Burgimet e padrejta, 17.9 milionë lekë dëm shtetit

Gjykata: Një ditë burg sipas rrethanave vlerësohet me 1-3 mijë lekë. Tiranë, 22 persona u dëmshpërblyen në shtatë muaj.
Një sasi e konsiderueshme parash nga buxheti i shtetit kanë shkuar për dëmshpërblimin e personave të burgosur padrejtësisht nga drejtësia shqiptare gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Një numër prej 21 personash i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Gjykata, pasi ka shqyrtuar kërkesat e bëra nga shtetasit, ka marrë vendimet përkatëse varësisht nga rrethanat e secilit rast. Personat e ankuar në gjykatë ndahen në tri kategori: ata që kanë marrë pafajësi në fund të gjyqit, personat që janë mbajtur padrejtësisht në paraburgim dhe personat të cilëve prokuroria u ka pushuar dosjen pa i dërguar fare në Gjykatë.
Nga të dhënat e Gjykatës së Tiranës mësohet se nga janari i këtij viti deri në fund të korrikut janë regjistruar 31 padi civile me kërkesën për dëmshpërblim financiar të ditëve të burgimit të padrejtë. Prej këtyre padive, Gjykata ka pranuar 22 padi dhe më pas ka bërë vlerësimin e ditëve të qëndrimit në burg për secilin person, duke llogaritur edhe shumën e dëmshpërblimit. Në total, shuma që ka akorduar Gjykata e Tiranës për 22 persona në shtatë muaj është 17 986 900 lekë të reja. Palë e paditur në të gjitha rastet është Ministria e Financave, Dega e Thesarit.
LLOGARITJA
Metodologjia e ndjekur nga Gjykata në vendimet e dhëna për dëmshpërblimin e personave të burgosur padrejtësisht është bazuar në shqyrtimin e rrethanave në secilin rast. Një person i arrestuar dhe akuzuar e mbajtur në burg padrejtësisht, të cilit përballja me drejtësinë në këtë mënyrë i ka dëmtuar karrierën, i ka sjellë humbjen e punës etj. është dëmshpërblyer deri në 3 mijë lekë për një ditë qëndrimi në qeli në mënyrë të padrejtë. Ndërkaq, ka raste të tjera kur shtetasve nuk u janë cenuar interesa të tjera me përjashtim të heqjes së lirisë, dhe gjykata ka vlerësuar me vetëm 1 mijë lekë një ditë qëndrim në qeli. Një ndryshim më të madh gjykata ka bërë në caktimin e dëmshpërblimit për qëndrimin në paraburgim. Sipas ligjit, një ditë në paraburgim dëmshpërblehet me vlerën e një dite e gjysmë qëndrim në burg të zakonshëm.
KËRKESAT
Mes 22 kërkesave të depozituara në Gjykatë gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, ka raste të ndryshme. Paditë flasin për persona të arrestuar nga policia dhe që janë mbajtur në paraburgim padrejtësisht pa dalë fare në gjykatë. Ndërkaq, togat e zeza kanë dëmshpërblyer edhe persona të tjerë që kanë mbetur me vite në qeli si pasojë e hetimit dhe gjykimit në disa shkallë të Gjyqësorit shqiptar deri në përfundim të procesit. Një tjetër kategori personash që janë dëmshpërblyer u përket atyre shtetasve të cilët janë dënuar në masë të madhe në shkallën e Parë dhe më pas Apeli ua ka ulur dënimin.
Në këto raste, gjykata ka vendosur dëmshpërblim për kohën shtesë të qëndrimit në burg në mënyrë të padrejtë. Sipas të dhënave nga gjykatat, shumica e personave që kanë marrë dëmshpërblim, kanë arritur të fitojnë pafajësi ose pushim të çështjes në Gjykatën e Apelit. Një numër më i vogël personash kanë përfituar pushimin e çështjes në Prokurori në kohën kur dosja ka qenë në hetime paraprake. Bie në sy se përfituesit kryesorë të dëmshpërblimeve janë akuzuar për vjedhje, drogë, korrupsion, shpërdorim detyre, por nuk ka raste personash të akuzuar për vrasje, grabitje me armë, shfrytëzim prostitucioni, apo vepra të tjera të rënda penale.
Panorama

Add new comment