Dekretet e ministrave dhe Gjykata e Lartë, Berisha takon Nishanin

Postuar në 03 Prill, 2013 03:11

 

Takimi mbahet sekret. Islami, Selami, Shehu, emrat e parë për ministra

BLEDAR HOTI
Zhvillimet politike brenda mazhorancës dhe qeverisë përfshijnë në mënyrë të rrufeshme Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Kryeministri Sali Berisha, pas bërjes publike në faqen e tij “Facebook” të ikjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, i ka hipur makinës së tij me targë 007 Z, për të ikur disa metra larg Kryeministrisë, me destinacion selinë e Presidencës. Në orën 10:30, Berisha është futur në Presidencë për t’u takuar me Nishanin, për të biseduar në lidhje me situatën e re politike dhe ekzekutive të krijuar. Largimi zyrtar i LSI-së pritet të pasohet me heqjen e tre ministrave në kabinetin Berisha, ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, zv.kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto dhe të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Sipas burimeve, mësohet se takimi ka zgjatur për rreth 30 minuta. Kryeministri doli nga selia e Presidencës në orën 10:54 për t’iu drejtuar më pas takimit të parashikuar në Fushë-Krujë. Presidenca nuk bën të ditur natyrën e këtij bashkëbisedimi, duke mos mohuar se një takim i tillë ka ndodhur mes dy drejtuesve kryesorë të shtetit shqiptar.

Emrat e ministrave
Në ambiente politike, si brenda dhe jashtë PD-së, janë në pritje të asaj se çfarë do të vendosë Kryeministri, kur tashmë përflitet ndonjë emërim i ri ministrash, pas largimit të tre përfaqësuesve të LSI-së. Përflitet se Berisha mund të emërojë si ministër deputetin e pavarur, Kastriot Islami. Berisha, pas takimit me Metën dy ditë më parë, zhvilloi në zyrën e tij edhe një tjetër takim me deputetin Islami. Ai prej kohësh po voton pro ligjeve dhe pro dekreteve të Presidentit. Berisha mund t’i ofrojë dhe një post ministror PDIU-së, por një gjë e tillë mund t’i drejtohet edhe PBDNJ-së. Njëra këto dy parti duhet të qëndrojë në koalicionin qeveritar. Ndërsa emrat e përfolur si kandidatë për ministra janë dhe Eduard Selami, Tritan Shehu. Edhe pse Berisha nuk reagoi në konferencë për emrat e përfolur.

Mocioni i besimit dhe i mosbesimit
Ende nuk dihet nëse do të ketë një kërkesë për votëbesim nga ana e Kryeministrit para Parlamentit përballë kësaj situate të re të krijuar. Burimet theksojnë se një opsion i tillë mund të përjashtohet, pasi Berisha mund të pranojë variantin e paraqitjes së tre emrave të rinj në kabinetin qeveritar. Ndërkohë që opsioni tjetër lidhet dhe me faktin nëse opozita mund të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mund të duket si i parealizueshëm për sa i përket numrit të votave. PD-ja, kur në koalicion kishte LSI-në, zotëronte 73 vota pro. Me ikjen e katër votave të LSI-së, PD-ja me aleatët e tjerë si PR, PDIU mbeten me 69 vota. Nga kampi i majtë kemi një tjetër zhvillim, pasi deputeti i PS-së, Asllan Dogjani deklaroi shkëputjen nga grupi socialist. Kështu ikja e Asllan Dogjanit nga PS-ja, vota e Islamit apo dhe e deputetit tjetër të pavarur Dritan Prifti, mund të sigurojë qëndrimin e Berishës si Kryeministër. Në këtë kuadër duhet të merret në konsideratë dhe qëndrimi i PBDNJ-së, ku Vangjel Dule duket sikur është i shkëputur nga PS-ja. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në një reagim të tij publik hodhi poshtë idenë e përfshirjes në qeveri. “Miqtë e mi, nuk ka asnjë të vërtetë në spekulimet për emrin tim. PDIU dhe unë ka vetëm një prioritet: Miratimin e Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame!”, shkruan Idrizi në Facebook.

Dekretet dhe Gjykata e Lartë
Mes Presidentit dhe Kryeministrit mund të jetë diskutuar dhe në lidhje me vakancat që u krijua në Gjykatën e Lartë. Pas votimit nga Kuvendi të Gani Dizdarit dhe Besnik Imerajt në Gjykatën Kushtetuese, kanë mbetur dy vende bosh në Gjykatën e Lartë. Kështu që Presidentit i duhet të propozojë dy emra të rinj në Gjykatën e Lartë. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë deklaruan dje zyrtarisht mbarimin e mandatit të dy anëtarëve të saj, Dizdari dhe Imeraj, pas paraqitjes zyrtare të dorëheqjes së tyre. Gjykata e Lartë gjithashtu ka mbetur dhe pa kryetarin e saj, pasi Shpresa Beçajt i ka mbaruar mandati si anëtare. Kuvendi zgjodhi dy ditë më parë Xhezair Zaganjorin si anëtar të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga propozimi i Presidentit, emri i të cilit zgjidhet nga radhët e anëtarëve të gjykatës. Më pas, Kuvendi duhet të japë pëlqimin për emrin e propozuar nga kreu i shtetit si kreun e kësaj gjykate. Nuk dihet ende nëse Presidenti Nishani do të zhvillojë konsulta sërish me partitë parlamentare për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë apo dhe kreun e këtij institucioni. Por ikja e katër votave të LSI-së duket se ka sjellë një realitet të ri, si në ambientin politik ashtu dhe në institucionin ligjvënës, Parlamentin. LSI-ja, dy ditë më parë, votoi pro tri dekreteve të Presidentit Nishani, por tashmë ajo e quan veten jashtë koalicionit qeveritar.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.