Debati për arrestin Ish-ministri i Perusë kërkon azil politik në Shqipëri

Tiranë Ish-ministri i kërkuar nga Peruja, Augusto Blacker Miller është tashmë një azilkërkues në Shqipëri. Biznesmeni që mblodhi rreth vetes shumë dyshime e u kthye madje në objekt akuzash në arenën politike shqiptare, rezulton të ketë kërkuar strehim pranë autoriteteve shqiptare të Migracionit. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme i tha dje MAPO-s se kërkesa për azil në Shqipëri është bërë nga vetë Miller pak ditë pas publikimit të lajmit se ai kërkohej me ngulm nga vendi i tij i origjinës. “Augusto Blacker Miller ka aplikuar për leje qëndrimi pas kërkesës së tij për strehim nga Shqipëria. Të dyja këto kërkesa janë në shqyrtim nga autoritetet”, – sqaroi burimi i MAPO-s. Zbulimi i ardhjes në Shqipëri të ish-ministrit të Jashtëm, të kërkuar për grusht shteti dhe polemikat për biznesin e impiantit të mbeturinave ngritën dyshime mbi autoritetet shqiptare të sigurisë. E ndërsa nga Peruja pretendohet për një ekstradim të mundshëm, Miller ndodhet tashmë në pritje të marrjes së statusit të azilantit në Shqipëri. Lëvizjet e Perusë Përtej deklaratave publike, shteti peruan ka nisur edhe lëvizje konkrete për ekstradimin e Augusto Blacker Miller. Larg vëmendjes së publikut, në fillim të kësaj jave ka mbërritur në Tiranë një përfaqësues i konsullatës peruane në Athinë, i cili ka kërkuar shpjegime për lirimin e ish-zyrtarit. Ky i fundit mësohet se ka shprehur protestë për sjelljen e autoriteteve shqiptare, ndërsa ka marrë prej tyre shpjegime në lidhje me rastin. Të njëjtat burime shpjegojnë se arrestimi i Augusto Blacker Miller nuk është kryer, për shkak se ai nuk rezultonte mes të kërkuarve me kartelë të kuqe nga Interpoli. Autoritetet shqiptare pretendojnë se Interpoli me qendër në Lion ka refuzuar kërkesën e Perusë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të biznesmenit, duke e cilësuar urdhër-arrestin të motivuar politikisht. “Ky fakt i është bërë me dije edhe përfaqësuesit të konsullatës së Perusë me seli në Athinë, i cili ka marrë të gjitha shpjegimet e nevojshme”, – tha zyrtari i Ministrisë së Brendshme. Dyshimet rreth pasaportës Javën e shkuar, ministri i Brendshëm i Perusë deklaroi se Augusto Blacker Miller kishte hyrë në Shqipëri me pasaportë të skaduar, por edhe ky fakt është hedhur poshtë nga autoritetet tona. Burimet sqarojnë se ky person ka hyrë në vendin tonë në shtator të vitit të kaluar, me një vizë të marrë në ambasadën shqiptare në Uashington. “Pasaporta e tij ka qenë e vlefshme, verifikim ky që është kryer edhe gjatë procesit të pajisjes me vizë”, – sqaron Ministria e Brendshme. Për autoritetet shqiptare nuk ka asnjë çështje “Miller” për t’u shqyrtuar, përveç kërkesës së tij për t’u pajisur me leje qëndrimi si një azilant në Shqipëri. Pritet që për një periudhë prej disajavore të merret një vendim nga autoritetet përkatëse në lidhje me kërkesën e Miller për strehim dhe leje qëndrimi. Ky i fundit qëndron në vendin tonë prej 5 muajsh, pas ardhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u kthye në një çështje të hapur mes Perusë dhe Shqipërisë pas vizitës në Policinë e Tiranës, për të cilën Miller tha se kishte si qëllim verifikimin e vizës. Përgjatë dy javëve zyrtarë të lartë të Perusë i kanë adresuar kritika Shqipërisë për lirimin e Miller, i cili në vendin e tij është person në kërkim për grushtin e shtetit të vitit 1992.
MAPO
Add new comment