Degradon gara në PD/ Berisha në alarm për të shmangur mbështetjen publike për Bashën

Postuar në 09 Korrik, 2013 15:06

Sali Berisha, kryetar në detyrë i Partisë Demokratike, u ka dërguar një mesazh me SMS gjithë strukturave të Partisë Demokratike, në të cilën u kërkon të shmangin mbështetjen publike për ndonjërin nga kandidatët.

Mesazhi pason daljen publike të njerëzve më të afërt të Berishës në mbështetje të Bashës.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, kishte publikuar në faqen e saj mbështetjen e hapur për Bashën, ndërsa presidenti Bujar Nishani prej dy ditësh pret në rezidencën e tij struktura të Partisë Demokratike nga Tirana, kryesisht zona e Kombinatit, ku i udhëzon të votojnë për Bashën.

Vetë Familja Berisha nuk e fsheh mbështetjen në publik, ndërsa njerëzit më të afërt të Berishës po lëvizin në gjithë vendin për të përçuar mesazhin për pasardhësin e ri.

Këto gjeste kanë nervozuar struktura të PD-së që mbështesin Olldashin dhe duket se pavarësisht lojës, tensioni po rritet.  Një drejtues i Partisë Demokratike në Korçë i tha gazetës Tema se nëse vazhdon presioni me këtë ritëm, partia mund të ndahet dhe zgjedhjet të prodhojnë përçarje.

Berisha, i cili duket se e ka kuptuar tensionin, ka nisur këtë SMS për strukturat e partisë të martën në drekë.

 

Mesazh tejet i rëndësishëm për shpërndarje të menjëhershme për kryetaret dhe sekretarët e PD-së së rretheve dhe grupseksioneve të Tiranës:

“Gara për liderin e ri të PD-së në tërësi po ecën shumë mirë dhe për këtë keni urimet e mia më të mira. Por gjatë ditëve të fundit nga informacione të sigurta nga baza janë identifikuar disa raste zyrtaresh të administratës dhe ndonjë partiak që në kundërshtim të hapur me udhëzimin tim kanë: 1- bërë fushatë të hapur për kandidatin e preferuar, 2- ka pasur ndonjë rast që në sharlatanizëm të plotë kanë folur pa asnjë autorizim në emër edhe të drejtuesve të tjerë kryesorë të PD-së. Ndaj tyre janë marrë të gjitha vendimet që meritojnë. Ju kërkoj që të mos lejoni asnjë njeri të abuzojë me procesin tonë transparent. Përgjegjësinë, të drejtën dhe besimin e plotë për organizimin e procesit në territorin e degës/grupseksionit tuaj e keni vetëm ju!

Përshëndetje,

Kryetari në detyrë i PD-së, Sali Berisha”

 

Sipas sondazheve të bëra brenda PD-së, nëse zgjedhjet do të bëheshin me statutin aktual të partisë, kryetar i PD-së do ishte Sokol Olldashi.

Ndryshimi i rregullave të lojës nga Berisha për shkak të pafuqisë së Bashës për të fituar me struktura, ka bërë që të rriten shanset e manipulimit me anëtarin e paregjistruar dhe të shpallet fitues.

Basha është zyrtari rekord i PD-së në pushtet.

Pas tete viteve në pushtet ai do të vazhdojë të jetë kryetar bashkie dhe më pas do të udhëheqë opozitën pa provuar kurrë të jetë në opozitë.

Shumica e re ndjehet komode me Bashën për shkak të lidhjeve të tij me Ilir Metën dhe vulnerabilitetit si ish- zyrtar i akuzuar për korrupsion dhe vrasje.

Dhe vetë Basha po bën kujdes të mos shkaktojë asnjë polemikë me LSI-në.

Edhe pse LSI është në shumicën e re, Basha nuk ka ndërmarrë asnjë heqje nga puna të anëtarëve të LSI që ka punësuar në Bashki.

Teza e tij e vetme është se me LSI-në do të rikthejë PD-në në pushtet.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.