund të vërtetosh korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin? Ajo që mund të them unë është se kjo mund të vërtetohet thjeshtë, duke u verifikuar pasuritë e tyre, për të parë nëse vijnë në përputhje të plotë me të ardhurat zyrtare që ata kanë. Nëse ato s’kanë përputhje, ju por dhe qytetarët e thjeshtë moralin e fabulës e kuptoni vetë, fare qartë”.
Tema
Add new comment