Dekretet e Nishanit, sot prova në Kuvend

Partitë e koalicionit qeverisës, PD dhe LSI, do të vendosen sot sërish përpara provës për votimin e tri dekreteve, Xhezair Zaganjori për në Gjykatën e Lartë dhe Gani Dizdari e Besnik Imeraj në Kushtetuese.
Pas dështimit të marrëveshjes në seancën e të enjtes, kur katër deputetët e LSIsë nuk pranuan të votonin emrat e gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti Nishani, pritet të shihet nëse do të ketë një pakt mes palëve. Burimet ende nuk shprehen të sigurt për votimin e këtyre emrave, pasi LSI-ja vazhdon të kërkojë që së bashku me këta tre emra të votohet edhe dekreti i Artan Hoxhës për në Gjykatën Kushtetuese.
Ky ishte shkaku që çoi në heqjen nga rendi i ditës në seancën e fundit të dekreteve. Të kontaktuar ditën e djeshme, deputetët e PD-së thanë se ende nuk janë lajmëruar për votimet e seancës, ndërkohë që kur ka pasur ligje të rëndësishme për t’u miratuar prej tyre, është kërkuar që të mos mungojnë në Parlament.
Në momentin e votimit, të enjten në radhët e maxhorancës mungonin Kryeministri Berisha, deputetët e LSI-së, Ilir Meta, Lefter Koka dhe ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, por dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Këto mungesa bënë që maxhoranca të mos kishte 71 deputetë dhe ligjet e futura në rendin e ditës u miratuan me 69 vota.
PANORAMA
Add new comment