Cani: Situata financiare është kritike, borxhi në 67 – 71 për qind të PBB-së

Postuar në 27 Shtator, 2013 10:03

Ministri i Financave Shkëlqin Cani foli sot për atë që e quajti “situatë kritike financiare” të buxhetit të shtetit. Ai tha se borxhi publik po rritet me shpejtësi ndërsa të ardhurat e buxhetit janë të dobëta. “Gjendja është e rëndë por jo e pashpresë,” tha Cani.

Sipas tij, të ardhurat janë 7.2 për qind më pak se sa plani 2013 dhe 3.8 për qind më pak se sa vitin e kaluar. Të ardhurat këtë vit pritet të jenë 23.7 për qind, kjo është performance më e keqe me përjashtim të vitit 1997. Ne kemi nevojë për 24 miliardë lekë borxh shtesë. Deficiti do të arrijë në 6 për qind të PBB-së nga 3.5 që qe planifikuar.

“E vetmja zgjidhje që na la qeveria që iku është rritja e deficitit dhe e borxhit”, tha Cani. Borxhi pritet të arrijë në 67 për qind të PBB-së. Kjo është pa “borxhin e fshehtë” pra pa faturat e papaguara ndaj bizneseve. Nëse e shtojmë këtë, borxhi public mund të arrijë në 71 për qind të PBB. Më 2014 synimi është të vëmë borxhin nën kontroll.

Për vitin e ardhshëm parashikojmë që borxhi të ulet në 72-73 për qind të PBB-së. Synimi ynë afatgjatë për të arritur borxh në 60 për qind duket i vështirë, por jo i pamundur.

Afërsisht 9 miliardë lekë janë fatura të papaguara nga thesari. Përveç këtyre kemi edhe 6 miliardë lekë kërkesa të paplanifikuara për shpenzime sociale. TVSH e parimbursuar është 6 miliardë lekë e certifikuar dhe 7 miliardë lekë në procesim. Kemi edhe 10 miliardë lekë tatim fitimi të parapaguar që nuk është rikthyer te biznesi nga administrata tatimire.

Rritja në këtë vit nuk arrin në 3.1 për qind nga sa qe parashikuar, por besohet se do të jetë 1.7 deri në 1.9 për qind.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.