Dënohen dy policë, i prekën gruan biznesmenit gjatë kontrollit të makinës

“Të prek, dhe jo vetëm të prek, por të thyej në mes”. Me këtë fjalë dhe me disa goditje me shkop në duar i janë drejtuar një qytetari dy efektivë policie të Komisariatit Nr. 2 Tiranë.
Gjithçka ndodhi teksa policët po i kontrollonin dokumentet e automjetit tregtarit, dy orë pas mesnate, në një nga rrugët e kryeqytetit, raporton Panorama.
Më pas ata kanë dhunuar drejtuesin e automjetit, i cili ishte i shoqëruar nga katër persona, një prej të cilëve bashkëshortja e tij. Incidenti kishte ndodhur pasi policët e zbritën tregtarin nga makina me gjithë gruan dhe disa miq, dhe ai u kërkoi atyre që një police femër ta kontrollonte fizikisht gruan e tij për të shmangur prekjen e saj nga policët meshkuj.
Më 10 janar 2013, Gjykata e Tiranës deklaroi të fajshëm dy policët e akuzuar për këtë ngjarje dhe i dënoi ata me gjobë. Sipas vendimit, efektivët Nuredin Kasma dhe Fisnik Sinani janë gjobitur përkatësisht me nga 150 mijë dhe 100 mijë lekë gjobë, pasi u shpallën të fajshëm për akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”, në bashkëpunim.
Referuar vendimit të firmosur nga gjyqtarja Ardiana Bera mëngjesin e 18 korrikut 2010, dy të pandehurit kanë ndaluar një automjet me pesë persona, dy prej të cilëve bashkëshortë. Pasi kanë verifikuar dokumentacionin e automjetit dhe identitetet e pasagjerëve, policët kanë kërkuar t’u bëjnë kontroll fizik. Në këtë pikë, sipas vendimit, drejtuesi i automjetit ka kërkuar që kontrolli i bashkëshortes së tij të kryhej nga një police e seksit femër.
TEMA
Add new comment