Debate në Kuvend: Berisha: Nuk bëj debat më Ramën. Ruçi: Jep llogari për dështimet e qeverisë

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate mes opozitës dhe kryeministrit Sali Berisha për arritjet dhe premtimet e qeverisë.
Teksa diskutohej për shitjen e 50 % të aksioneve për ndërtimin e hidrocentralit të Devollit, deputetët e opozitës shprehën rezerva për marrëveshjen lidhur me zbatimin e saj. Damian Gjiknuri, deputeti i PS-së, kërkoi afatet se kur do të nisin realisht punimet për këtë vepër, pa harruar interesat e banorëve të kësaj zone.
Ndërkohë kryeministri Berisha e ka cilësuar si një vendim historik miratimin e kontratës së firmosur me kompaninë më të madhe në ndërtimin e hidrocentraleve. “Në kaskadën e lumit Devoll do të ndërtohet hidrocentrali më i madh shqiptar. Kjo kontratë ka rëndësi sepse në këtë vepër do të punësohen 4-5 mijë persona të qarkut të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Përbën një investim tjetër madhor në historinë e vendit. Është kurorëzimi i përpjekjeve të mazhorancës për ta bërë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja. Duhet të kemi parasysh se kjo po ndodh në një kohë krize për vendet më të zhvilluara të Europës. Duam ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, ka thënë Berisha.
Berisha: Nuk bëj debat me Ramën
Kryeministri Sali Berisha, theksoi në Kuvendin e Shqipërisë se nuk do të bëjë debat me liderin e opozitës, Edi Rama, pasi nuk dëshiron të dalë para shqiptarëve “për të rrahur gjoksin me arritjet e mëdha të qeverisë”, por sheh të ardhmen dhe punon për objektivat e tjera të qeverisjes së tij.
Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar i PS-së, tha më herët në foltoren e Kuvendit se shqiptarët nuk duan të dëgjojnë nga kryeministri vetëm fjalë, por duan shpjegime për dështimin e qeverisjes dhe se pse ka kaq shumë korrupsion. “Shqiptarët duan t`ju dëgjojnë këtu në sallë sesa qeveria është korrekte, profesionale dhe transparente. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë nga kryeministri fjalë dhe vetëm fjalë por duan të dëgjojnë përse ka dështuar qeverisja juaj dhe se qeverisja juaj është e korruptuar. Duam të shikojmë se ç’llogari jep kryeministri për kriminalitetin dhe gjithçka që u ke premtuar dhe që nuk i ke realizuar. Kjo është detyra juaj si kryeministër” tha Ruçi.
Kravata e Berishës, batuta me Ruçin
Kravata e kryeministrit Sali Berisha ka shërbyer si burim batutash mes tij dhe kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi. Ky i fundit i tha në krye të fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit: “Mirë se erdhe te ngjyra e rilindjes shqiptare me kravatën zoti kryeministër”. Pas tij
ka reaguar Berisha duke thënë se: “Nuk ke faj se ngjyrat ua ka ngatërruar piktori, me shkarravinat e tij. Kjo nuk është mavi, si jeni ju partia mavi”. Më pas Berisha ka recituar edhe një poezi për opozitën.
Taksa progresive
Kryeministri Berisha i është rikthyer debatit për taksën progresiste. “Sot isha në një takim me biznesin e huaj dhe shqetësimi që ngriti biznesi i huaj ishte taksa progresive. Por unë i garantova se ajo nuk do kthehet kurrë më. Dhe këtë e bazoj në faktin se vendet e punës nuk janë të majta apo të djathta se hidrocentralet, fabrikat se fermat nuk janë të majta e të djathta, por janë vende pune, qendra punë, vende punësimi ndaj dhe kam bindjen më të madhe se shqiptarët nuk do pranojnë kurrë, rikthimin një takse famëkeqe”.
Pas tij kreu i grupit kuvendor Gramoz Ruçi ka kërkuar që Berisha të ndalë këtë lloj frazeologjie për të sulmuar alternativën e opozitës përballë elektoratit.
“Kjo taksë është e provuar gjithandej dhe në Amerikë, nuk keni pse të përdorni frazeologjinë tuaj, nëse ke argumente bujrum, kreu i opozitës të ka ftuar në debat në studion, orën e me gazetarë që do ti, dil e debato. Mos kërkoni që me fjalët e tua të sulmosh alternativën, ofertën që ka opozita për elektoratin” tha Ruçi.
SHQIP
Add new comment