Cocciante merr titullin “Naim Frashëri” nga Nishani

Postuar në 08 Qershor, 2013 09:01

TIRANE- Kantautori italian, Riccardo Cocciante është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri”. Motivacioni; Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore”.

Nishani priti sot në një takim të ngrohtë e miqësor kantautorin e njohur italian Riccardo Cocciante dhe fituesen e talent-shoë-t “The Voice of Italy”, Elhaida Dani.

Kreu i Shtetit u shpreh se shqiptarët janë shumë krenarë për suksesin e Elhaida Danit dhe nënvizoi faktin se kultura dhe arti janë shumë të rëndësishme në komunikimin mes popujve.

Nga ana e tij, Riccardo Cocciante duke e falenderuar Presidentin Nishani për mikpritjen e ngrohtë u shpreh se kultura dhe arti e kanë mundësinë të kapërcejnë kufijtë që qëndrojnë mes popujve. Kantautori italian theksoi se është shumë e rëndësishme për një artist që të mos harrojë identitetin e tij, të njohë folklorin e popullit të vet dhe ta shprehë atë përmes artit, një porosi të cilën ai ia ka përcjellë personalisht edhe Elhaidës.

Vetë fituesja e The Voice of Italy, Elhaida Dani, gjatë bisedës u shpreh se ndihet krenare që ka përfaqësuar popullin e saj duke shprehur gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që i dha kantautori italian, Riccardo Cocciante.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.