Dalipi, në krye të Këshillit të Tiranës

Postuar në 17 Prill, 2013 14:19

Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim zyrtarizuan bashkimin e tyre, në një takim, gjatë të cilit propozuan kryetarin e këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi për postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. 

Kjo lëvizje vjen një ditë pas kërkesës së firmosur nga këshilltarët e PS dhe LSI për mbajtjen e një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, me objekt shkarkimin e kryetarit aktual, nga radhët e demokratëve, Njazi Kosovrasti. 

Duke iu drejtuar kryebashkiakut Lulzim Basha, kryetari i këshilltarëve socialistë deklaroi se ky nuk është konflikt politik, por vendosje e legjitimitetit të shumicës.

"Të heqë dorë nga cdolloj provokimi të vogël dhe të kuptojë që ky nuk është konflikt politik,por ky është një reagim qytetar i shumicës, ndaj vendosjes së legjitimitetit të institucioneve në Tiranë apo në të gjithë Shqipërinë", tha Dalipi.

Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Shezai Rrokaj dhe kryetarin e Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahiri kjo lëvizje është garant i votës së qytetarëve.

"Kemi gjithë energjinë e duhur që t'i garantojmë qytetarët e Tiranës, por edhe më tej,qytetarët e Shqipërisë se kjo votë do të garantohet, vota do të shkojë atje ku ajo e ka marrë destinacionin e saj prej qytetarit", tha Rrokaj.

"Bunkeri i fundit që i kishte ngelur Sali Berishës deri më sot, ishte pushteti vendor. Ne sot jo vetëm afirmojmë vullnetin tonë për të qenë shumicë në cdo njesi vendore, por nga ana tjetër i heqim mundësinë e fundit Sali Berishës, për të strehuar manipulatorët e tij", tha Tahiri.

LSI ka bashkuar edhe në Durrës votat me Partinë Socialiste duke ndryshuar mazhorancën në Këshillin Bashkiak të këtij qytetit. Ndryshimet janë paralajmëruar edhe në bashkitë dhe komunat e tjera të këtij qarkut, e që më pas pritet të reflektohen edhe në ndryshime në Këshillin e Qarkut. LSI njoftoi vendimin e saj për të bashkuar votat me PS me anë të nënkryetarit të saj për Durrësin, Lefter Koka.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.