Christine Moro: E lehtësuar nga zgjedhjet, Shqipëria të kapë trenin e integrimit

Në këto ditë të gëzueshme për Francën, ambasadorja në Tiranë ka një rol të dyfishtë. Ka vendosur që festa kombëtare të kapërcejë muret e ambasadës, për t’u ndarë më pas me një numër të madh shqiptarësh. Diplomatja Christine Moro tregon në këtë intervistë për MAPO-n aktivitetet e planifikuara për 14 korrikun, por edhe një kronologji të marrëdhënieve të miqësisë mes Francës dhe Shqipërisë. Një histori që nis më herët se 91 vitet e marrëdhënieve diplomatike e që fokusin e ka tek e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Politika në këtë kohë post-zgjedhjesh nuk mbetet jashtë bisedës, ku edhe ambasadorja Moro, si shumë diplomatë të tjerë ndjehet e lehtësuar. “Të gjithë jemi lehtësuar nga zhvillimi i zgjedhjeve, sepse kishim në kujtesë zgjedhje të tjera të kaluara, ku ka pasur tension dhe kontestime. Kësaj here zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan në qetësi, numërimi ishte relativisht i shpejtë, edhe pse ka akoma disa kontestime”,- thotë ajo. Megjithatë, pritshmëritë e komunitetit europian ndaj Shqipërisë janë më të mëdha se kaq. Plani i veprimit, lufta kundër korrupsionit, por edhe një pikë e nxehtë si administrata publike janë tashmë nën vëzhgimin e BE-së, për një progres të plotë të Shqipërisë.
Zonja ambasadore, mes Francës dhe Shqipërisë ka pasur marrëdhënie të hershme miqësie. Në ç’nivel i konsideroni këto marrëdhënie sot dhe ç’rëndësi ka një shtet i vogël si Shqipëria për Francën?
Ne kemi marrëdhënie miqësore me Shqipërinë që në fillesat e ekzistencës së saj si shtet, sepse marrëdhëniet tona diplomatike janë lidhur që prej 91 vitesh dhe unë jam ambasadorja e 29-të e Francës në Tiranë. Por ajo që më shumë rëndësi është e tashmja dhe e ardhmja: Shqipëria është një vend aleat në gjirin e NATO-s dhe në të ardhmen një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Franca e ndjek me interes zhvillimin e Shqipërisë dhe e nxit në rrugën e modernizimit dhe të reformave evropiane, ku ajo jep kontributin e saj përmes bashkëpunimit të shumë fusha, siç janë drejtësia, administrata, zhvillimi rural, shëndetësia etj..Sot ekziston një dinamikë drejt integrimit evropian të Ballkanit. Natyrisht që vlerësimi bëhet për çdo shtet në veçanti, por çfarë kemi vënë re? Më 1 korrik Kroacia u bë anëtare e BE-së. Këshilli Evropian i datës 28 qershor hapi dritën jeshile e negociatave për Serbinë si dhe perspektivën e një MSA-je me Kosovën, duke kërkuar qartë që zhvillimi i negociatave mes këtyre dy vendeve të përparojë në të njëjtën kohë.
Këto janë shumë pozitive, sepse tregon se është kthyer faqja e mosmarrëveshjeve dhe se stabiliteti dhe perspektiva e të ardhmes kanë shënuar progres në Ballkan. Edhe Shqipëria nga ana e saj duhet të kapë trenin.
Përveç projekteve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e kulturës, vihet re një interesim i pakët i investitorëve francezë për Shqipërinë apo ka mungesë të dhënash për një bilanc tregtar mes dy vendesh. Sa i vërtetë është ky perceptim dhe cilat janë pengesat që hasin investitorët francezë në Shqipëri?
Investimet dhe tregtia kanë njohur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, edhe pse duhet të punojmë akoma më shumë për t’i zhvilluar më tej. Të gjithë i njohin emrat e ndërmarrjeve franceze të pranishme në Shqipëri dhe shpresoj që të ketë edhe të tjera në të ardhmen. Tani ne kemi një Dhomë Tregtie dhe Industrie Francë-Shqipëri , çka vërteton se kemi kaluar në një etapë të re. Ndërmarrjet franceze kanë të njëjtat pritshmëri si dhe ndërmarrjet shqiptare apo ato të vendeve të tjera: stabilitet juridik dhe parashikueshmëria, ligje të qarta dhe të zbatuara, tendera transparente , kushte të barabarta konkurrence, një drejtësi të paanshme… Të gjitha këto njihen edhe me emrin e “shtetit të së drejtës” dhe janë garancia më e mirë për zhvillimin ekonomik dhe për punësimin në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
Festat kombëtare janë një moment feste, por edhe një mundësi më shumë për të shkëmbyer ide si dhe për të parë drejt së ardhmes. Në këtë drejtim, ç’aktivitete keni planifikuar për Festën Kombëtare të 14 korrikut?
14 korriku festohet gëzueshëm nga të gjithë francezët (me përjashtim të Georges Brassens, i cili në këtë ditë “nuk del nga dysheku i tij u butë”, siç janë vargjet e këngës së tij), por edhe nga shumë qytetarë në të gjithë botën, të cilët ndihen afër Francës dhe vlerave të lirisë, barazisë, vëllazërisë, që janë motoja jonë. Këtë vit kam dëshiruar që festën ta ndajmë me një numër sa më të madh shqiptarësh dhe shqiptaresh. Prandaj edhe do të shfaqim, të dielën në ora 20:30 tek Akademia e Arteve, tek sheshi Nënë Tereza), filmin “The Artist”, filmi francez që në 2011 mori 6 Cezar në Francë dhe 5 Oskarë në Hollivud. Në të njëjtën orë, filmi do të shfaqet në Vlorë (para Pallatit të Sportit) dhe në Pogradec (tek Odeoni), për të qenë sa më afër shqiptarëve në vendet e pushimeve.
Kjo periudhë ka qenë tejet e ngarkuar për diplomatët e huaj në Tiranë, për shkak të zgjedhjeve që lamë pas. Si e keni parë ju këtë proces dhe një vlerësim për mënyrën sesi shqiptarët votuan?
Të gjithë jemi lehtësuar nga zhvillimi i zgjedhjeve, sepse kishim në kujtesë zgjedhje të tjera të kaluara, ku ka pasur tension dhe kontestime. Kësaj here zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan në qetësi, numërimi ishte relativisht i shpejtë, edhe pse ka akoma disa kontestime. Shqiptarët mundën të shprehnin vullnetin dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë të qartë, si dhe njohja e rezultateve u bë shpejt. Megjithatë, shpreh keqardhjen për episodet e dhunës gjatë fushatës dhe në ditën e votimit, me pasojë vdekjen e një personi: kjo nuk është normale në një demokraci. Në këtë kontekst, konkluzionet e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë janë interesante dhe presim përshtypjet dhe rekomandimet e misionit të vëzhgimit të ODIHR-it.
Integrimi në Bashkimin Europian është një proces tek i cili shpresojnë shumica e shqiptarëve, por që deri më sot ka hasur shumë pengesa për shkak të klimës politike. Cili është apeli juaj për politikën shqiptare dhe, a e shihni Shqipërinë më pranë statusit të vendit kandidat, pas një procesi zgjedhor që u konsiderua normal nga komuniteti ndërkombëtar?
Zhvillimi i mirë i zgjedhjeve, të konsideruara nga BE-ja si një test i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë shqiptare, padyshim që është një element pozitiv, ashtu si dhe miratimi i « tri ligjeve » që do të hyjnë në fuqi në tetor. Por pritshmëritë e shprehura gjatë mbledhjes së këshillit Evropian të dhjetorit 2012 janë edhe më të gjera. Duhet që autoritetet shqiptare, qeveria aktuale dhe ajo që do të vijë në shtator të rifillojnë dhe të vazhdojnë punën për agjendën që të gjithë e kanë të qartë: dymbëdhjetë prioritetet kyç, plani i veprimit. Një vëmendje e posaçme do t’u kushtohet, gjatë hartimit të raportit të ardhshëm të progresit në mbledhjen e Këshillit Evropian në dhjetor, rezultateve të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vazhdimi i agjendës evropiane do të ishte shumë më i lehtë dhe progresi shumë më i shpejtë nëse partitë politike të arrinin të punonin së bashku për një synim që të gjithë e dëshirojnë: integrimi evropian. Shpresoj që ata të përfitojnë nga ky moment shumë i veçantë, ku qytetarët e kanë përcjellë mesazhin e tyre, për të shkuar në këtë drejtim.
Shpresoj gjithashtu se do të orientohemi drejt një administrate publike të bazuar tek merita dhe politikisht neutrale. E di se është një kthesë e madhe dhe delikate për t’u realizuar, sepse duhen shmangur padrejtësitë dhe hakmarrjet, por është çasti për ta bërë. Dua të sjell gjithashtu në vëmendje se ky parim është i parashikuar në ligjin e nëpunësit publik, që sapo u miratua nga Parlamenti me tre të pestat e votave.
Gjatë javëve të fundit ju keni zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm për azilkërkuesit e rremë. Sa shqetësues është ky fenomen për Francën dhe si e shihni reagimin e autoriteteve shqiptare në këtë drejtim?
Numri i kërkesave të shqiptarëve për azil është rritur shumë në Francë, që prej një viti e gjysmë, dhe ne nuk jemi i vetmi vend i prekur dhe as vendi i vetëm që shqetësohemi për këtë rritje. Nga Parisi ka ardhur vërtet një mision, i cili ka zhvilluar takime të shumta me autoritetet por edhe me shoqërinë civile për të kuptuar sa më mirë arsyet që i shtyjnë qytetarët shqiptarë të kërkojnë azil. Autoritetet shqiptare nga ana e tyre mund të marrim masa për të ndryshuar situatën duke arritur të identifikojnë më mirë ato që i shtyjnë këta persona t’i futen një rruge të tillë.
Politika fiskale e taksës progresive, e ndjekur nga presidenti Hollande në Francë, është përmendur shumë në Shqipëri përgjatë fushatës elektorale, për të kundërshtuar projektin e zotit Rama. I është thënë shpeshherë se do të ndodhte i njëjti fenomen si në Francë, me trembjen e biznesit të madh. Jemi të interesuar për një opinion tuajin mbi këtë politikë? A duhet të ndjekë Shqipëria shembullin e Francës në këtë drejtim?
Çdo vend zgjedh sistemin e tij fiskal. Për sa i përket Francës, a e dini se tatimi progresiv është vendosur që prej një shekulli dhe se është zbatuar pa ndërprerje si nga qeveritë e djathta ashtu dhe të majta? Ky sistem tatimi gëzon mbështetjen e të gjithëve në vendin tim, sepse bën të mundur të ngushtohen pabarazitë duke i kërkuar më të pasurve një kontribut më të madh për funksionimin e shtetit dhe të shërbimeve publike.
Zonja Ambasadore, si i shihni marrëdhëniet shqiptaro-franceze në të ardhmen dhe cilat janë ato fusha të përbashkëta interesi, që do të duhej t’i afronin më shumë dy vendet tona?
Këtë vit kemi bërë shumë progres në fushën e bashkëpunimit franko-shqiptar. Fola më lart për krijimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri. Shkolla Franceze e Tiranës ka marrë muajin që kaloi homologimin zyrtar nga Ministria franceze e Arsimit, pra tani ne kemi në Tiranë një shkollë, e cila është nën autoritetin pedagogjik francez dhe që ndjek programin shkollor francez (por aty mësohet edhe shqipja dhe anglishtja). Gjithashtu kemi lançuar një platformë ambicioze dixhitale në fushën e kulturës (libra, reviste dhe gazeta, video, filma…); kjo është CULTURETHEQUE. Nuk duhet të harrojmë bashkëpunimin teknik në fusha shumë të rëndësishme për reformat evropiane të Shqipërisë. Ambasada e Francës punon me shumë entuziazëm dhe angazhim, me bashkëpunëtorët e saj të shumtë shqiptarë, të cilët i falënderoj në këtë moment të Festës sonë Kombëtare, e cila përkujton gjithashtu miqësinë tonë.
Festa e Francës
Këtë vit kam dëshiruar që festën ta ndajmë me një numër sa më të madh shqiptarësh dhe shqiptaresh. Prandaj edhe do të shfaqim, të dielën në ora 20:30 tek Akademia e Arteve filmin “The Artist”, por edhe në Pogradec e në Vlorë
Investimet franceze
Investimet dhe tregtia kanë njohur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, edhe pse duhet të punojmë akoma më shumë për t’i zhvilluar më tej. Tani ne kemi një Dhomë Tregtie dhe Industrie Francë-Shqipëri, çka vërteton se kemi kaluar në një etapë të re.
Zgjedhjet
Të gjithë jemi lehtësuar nga zhvillimi i zgjedhjeve, sepse kishim në kujtesë zgjedhje të tjera të kaluara, ku ka pasur tension dhe kontestime. Kësaj here zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan në qetësi, numërimi ishte relativisht i shpejtë, edhe pse ka akoma disa kontestime.
Azilantët e rremë
Numri i kërkesave të shqiptarëve për azil është rritur shumë në Francë, që prej një viti e gjysmë, dhe ne nuk jemi i vetmi vend i prekur dhe as vendi i vetëm që shqetësohemi për këtë rritje. Nga Parisi ka ardhur vërtet një mision, i cili ka zhvilluar takime të shumta me autoritetet…
Mapo
Add new comment