Buxheti në kaos, nuk ka paga për 5 ministritë e reja

Blerina Hoxha
Barra e tranzicionit qeverisës më shumë se kudo tjetër po ndjehet në Ministrinë e Financave. Me një buxhet të dëmtuar nga zgjedhjet, ku arka e shtetit është thuajse bosh, buxheti i ri i 2014 që duhet të jetë në përfundim e sipër dhe për më tepër kërkesa për të furnizuar me fonde 5 ministritë e reja që i janë shtuar qeverisjes.
Ministritë e reja
Pesë ministritë e reja rrezikojnë seriozisht funksionimin për mungesë fondesh. Burimet nga Ministria e Financave pohojnë se në buxhetin e vitit 2013 nuk janë të parashikuara fondet për këto dikastere dhe gjetja e tyre përbën emergjencën e parë. Në vend që ministri Cani të vihej në punë për gjetjen e zgjidhjeve për daljen nga kriza dhe uljen e borxhit, i duhet të bëjë të kundërtën, të rrisë borxhin. Puna e do që të gjenden fonde me urgjencë për funksionimin e qeverisë. Të njëjtat burime shpjegojnë se po rishikohet buxheti i këtij viti për të riformatuar fondet. Ekspertët pohojnë se ka dy zgjidhje. E para, shkurtimi i fondeve të buxhetit për zërat dytësorë dhe e dyta, rritja e borxhit. Mësohet se gjetja e fondeve shtesë duke rritur borxhin është më e mundshme. Kryeministri Rama ka porositur në mbledhjen e datës 18 shtator 5 dikasteret e reja të paraqesin kërkesat për fonde, të cilat tashmë janë në tavolinën e ministrit Cani. Ky i fundit ka gjetur një buxhet të zbrazur, një deficit të thelluar, me të ardhura të parealizuara dhe me një staf ende të paformatuar. Në fund të gushtit deficiti në të ardhura shënon 16 miliardë lekë ose më shumë se 110 milionë euro. Ndërsa pesë dikasteret e reja, si Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore momentalisht nuk kanë fonde as për shpenzime minimale si vula, kancelari etj.
Borxhi
Për të përballuar shpenzimet deri në fund të vitit, të cilat do të kufizohen në pagesat e borxhit, funksionin e spitaleve dhe shpërndarjen e rrogave dhe pensioneve, pritet që të merret një borxh i ri. Bëhet fjalë për 100 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të merret nëpërmjet ankandeve të bonove të thesarit, pasi likuiiditeti në banka dhe interesat e borxhit në këto momente janë shumë të leverdishme. Në draftin fillestar të buxhetit, huamarrja e qeverisë për këtë vit ishte parashikuar në 49 miliardë lekë ose 3.4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Me ndryshimet e reja pritet që shifra të shkojë në 59 miliardë lekë ose mbi 4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Ndryshimet në buxhetin e vitit 2013 tashmë janë në proces dhe pritet që të paraqiten në Kuvend gjatë muajit tetor. Buxheti 2013 ishte përfshirë në proces rishikimi nga qeveria Berisha, por pas rezultatit të zgjedhjeve këto ndryshime u lanë të bëheshin nga qeveria e re.
Kryeministri Rama ka porositur në mbledhjen e datës 18 shtator 5 dikasteret e reja të paraqesin kërkesat për fonde, të cilat tashmë janë në tavolinën e ministrit Cani. Ky i fundit ka gjetur një buxhet të zbrazur, një deficitit të thelluar, me të ardhura të parealizuara
Janar-korrik, planit buxhetor i mungojnë 110 mln euro
Ndryshimi i treguesve fiskalë në ligjin e buxhetit tashmë është i pashmangshëm, në një kohë kur të ardhurat për tetë muajt e këtij viti nuk janë realizuar në masën e pritshme dhe shpenzimet janë tejkaluar mbi planifikimin. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se për këtë periudhë, arkës së shtetit i mungojnë rreth 16 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat. Të njëjtat burime sqarojnë se ndryshimet që pritet t’u bëhen treguesve të buxhetit të këtij viti do të mund të realizohen vetëm në muajin tetor, pasi të jetë përfunduar analiza e tërësore për gjendjen e buxhetit. Në njëfarë mënyre, këto shkurtime të shpenzimeve tashmë kanë nisur që me vendimin e qeverisë për disiplinimin e shpenzimeve, ku janë ndërprerë të gjitha prokurimet pas 15 korrikut. Akoma nuk ka një shifër se sa do të jenë shkurtimet në buxhet, sqarojnë burimet e mësipërme, por duke iu referuar të dhënave paraprake të treguesve fiskalë të 7-mujorit, mendohet se kjo do të jetë vlerë e konsiderueshme.
MAPO
Add new comment